Legalizimi i kanabisit, Shehu: Ide për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta të vendit

271
Sigal

Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë, në një lidhje direkte, deklaroi se “kur e gjithë vëmendja është hedhur te virusi, te varfëria dhe humbja e vendeve të punës, të lëshosh idenë e kanabisit, që është e gabuar dhe shkatërruese për vendin tonë, do të thotë që kërkon të fshehësh diçka”.

“Ose kërkon të heqësh vëmendjen nga problemet reale që ka Shqipëria, që tani është niveli ekonomik i vendit, ose kërkon ta kalosh këtë situatë duke e çuar vëmendjen diku tjetër. Në të dyja rastet tregohet papërgjegjshmëri e lartë. E pamë se çfarë ndodhi në 2015 me këtë ide. Përfundimi ishte që Shqipëria u kthye në republikë kanabisi, grupet kriminale u forcuan në mënyrë ekstreme, fshatarët u shkatërruan ekonomikisht dhe u krijua një deformim i thellë i demokracisë”, u shpreh Shehu.

Më tej, ai shtoi: “Shumë bimë përdoren për barnat mjekësore. Nuk kam kundërshtim që kanabisi të përdoret për elementë mjekësorë, por nuk ka dokumentim objektiv për përdorimin e kanabisit si medikament. Nuk ka asnjë industrializim të tijin në medikamente, ka teori dhe eksperimente të ndryshme, por në asnjë vend të zhvilluar nuk është teoria për mbjelljen kudo të kanabisit gjoja për qëllime mjekësore. Në Itali dhe Greqi, kanabisi kultivohet nën kontrollin e ushtrisë për t’u përdorur më vonë në laboratore shkencore për farmaceutikë. Ku do ta bëjmë ne këtë gjë? Në këto vende bëhet për kërkim shkencor të subvencionuar nga shteti, jo për fitim ekonomik”.

Shehu e mbylli argumentimin e tij duke thënë se “njerëzit duhet të kuptojnë që po futemi në një lojë me një çmim shumë të lartë për shoqërinë tonë dhe shëndetin e njerëzve”.