Kuvendi merr sot në testim ministrat e Ramës

647
Zbulohet programi, Rama: Ndryshim kapilar në mekanizmin e shtetit
Presidenti Meta dekreton listën e ministrave, ndërsa kryeministri do të kërkojë sot votëbesimin. Ja pikat kryesore të qeverisjes 2017-2021 dhe cilët janë të zgjedhurit e mandatit të dytë
Kryeministri Edi Rama do të paraqitet sot në Kuvend për të shpallur programin e qeverisë së tij për mandatin e dytë, ndërsa dje Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar pa asnjë vonesë listën e plotë të ministrave. Në një mesazh gjatë ditës së djeshme, vetë ka shpjeguar edhe vendimet e para të ekzekutivit të ri, që pritet ta nisë zyrtarisht punën prej së mërkurës. “Do të kemi një qeveri të re në koalicion me njerëzit e zakonshëm. Do të marr fjalën në Kuvend për programin e qeverisë dhe menjëherë pas betimit, qeveria do të nisë menjëherë nga puna me mbledhjen e parë, që do të shpallë vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe vendosë lehtësimet e para nga barra e burokracisë për shpatullat e njerëzve të zakonshëm”, tha shefi i qeverisë. Rama risolli në kujtesë çështjen e certifikatave, ku Shqipëria prodhon 4.5 milionë të tilla në vit, ndërsa Italia vetëm 1 milionë. “Më shumë certifikata të prodhuara në vit sesa vetë popullsia jonë brenda dhe jashtë vendit. 4.5 mln radha në vit vetëm për të vërtetuar që ti ekziston. Me certifikatën do të nisë eliminimi i dhjetëra-mln udhëtimeve, radhëve dhe kontakteve me sportelet e zyrave të shtetit”, deklaroi ai. Rama tha se Qeveria e re është krijuar për të qenë një qeveri e qytetarëve në kuptimin më konkret të fjalës, ndërsa ndryshimi i strukturës së ekzekutivit, premton se do të shtrihet në gjithë mekanizmin e administratës. “Është fillimi i një procesi ndryshimi kapilar që do të shtrihet në gjithë mekanizmin e shtetit dhe do të lehtësojë jetën e çdo qytetari në marrëdhëniet me administratën, do të ulë korrupsionin dhe do të rrisë transparencën, do të fuqizojë ekonominë, rrisë sigurinë dhe përshpejtojnë ecurinë evropiane të vendit”, deklaroi ai.

Gjithashtu, kryeministri shprehu gjithashtu bindjen se Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit do të garantojë një bashkëjetesë të shëndetshme mes shumicës dhe pakicës në sallë. “Kemi zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin më me përvojë në Parlament, që pa pikë dyshimi do të jetë garant i bashkëjetesës mes shumicës dhe opozitës në sallë. Keqardhje për sulmet e baltës ndaj kryetarit të ri të Kuvendit, që janë jehonë e zbrazëtisë që kanë karakterizuar opozitën për vite të tëra fatkeqësisht. Koha do ta tregojë ndryshimin e cilësisë në drejtimin e kuvendit, që nuk do të jetë më klubi i ligjëratave pa rend dite dhe pa kufij etikë dhe kohorë, në një lumë fjalësh, sipas hesapeve partiake personale të ligjvënësve”, u shpreh ai.

Detajet e programit
Janë zbuluar disa nga pjesët e programit qeverisës 2017-2021, që do të lexohet nga kryeministri Rama paraditen e sotme në Kuvend. I ndarë në 4 kapituj, sipas burimeve të medies, programi nis me një bilanc të asaj çfarë është bërë gjatë mandatit të parë 4-vjeçar dhe me piketat kyçe të qeverisë “Rama 2”, e cila në qendër të vëmendjes ka zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi. Programi ka të detajuara strategjitë dhe objektivat në fushat kryesore, duke nisur nga ekonomia, pasi në këtë mandat të ri qeverisës synohet të thellohet rritja ekonomike 5.5-6%, ulja e borxhit publik nën nivelin 60%, rritja e punësimit, e pagave dhe e pensioneve, reduktimi i nivelit të varfërisë, reforma tërësore në sistemin e ujit të pijshëm, rilindja rurale, përmirësimi i arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës, nxitja e turizmit dhe ajo që ka qenë kryefjalë e fushatës zgjedhore: lehtësimi i shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen.

Pika e parë në programin qeverisës 2017-2021 është ekonomia, ku vendin kyç e zë paketa “Një miliard”, ku do të injektohen më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi. Sipas TCH, pjesë e saj është edhe programi për bujqësinë, mjedisin, infrastrukturën dhe transportin, ku ndër projektet prioritare të qeverisë renditen Korridori Adriatiko-Jonian, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, akset Fushë Krujë – Shkodër dhe Thumanë – Kashar, si dhe disa “bypass”-e. Turizmi shihet gjithashtu si prioritet për 4 vitet e ardhshme, ku qeveria synon të konsolidojë 4 destinacione turistike kombëtare: Alpet shqiptare, Jugu i ri, portet e marinat, si dhe Tirana.

