Lidhjet nepotike / “Mbysin” administratën, ja lista ku kryebashkiakët, deputetë, zyrtarët e drejtësisë kryesojnë në punësimet e familjarëve

40
Sigal

Familjarët e kryebashkiakut të Kamzës Rakip Suli janë thuajse të gjithë në administratë. Bashkëshortja e tij në Agjencinë e Kadastrës ndërsa njëri prej djemve, specialist i nivelit të lartë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Djali tjetër ka shërbyer në Drejtorinë e rëndësishme të Parandalimit të Pastrimit të Parave

Formati televiziv “Inside Story” tregoi sesi nepotizmi rezulton i shtrirë në shumë sektorë të ndryshëm. Por një specifikë kryesore ai ka edhe në pushtetin lokal. Sipas këtij formati familjarët e kryebashkiakut të Kamzës Rakip Suli, i cili së fundi është marrë nën hetim nga SPAK, kanë shërbyer në administratë. Bashkëshortja e tij në Agjencinë e Kadastrës, ndërsa njëri prej djemve, specialist i nivelit të lartë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Djali tjetër ka shërbyer në Drejtorinë e rëndësishme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Tjetër rast ku një zyrtar ka të punësuar më shumë se një familjar është ai i kryebashkiakut të Pogradecit Ilir Xhakolli. Vajza e tij, ka punuar tek Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Ndërkohë, i biri, pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara. Bashkëshortja e kryebashkiakut të Elbasanit Gledian Llatja, Solora Jaupaj shërben në një post mjaft të rëndësishëm si drejtore kabineti e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar nga Anila Denaj. Bashkëshortja e Kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu, rezulton specialiste pranë Auditit në Ministrinë e Brendshme. Bashkëshortja e kryebashkiakut të Librazhdit Kastriot Gurra, rezulton pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Lista e nepotizmit me familjarë të kryebashkiakëve është më e gjerë se kaq, por, këtu zbulohen disa prej emrave të vërtetuar. Përveç kryetarëve të bashkive politikanë të të dy krahëve kanë siguruar familjarët e tyre në poste të ndryshme në Administratën publike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë është një ndër institucionet ku në listat e pagave gjenden mjaft nëpunës të familjarëve të afërt të politikës.

Këtu punon edhe bashkëshorti i Elisa Spiropalit. Florenc Kushi, bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit ka shërbyer si specialist i nivelit të lartë. Tani, do të ndalemi në një tjetër emër të politikës që njihet për qëndrime të ashpra si opozitar ndaj mazhorancës aktuale. Ish-deputeti Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane, rrethin e ngushtë familjar e ka pasur apo i ka të punësuar në administratë. Bashkëshortja e tij Kozeta, ka shërbyer si specialiste pranë Agjencisë së Zhvillimit Bujqësore-Rural. Një institucion që menaxhon miliona euro fonde të IPARD i vënë nën hetim së fundi. Ndërkohë, vajza e tij ka shërbyer në Komisionin për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, referuar deklaratës së pasurisë së vitit 2016. Djali i tij Elvisi, ka shërbyer si specialist i nivelit të lartë pranë Bashkisë së Tiranës. Ndërsa vajza e kryetares së Parlamentit Lindita Nikolla punon në Bankën e Shqipërisë.