Ledina Alolli: Çdo ditë e më shumë më afër fitores

184

T’i themi “jo” fajsisë kolektive, Është koha për Korçën tonë!

Sigal

Vepror Hasani

Një kryetar bashkie, në punën e tij të përditshme, duhet t’i thotë jo fajësisë kolektive, – kështu e nisi fjalën e vet Ledina Alolli, kandidatja për kryetare Bashkie në Korçë, – ndaj, ftoj zërin qytetar të jetë i përgjegjshëm për ecurinë e vendimmarrjeve, që ai kërkon. Kur një individ ngre fort zërin e tij për një padrejtësi, që atij i ndodh dhe të tjerët në komunitet heshtin, shumë shpejt radha i vjen tjetrit. Në këtë zinxhir, kur ti e pëson në kurrizin tënd, mos prit që të tjerët të të mbrojnë ty, sepse edhe ti dikur ke heshtur për padrejtësinë, që atij i kishte ndodhur. Ka ikur koha e fajësisë kolektive! Mos hesht për padrejtësitë e pushtetit vendor! Bashko fort zërin tënd me atë të komunitetit dhe ndal të keqen! Po heshte, një ditë radha të vjen ty! Vetëm të bashkuar do të bëjmë të dëgjohet çdo hall e problem i njerëzve në vendimmarrjen lokale. Të gjithë të bëhemi zëri i fortë qytetar për të mbrojtur veten dhe qytetin!  Është koha për Korçën tonë!

Çdo ditë mes njerëzve

Ndaj çdo ditë kemi qenë pranë njerëzve, mes popullit opozitar të Korçës i cili çdo ditë rikonfirmon pjesëmarrjen e gjerë në zgjedhjet e 14 Majit. Numri i njerëzve po bëhet gjithnjë e më i madh, rritet si ortek. Ndihem mirë, – na thotë Ledina Alolli. Kandidatja e opozitës për kryetare bashkie, aktualisht profesore dhe dekane në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Fan S. Noli Korçë”. Deri më sot jam gjendur mes njerëzve të punës, mes të rinjve, grave e vajzave, ku urojmë njeri-tjetrin për gëzime të përbashkëta. Për të gjithë kam shprehur respektin, vlerësimin, kontributin, punën e palodhur dhe përkushtimin, që dëshmojnë për një Korçë të bukur siç i ka hije, pa varfëri, vjedhje dhe korrupsion. Të gjithë ne kemi nevojë për më shumë të drejta, sepse shteti, biznesi dhe e gjithë shoqëria është në borxh me qytetarët. Janë ata që mbajnë gjallë ekonominë, edhe pse ndihen të pambrojtur dhe marrin shumë pak shërbime nga taksat që paguajnë; kryesisht për shërbimet shëndetësore dhe ato sociale. Si kandidate e opozitës kam garantuar se do të jem administratorja më objektive dhe më e përgjegjshmja që mund të ketë komuniteti. Sot çdo qytetar i Korçës e di mire kush përfaqëson opozitën e vërtetë dhe kujt i përket fitorja! Qytetarëve do t’u rikthejmë dinjitetin

Mjerimi i fermerëve

Ne si populli opozitar kemi edhe një avantazh tjetër: Propaganda e socialistëve ka humbur çdo interesim të qytetarit. Gjatë gjithë viteve të drejtimit të saj Bashkia e Korçës la pas vjedhje, dhe korupsion. Trumbeton financim dhe mbështetje për fermerët, por në fakt bujqësia është e braktisur. Ajo çfarë ka mbetur në qiellin e saj është tymnaja e zhgënjimeve, që po mbyt fermerët. Mjerimin e shohim ngado: në sipërfaqet e frutorëve në fshatin Dvoran, në prerjen e qindra pemëve frutorë, në mospërballimin e shpenzimeve. Toka po mbetet djerr, nuk ka kush të kujdeset, të rinjtë po braktisin vendin, mungon tregu i shitjes, taksat rriten, çmimet e shitjes zbresin nën koston e produkteve, çmimet e plehrave kimike, të pesticideve, të karburantit të makinerive bujqësore etj rriten; ndërkohë gjithnjë e më shumë po ndihet mungesa e fuqisë punëtore. Korça po përjeton një krizë të thellë ekonomike, veçanërisht me politikat diskriminuese ndaj fermerëve. Dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Ne do ta shohim bujqësinë si një nga shtyllat kryesore të programit, i cili do t’i japë zgjidhje situatës të vështirë të fermerëve në zonat tona. Më 14 maj shënojmë fillimin e ndryshimeve të mëdha për sektorin e bujqësisë në Bashkinë e Korçës, sepse aktualisht po luhet një dramë e rëndë më fatet e shqiptarëve dhe integritetin e demokracisë në Shqipëri. Edi Rama me marionetat e tij dhe drejtësinë e deformuar po asgjëson në thelb të gjitha ekuilibrat që duhet të ketë një sistem funksional demokratik.