Qeveria ka ndarë në disa shtylla kryesore fushën e drejtësisë, e cila nis me jetësimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa objektiv mbetet edhe rritja e performancës së Administratës Publike. Kryeministri ka thënë se, 2017-2021 do të jetë mandati i investimeve të mëdha në arsim, ndërsa programi për shëndetësinë dhe kujdesin social vjen nën moton “Shëndet për të gjithë”. Një tjetër kapitull i rëndësishëm, që përmbyll programin qeverisës, është ai i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Integrimit evropian dhe shqiptarët në botë. Përmes këtij programi synohet fillimi sa më parë i procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë, ku theksohet se shërbimi diplomatik do të jetë në pararojë të këtij procesi.
Përbërja e Këshillit të Ministrave:

1 – Edi Rama, Kryeministër
U lind në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me Linda Ramën dhe kanë tre fëmijë, Gregun, Rean dhe Zahon. Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë. Pas një largimi disavjeçar nga Shqipëria, Edi Rama hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998. Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Ai u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë. Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren e 23 qershorit 2013. Në krye të Partisë Socialiste, Rama fitoi edhe mandatin e dytë për të qeverisur vendin 2017-2021.

2 – Senida Mesi, Zëvendëskryeministre
U lind në Shkodër, më 16 Dhjetor 1977. Ajo është e martuar me Artanin dhe kanë 3 fëmijë, Erlind, Iris dhe Edan. Ka përfunduar në vitin 2009 Masterin Ekzekutiv në Frankfurt, Gjermani, për Financë dhe Bankë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000. Në vitin 2013 certifikohet Kontabël i Miratuar dhe në 2016 certifikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, financuar nga BE. Senida Mesi ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë Anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ajo ka një eksperiencë 17-vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik. Ka qenë administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme, si ato bankingut, burimeve njerëzore, administrimit, manaxhimit të riskut, kredidhënies, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjes, lidershipit, financave publike, qeverisjes vendore dhe zhvillimit ekonomik lokal. 

3 – Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Lindi në Shkodër, më 24 Mars 1977. Ai është i martuar me znj. Aida Bushati (Gugu). Ata kanë dy fëmijë, Hera dhe Martin. Bushati është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës në 2009-n dhe u rizgjodh sërish në të njëjtin qark në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 dhe ato të 25 qershorit 2017. Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian (2011-2013) dhe anëtar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri (2009-2013). Prej 2011, ai është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Bushati është diplomuar me medalje të artë nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999). Ai ka kryer studimet për Master në të Drejtën Ndërkombëtare Publike (LL.M.) në Universitetin e Leidenit, Holandë (2001). Bushati ka qenë përfitues i bursave të programeve të ndryshme të studimit dhe kërkimit si: TEMPUS, NUFFIC, Victor Felsom, Kokalis. Përpara përfshirjes në politikë, Bushati ka qenë aktivist i shoqërisë civile. Ai ka drejtuar Lëvizjen Evropiane në Shqipëri. 

4 – Olta Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes
U lind më 25 dhjetor 1979, është e martuar me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Artan Gaçi. Është deputete e Partisë Socialiste e zgjedhur në 3 legjislatura. Në legjislaturën e shkuar ishte anëtare e Komisionit parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master of Arts (MA), për Administrim Publik nga Clark University, në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2006 ka qenë hartuese projektesh për organizata joqeveritare në Amerikë, po ashtu ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile. Për disa vite ka qenë pedagoge e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Për pak javë në qeverinë e shkuar ka mbajtur postin e ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për t’u larguar pas firmosjes së marrëveshjes Rama-Basha. Përpara angazhimit në Partinë Socialiste, Xhaçka ka qenë pjesë e lëvizjes “Mjaft”. Gjithashtu, ajo është zgjedhur edhe në krye të Forumit të Gruas Socialiste. 

5 – Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm
U lind më 17 maj 1959. Prej disa legjislaturash është deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politiko – Juridike, dega Drejtësi. Gjithashtu ka kryer kualifikime brenda dhe jashtë vendit (Romë, Bruksel, Londër etj.) në periudha të ndryshme në fushat e konsulencës ligjore, menaxhimit dhe administratës publike. Ka një veprimtari profesionale të pasur në fushën e jurisprudencës. Në vitet 1982-1986 ka qenë jurist në sistemin e drejtësisë. Nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka kryer profesionin e lirë si jurist e avokat. Në veprimtarinë politike nga viti 1997 deri në vitin 1999 ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ka mbajtur postin e Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në harkun kohor shkurt-shtator 2002 dhe atë të ministrit të Drejtësisë në vitet 2003-2005. Ai shërbeu në legjislaturën e shkuar si kryetar i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe drejtues i Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi.

