Kuvendi zgjat vetëm 12 minuta Berisha: Frikacakë! Kapitulluat

448
Sigal

TIRANE – Seanca e sotme parlamentare, e para që nisi në orarin e përcaktuar (në orën 10:00) është mbyllur në një kohë rekord, prej vetëm 15 minutash. Ashtu siç ishte parashikuar seanca nisi me tensione me deputetët e opozitës që kanë kërkuar menjëherë largimin e kryeparlamentarit Ilir Meta.

Deputetët e PD kanë bllokuar edhe këtë radhë foltoren e Kuvendit, duke kërkuar dhe rënë tavolinave që kreu i Kuvendit Meta të dorëhiqet. Por kjo nuk e ka penguar kryeparlamentarin që të vijojë me rendin e ditës, duke shqyrtuar projektligjet dhe miratuar ato në vetëm 10 minuta seancë.

Por edhe pse seanca nisi në orarin e përcaktuar, kanë qenë sërish deputetët e opozitës ata të cilët kanë ardhur me vonesë, ku një pjesë e tyre me në krye ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili me mbërritjen e tij me 15 minuta me vonesë, humbi seancën.

Ora 10.24 Fufi: S’ka bërë vaki! Mazhoranca frikë nga revolta popullore
Deputeti demokrat Mhill Fufi i ka quajtur frikacakë deputetët e mazhorancës duke e argumentuar këtë me mbylljen në kohë rekord të seancës parlamentare.
“Ku ka bërë vaki, është hera e parë të mbyllet për 10 minuta. Ata janë frikacakë nuk janë burra, kanë frikë nga revolta popullore”, tha Fufi.  


Ora 10. 15 Berisha: 12 marsi fitorja e parë e qytetarëve, larguan mazhorancën nga Parlamenti
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur kapitullim të mazhorancës mbylljen e parlamentit në një kohë rekord, duke e vlerësuar në këndvështrimin e tij si frikë të mazhorancës për tu përballur me protestuesit. Skenari i opozitës për protestën e sotme ishte që deputetët të bllokonin punimet normale të Parlamentit ndërsa protestuesit të bllokonin hyrje-daljet e Kuvendit deri në dorëheqjen e Ilir Metës. Sipas Berishës, 12 marsi është fitorja e parë e qytetarëve, vrulli i të cilëve sipas Berishës, largoi mazhorancën nga Parlamenti.

“Në kompleksin e krimit mazhoranca firmosi kapitullimin mbylli parlamenti. Kjo është zgjidhja e tyre, 10 minuta mbyllën parlamentin ja mbathën nga frika. Para ky është një akt i pashembullt dhe nuk ka ndodhur në parlament burra si këta që ja mbathin nga protesta qytetare kundër krimit. Këta e mbyllën parlamentin, ky është akti i turpit, i kapitullimit por të ardhme nuk kanë. Kjo mazhorancë e udhëhequr nga krimi ka vetëm një alternativë: T’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme. PD-ja është parti e vlerave, është parti e parimeve demokratike, parimet janë më të forta se të gjitha mjetet e krimit të kësaj mazhorance, se të gjitha qelbësirat sipas tyre që i kanë futur në administratë, ndaj dhe sot qytetarët shqiptarë protestojnë paqësisht pa incidente dhe pa dallime partiake. 12 marsi shënon fitoren e parë të qytetarëve që me vrullin e tyre përzunë nga parlamenti mazhorancën. Një falenderim të madh për ta. Nëse nuk do të vërshonin ata, nëse këta nuk do të kishin marrë informacionet se Shqipëria është në Tiranë, sot këta do të vazhdonin qetë. Mjaftoi përkushtimi i madh i qytetarëve, që ata t’i përzënë nga aola e Parlamentit, kjo është fitorja e parë e madhe e qytetarëve”, u shpreh ish-kryeministri Berisha për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit.