Prof. Dr. Elmas Leci: 80 vjet më pas Edi Rama na i stigmatizoi përsëri anglezët. Çfarë bëhet kështu?!

196
Sigal

Enver Hoxha gjatë Luftës Antifashiste, ndonëse aleatë, nuk i deshi anglezët. 80 vjet më pas Edi Rama na i stigmatizoi përsëri anglezët. Çfarë bëhet kështu?! Politikë apo diplomaci?!

Prof. Dr. Elmas Leci
Drejtor Ekzekutiv, Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

Kur zbriti gjenerali Dejvis me ekipin e tij si përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në vitin 1943 në Bizë, si aleat i Luftës Antifashiste, kërkoi edhe një takim me Enver Hoxhën për bisedime si mes aleatëve. Enver Hoxha menjëherë dha porositë “kujdes me dhelprën angleze”.Nuk po zgjatem më shumë se qoftëlargu ka shkruar edhe një libër abuziv “Rreziku anglo amerikan për Shqipërinë”, ku del qartë se ai dhe politika e tij nuk i deshi aleatët anglezë. Po për Kryeministrin tonë të tanishëm nuk dua ta besoj se nuk i do anglezët. Por stigmatizimet, që u bëri, sa la nam dhe shtypi britanik sa nuk pëllciti për proçkat e njeriut nga Shqipëria tregojnë faktin se kështu nuk bëhet as politikë pa lere të bësh diplomaci! Ç’të ishin gjithë ato stigmatizime, rastësi apo lojë politike. Shumë kokëbosha në Shqipëri, deklaratat anti etike të Edi Ramës i konsiderojnë normale dhe u kënaqën. Po Britania e madhe, po Europa. Apo ne s’na plas për to se ne jemi nga ata që “hedhim valle në gojën e ujkut”. Po përse i bëri këto Edi Rama në Londër?! Se ne më shumë se gjithçka vlerësojmë ende mendjeboshësinë. U a bëri mirë, themi. Ua përplasi në fytyrë. Po përse sjellje prej shtetari ishte ajo? Gjuha stigmatizuese apo e “forcës” do i bëjë të tjerët të na duan ne?! Po kujt i plas për “elokuencën” e Edi Ramës? Ç’i duhet popullit, i shan Edi Rama apo i përkëdhel të tjerët! Populli do bukë. Atë sot e kërcënon më shumë se gjithçka e ardhmja boshe në Shqipëri. Ky qëndrim është mediokritet! Edi Rama apo Kryeministri i Shqipërisë përballë diplomacisë angleze, triumfator apo karagjozator?! Më vjen keq, siç nuk do dëshiroja të ishte, por peshorja anon nga e dyta. Këtu ka edhe poshtërsi. Ti shkosh tjetrit mik i ftuar apo me kërkesën tënde dhe ta shash te oxhaku i tij, kur nuk të ka asnjë faj, kjo është shkelje e rëndë e traditës tonë shumëshekullore. Fajet, që i ke vetë për fukarallëkun që u ke krijuar shqiptarëve, shkon dhe ja plas mikut me të njëqindat, madje në vatër pa pikë turpi, kur ai ka vite e vite që të mban bashkëatdhetarët. Jo kjo nuk shkon! Nuk është trimëri, por një karshillëk i keq që shqiptarëve do u kushtoi shumë. Përse shkoi Edi Rama në Londër, vetëm për t’i sharë? Ai këtë bëri, por përsëri nuk dua ta besoj. Thonë se shkoi për emigrantët. Përse për emigrantët?! Nga të nëndheshmet thuhet se ka shkuar me dy variante: E para, për t’u thënë anglezëve që “mos i pranoni më shqiptarët se me ikjet jam vënë para përgjegjësisë së madhe për genocidin e shpopullimit”. E dyta, mundet t’u ketë thënë “rregulloni ato që kanë ardhur, që të mos kemi probleme ose nëse nuk i rregulloni degdisni andej nga Etiopia e mos mi sillni në Shqipëri se më gjeti e zeza”! Të vesh në Londër me një dyzinë delegacioni vetëm për kusuret tuaja, madje edhe t’u trimërohesh atyre, kjo ndodh vetëm me një njeri, se nuk mund ta quaj as Kryeministër) të papërgjegjshëm.
Jo ore zoti Kryeministër jo! Shqiptarët nga kjo vizitë prisnin që ti:
Së pari, t’u hapje rrugën e parë të legalizimit atyre bashkëatdhetarëve, që kanë ikur atje nga e keqja që ke krijuar vetë në Shqipëri e vetëm shpirti i tyre e di se si kanë ikur!
Së dyti, t’u çilje rrugën e ndershme të qarkullimit të lirë njerëzve të t’u, që i ke bërë në këto 10 vjet kashtë e koqe nëpër botë, ku po i trajtojnë më keq se skllevërit në Romën e lashtë. Ja këto dy gjëra të kishe bërë. Kur e dije se nuk i bëje përse e ndërmore vizitën dhe na harxhove edhe një qese me para nga fund thesi bosh që ke lënë akoma pa vjedhur.