6 – Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë
U lind në qytetin e Gjirokastrës më 28 Qershor 1969. Ai është i martuar me znj. Albina Mançka, dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi. Eshtë deputet i Partisë Socialiste prej disa legjislaturash. Në karrierën e tij ka mbajtur funksione të rëndësishme si zv/ministër i Integrimit Evropian (2004-2005) dhe zv/ministër e Energjisë dhe Industrisë (2003-2004). Ka kryer funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Ka qenë përfaqësues i Qeverisë Shqiptare në procesin e negociatave me BE lidhur me MSA dhe Kryetar i Grupit Negociator me KE për Komunitetin e Energjisë. Në vitet 1992-1993, ka kryer funksionin e këshilltarit të Ministrit të Financave. Ai ka kryer studimet për Doktoraturë në Universitetin e Bukureshtit, gjatë viteve 2005-2009 dhe mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjitike. Ka kryer Studimet Master në Universitetin e Kentucky-t, SHBA, për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, diplomuar në vitin 1996. Ka kryer projekte kërkimore për Financë Ndërkombëtare dhe Tregje Financiare Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, SHBA (1999- 2000); Për Menaxhimin e Politikave Ekonomike Publike, në departamentin e Ekonomisë, në SHBA, si dhe për Menaxhimin e Konflikteve në Epokën e Teknologjisë së Informacionit, Athinë (2004).

7 – Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Lindi më 25 Maj 1972, në qytetin e Tiranës. Ai është i martuar me Rovena Gjiknurin (Agollin), me të cilën ka një djalë, Aleksin. Gjiknuri është i diplomuar në Drejtësi në vitin 1994, në Universitetin e Tiranës dhe zotëron gradën Master në Politikat Publike dhe Ligj të lëshuar nga “NPS School” të Monterey, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996). Ai ka kryer edhe disa studime pasuniversitare në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Gjenevë (2000) dhe të Drejtë Ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit, Holandë (1994). Gjiknuri është anëtar i Partisë Socialiste që nga viti 2005 dhe është zgjedhur Deputet në Qarkun e Elbasanit (Gramsh) në vitin 2009 dhe 2013. Në vitin 2017 kryesoi listën e Vlorës. Ai është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Sekretar për Çështjet Zgjedhore që nga viti 2011. Më parë, në vitin 2007 ai u zgjodh Nënsekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore dhe bashkëautor i Kodit Zgjedhor 2008.

8 – Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
U lind në Tiranë më 22 tetor 1965, është zgjedhur për një mandat të dytë si Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë, në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe më pas deputete e Partisë Socialiste, ku në zgjedhjet e fundit drejtoi listën e kandidatëve në qarkun e Lezhës. Ka përfunduar studimet e larta për matematikë në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës dhe ka kryer studimet master në Administrim. Ka punuar si mësuese matematike dhe drejtore gjimnazi në Tiranë, si dhe është bashkëautore e disa teksteve për ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm. Lindita Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Ajo ishte ministre e Arsimit dhe Sportit në qeverinë “Rama 1” dhe u largua nga detyra pas marrëveshjes së majit 2017 mes PS-së dhe PD-së. 

9 – Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë
U lind më 6 maj 1981. Kreu studimet e larta për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës për periudhën 1999–2003. Në vitin 2004 ka fituar titullin Avokate. Gjatë periudhës 2009-2011 ka ndjekur ciklin e studimeve pasuniversitare në shkenca penale në Fakultetin e Drejtësisë, duke marrë diplomën Master shkencor në Shkenca penale. Në vitin 2002 është punësuar pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH), ku punoi për 11 vjet. Gjatë angazhimit të saj në KSHH ka drejtuar gjithashtu dhe Klinikën ligjore pranë kësaj organizate. Në vitin 2014 u emërua si Komisionere në Avokatin e Popullit dhe më pas zv/ministre e Drejtësisë. Ka dhënë kontribut si eksperte e angazhuar nga organizata vendase dhe ndërkombëtare në një sërë raportesh dhe studimesh si Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të planeve të veprimit të Shqipërisë për procesin e integrimin; zbatimi i plan-veprimit të qeverisë për luftën ndaj korrupsionit; zbatimi i Rekomandimeve të Komisionit Evropian nga shteti Shqiptar 2008 – 2012; zbatimi i plan-veprimit të reformës në drejtësi 2011 – 2013, etj.