Krimi mjedisor në bashkinë e Korçës

Bashkia e Korçës, si në të gjitha fushat, ka lënë në harresë totale zonat rurale! Nuk është thjesht konstatim, por “kërcënim publik” me të cilët përballen banorët e Korçës, që jetojnë në këto zona. Veprimet dhe mosveprimet e institucionit të bashkisë kanë shkaktuar një situatë të krimit mjedisor ku më e dukshme është në fshatra, qofshin ato edhe pranë qytetit siç është Belortaja. Gjendja aktuale dëshmon mungesën e një plan menaxhimi nga Bashkia e Korçës për problematikat e zonave rurale, veçanërisht në menaxhimin e mbetjeve në këto zona. Ndaj u bëj thirrje autoriteteve lokale dhe agjencive të linjës të marrim masat e menjëhershme për zgjidhjen kësaj situate, e cila nuk lidhet vetëm me menaxhimin mjedisor, por prek drejtpërdrejt edhe shëndetin e popullatës. Është e  papranueshme që në vitin 2023, pas shumë përpjekjeve të organizmave ndërkombëtarë në Shqipëri, si prezenca e OSBE, zona të konsiderueshme të fshatrave rreth Korçës të përballen me situata të krimit mjedisor. Reagimi ynë më 14 Maj do të jetë i menjëhershëm. Programi ynë që po përgatit ekipi im do t’i japë zgjidhje njëherë e mirë “hot spot-ve” në të gjithë Bashkinë e Korçës.

Ndryshimi i Korçës po afron!
Ndaj e përsëris, në 14 Maj ne banorët e Korçës, me votën tonë të lirë do ta kthejnë Bashkinë në funksion të interesit publik dhe do të jemi përherë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të fjalës së lirë, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Beteja për demokracinë është jetike për Shqipërinë dhe fatet e saj. Pa opozitë të fortë dhe të vërtetë, diktatura është në prag dhe po vë në rrezik ekzistencën tonë si qytetarë të lirë të Evropës. Programi që po përgatitet do t’i japë zgjidhje njëherë e mirë “hot spot-ve” në të gjithë Bashkinë e Korçës. Ndryshimi i shumëpritur po vjen. Fshati Belorta vetëm 8 km nga qendra e qytetit të Korçës gjendet në kushtet e emergjencës. Po kështu: Mungon uji i pijshëm; mungon sistemi për shkarkimin e ujrave të zeza; mungon ndriçimi; mungon pastrimi i mbetjeve; mungon prespektiva për të rinjtë; mungon tregu për shitjen e produkteve bujqësore etj. Vetëm një gjë nuk mungon: Papunësia! Këto janë vetëm disa nga shqetësimet emergjente, të cilave do t’u japim zgjidhje të menjëhershme sot, sepse nesër është vonë. Keqqeverisjen po e vuajnë të gjithë banorët e zonave rurale. Ju siguroj se kjo krizë do të marrë fund. Në 14 Maj, bashkia kthehet në shërbim të banorëve

Ekipi ynë

Bashkë me ekipin po punojmë fort për një plan të detajuar për Korçën tonë, i cili do të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për çdo shqetësim të banorëve. Njerëzit e pamundur dhe e gjithë Korça kërkojnë ndryshimin në 14 Maj, sepse demokratët mendojnë për shqiptarët, janë humanë dhe të përgjegjshëm për fatet e qytetit dhe për të ardhmen e vendit! Për mua, si kandidate, çdo takim është impuls dhe energji e shtuar. Zëri i çdo banori përmes problematikave, shqetësimeve që përcjellin do të dëgjohet dhe do të vlerësohet. Programi që do të ofrojmë do jetë zgjidhja për çdo problematikë të Korçës. Në këtë rrugëtim për dinjitetin e çdo qytetari të padëgjuar e nëpërkëmbur, ne do t’ia dalim duke qenë bashkë. Është koha për Korçën tonë! Ashtu si deri më tani do të vazhdoj të dëgjoj dhe mbaj shënim çdo problem, ankesë dhe propozim të secilit prej banorëve të bashkisë Korçë, për të sjellë ndryshimin e madh dhe të shumëpritur. Hidhen qindra miliona lekë për fasada, pajisje zyrash, digjitalizime, dhe pothuajse asgjë nuk ndryshon në infrastrukturën e brendshme të lagjeve, në ndriçim, gjelbërim apo zhvillimin ekonomik e social të komuniteteve. Korça jonë ka nevojë për frymëmarrje, për impulse të reja ringritjeje dhe zhvillimi. Ndryshimi po vjen!