10 – Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Kulturës
Ka lindur në Tiranë, në vitin 1966. Ajo është e martuar me Aleksandër Furxhi dhe është nënë e dy fëmijëve, Sarës dhe Tomit. Ajo mban titullin Profesore e Asociuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë. Ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, në vitin 1988. Përpara zgjedhjes ministre në vitin 2013, nuk vinte nga radhët e politikës, por nga karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale. Kumbaro është përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare për projekte ndërkulturore.

11 – Niko Peleshi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
U lindur në Korçë, më 11 Nëntor 1970. Ai është i martuar me znj. Amarda Peleshi dhe kanë tre fëmijë, Aleksian, Stivin dhe Johanin. Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin Inxhinier Elektronik. Peleshi ka patur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës, si dhe në vitet 2001-2004, ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë. Karriera politike e Peleshit fillon në Tetor të 2004-ës, kur emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për rreth një vit. Në vitin 2005, zgjidhet kryetar i PS-së së Korçës. Në zgjedhjet lokale të Shkurtit 2007 zgjidhet kryetar Bashkie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe njëherë si Kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-s. Prej vitit 2012 është anëtar i Kryesisë së PS dhe gjatë mandatit të shkuar zëvendëskryeministërë. Në vitin 2013 zgjidhet anëtar me të drejta të plota i Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. 

12 – Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
U lind në Tiranë më 31 dhjetor 1978. Ajo është e martuar me z. Ermal Gjinaj, dhe është nënë e dy vajzave, Altea dhe Emili. Ajo mban titullin “Doktor i Shkencave”, në Kimi Analitike dhe Mjedis. Më herët, ajo ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku është diplomuar dhe ka marrë titullin “Master në Shkencë” në degën e Kimisë së Përgjithshme. Prej vitit 2009, është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë këtij Fakulteti. Ka shërbyer në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në vitin 2004, në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social. Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung, etj. Prej shtatorit 2013 deri në mars 2017, Manastirliu drejtoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe për disa muaj Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo është anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS-së.

13 – Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit
U lind në Tiranë më 17 janar 1971. Është diplomuar në fushën e Inxhinierisë Elektronike, në Fakultetin e Inxhinierisë, pranë Universitetit të Tiranës, ku më pas u angazhua si pedagog. Gjatë viteve 1994-1996 ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Sektorit në Qendrën e Studimeve të Projektimeve Elektronike. Në vitin 1996 ka shërbyer në Këshillin e Ministrave fillimisht pranë DAP dhe më tej si asistent i Kryeministrit. Veprimtaria politike e Klosit është e mjaft e pasur me angazhime si zëvendësministër i Pushtetit Lokal, kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Ministër i Shtetit gjatë periudhës 2002-2004 dhe Ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në vitin 2004-2005. Në vitin 2015-2017 ka mbajtur postin e Ministrit te Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Gjithashtu, ai është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe që nga viti 2005 mban pozicionin e Sekretarit Organizativ në këtë parti. Ka një angazhim të gjatë si deputet, përfaqësues i Grupi Parlamentar të Partisë Socialiste. Ka qenë edhe ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në mandatin e shkuar.

14 – Pandeli Majko, Ministër Shteti për Diasporën
U lind në vitin 1967 në Tiranë. Ai ka qenë student i Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe më pas ka zhvilluar një karrierë të gjatë politike. Ka qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1998-1999 dhe për një kohë të shkurtër (shkurt-korrik) gjatë vitit 2002. Në vitin 1999, ai humbi në garën për kreun e Partisë Socialiste. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Gjithashtu është diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Gjatë viteve 1992-1995 ishte kryetar të FRESH-it dhe për mandate deputet i PS-së në Kuvend. Gjatë viteve 1996-1997 ishte sekretar i Marrëdhënieve Publike të PS-së dhe në vitet 1997-1998 ishte sekretar i përgjithshëm i PS-së dhe kryetar i grupit parlamentar të PS-së. Nga korriku i vitit 2002 deri në shtator të vitit 2005 ishte Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e drejtuar nga Fatos Nano. Është ndër politikanët më me eksperiencë në grupin parlamentar të Partisë Socialiste. 

15 – Sonila Qato, Ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
U lind më 19 shtator 1977. Ka drejtuar Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe më parë ka qenë e angazhuar në bashkinë e Tiranës. Qato e drejtoi Agjencinë e Kthimit e Kompensimit të Pronave, e shndërruar më pas në ATP, prej tetorit 2013 dhe ishte ndër emërimet e para të qeverisë “Rama” pas fitores së mandatit qeverisës. Tashmë do të jetë në krye të një ministrie të re, të krijuar për mbrojtjen e sipërmarrjes. Ndërkohë, në planet e qeverisë është shkrirja e ATP-së dhe bashkimi i saj me institucione të tjera që trajtojnë problemet e pronësisë.
Sigal