“Kur njerëzit ndajnë një emocion të përbashkët ata krijojnë një komunitet”

879
Sigal

Regjisori Joni Shanaj: “Besoj në art, letërsi apo kinema, që sado e thjesht të jetë në dukje, të gjenerojnë mendim, por edhe emocion”

Filmi artistik “Pharmakon” përbën ngjarjen më të rëndësishme të kinematografisë sonë të këtij viti, por e veçanta e këtij filmi. është se regjisori i ri Joni Shanaj dëshmon se është një trashëgues edhe artistik i personalitetit të kinematografisë shqiptare, Mevlan Shanaj. Regjisori Joni Shanaj në intervistën për “Telegraf” për herë të parë rrëfen botën e tij, raportet me prindërit, me  kinematografinë. Zotohet, që ai që do të konkretizojë ndërtimin e një Biblioteke, gjëja që i mungon jo vetëm qytetit, por edhe kombit tonë, do t’i kushtojë një film, si për ta vlerësuar moralisht për kontributin që do të japë në thesarin e pasurimit shpirtëror të popullit.

– Filmi artistik  “Pharmakon” është për ju regjisura e parë. Ky film shënon për ju startin e një karriere të dëshiruar? Dhe,  me pak fjalë, çfarë mësuat ju nga filmi juaj i parë?

– Jeta ime është e lidhur me filmin dhe me antropologjinë sociale, dy fusha ku kam vite që investoj kohën, veten dhe atë që nuk kthehet më, rininë time. Jam 35 vjeç sot dhe nuk mund të quhem më i ri në këtë fushë. Përpara Pharmakon jam autor i filmit dokumentar ‘Ivi Tirana Punk’ dhe një libri me tregime e poezi të titulluar ‘ë’. Isha i vetëdijshëm që realizimi i një filmi të metrazhit të plotë do të sillte më tepër vëmendje se punët e mëparshme. Shpresoj që me këtë punë të fundit, të kem dhënë diçka me vlerë për këdo që di të shohë, e dëshiron ende të kërkojë. Megjithatë, këto ditë të para të daljes së filmit në jetë, kam mësuar shumë nga reagimi i një grupi shumë të vyer njerëzish, të njohur e të panjohur më parë, të cilët i njoh tashmë si miq shpirtërorë. Ka momente në jetë kur është e rëndësishme të mos ndihesh i vetmuar. Tashmë jam i sigurt se puna vlen, dhe se përpjekjet tona, të secilit në fushën e tij,  nuk janë të kota. Kjo është dhe arsyeja bazë pse në merremi me gjerat që merremi, nuk duhet harruar kjo. Duhet të luftojmë, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të shprehim solidaritet me punën e kujtdo që na zgjon diçka, kjo është e rëndësishme. Ndoshta vetëm kështu do të mund të bëjmë të banueshëm këtë vend.

– Risia e regjisurës tuaj në filmin “Pharmakon” është se shikuesi “udhëton” me ngjarjen, duke u bërë pjesë e skenarit, ku  flet më shumë pamja, sesa fjala. Cila zgjidhje artistike (arsye) ju shtyu juve në këtë gjetje?

– Unë besoj në një kinema, e cila krijon një hapësirë të sajën në realitet. Ajo ndoshta mund ta reflektojë atë, por mbetet një pasqyrë subjektive dhe objektive njëkohësisht. Kinemaja është unike në llojin e saj. Njeriu, thotë Feuerbach, e sheh natyrën e tij jashtë vetes si fillim, për ta zbuluar atë më pas, brenda tij. Unë besoj në një art, letërsi apo kinema, që sado thjeshtë të jetë në dukje, të gjenerojnë mendim, por edhe emocion pasi këto të dyja janë shumë të lidhura me njëra- tjetrën. Kur njerëzit ndajnë një emocion të përbashkët ata krijojnë një komunitet dhe kjo është tepër e rëndësishme në kohën tonë.

– Spektatori e përjeton ngjarjen e “Pharmakon” sikur të jetë personazhi i tij, ngaqë  subjekti i filmit është grimë e të përditshmes të jetës së vet. Filmi “Pharmakon” a mund të dëshmojë që  për regjisurën, si për çdo krijim, nuk luajnë rol temat e mëdha që të realizosh një krijimtari cilësore?

– Jam dakord me observimin tuaj të vëmendshëm. Ndoshta ngjarjet “e vogla” kanë më shumë për të thënë për jetën në përgjithësi. Nga ana tjetër ngjarjet “e vogla” janë ato që mbushin dhe përbëjnë jetë e jo heroizmat e mëdha. Sidoqoftë kur vjen puna tek ngjarjet e mëdha  historike kam frikë se në thelb ne asnjëherë nuk e dimë saktësisht se si kanë ndodhur. Ngjarjet historike janë në vetvete fiksione të vazhdueshme. Mund t’i hysh një fiksioni dhe të krijosh një fiksion tjetër mbi të, është vërtet shumë interesante kjo. Megjithatë, unë nuk besoj në këtë  mënyrë kategorike. Nuk mendoj se për të realizuar krijimtari cilësore ka tema të caktuara. Mendoj se, çdo temë mund të preket por rëndësi ka përqasja dhe sa i vërtetë e i sinqertë është autori me veprën dhe veten e tij.

– Epilogu tragjik i dy personazheve kryesorë të “Pharmakon”, është një përjashtim nga ajo finale e lumtur që jemi mësuar te kinematografia deri më sot. Mos kjo zgjedhje ka të bëjë me ndonjë konceptim të ri që ju keni? Apo është një gjetje rastësore e skenarit?

– Për realitetin shqiptar që jetojmë është vështirë të bësh një finale të lumtur. Kam përshtypjen se në kinemanë shqiptare të këtyre viteve nuk ka patur më funde të lumtura. Unë nuk kam film pesimist, nuk e shoh të tillë. “Pharmakon” është një film që kërkon të evokojë atë çfarë mund të vijë. Atë çfarë mund të bëhet ndryshe. Çfarë nuk është dhe mungon. Unë shpresoj si çdo shqiptar tjetër, që realiteti ynë të ketë një vazhdimësi dhe uroj jo finale, sa më të lumtur. Finale të lumtur nuk e di a mund të ketë. Mendoj se, lumturia është çështje shumë individuale për tu zgjidhur dhe nuk ka lidhje me ato që të thonë përrallat, kinemaja apo bota e reklamave. Më duket se filmat që mbarojnë me funde të lumtura sponsorizohen nga industria e atyre që duan të shesin ndonjë gjë tjetër përveç filmit.

– Dëshira e regjisurës te ju lindi spontane, apo jeni ndikuar edhe nga babai juaj, aktori dhe regjisori i shquar shqiptar Mevlan Shanaj?

– Do ishte vetëmashtrim të mos isha koshient për ndikimin e prindërve, jo vetëm të Mevlanit, por edhe të Natasha Lakos nënës time. Ky ndikim si çdo ndikim tjetër është direkt dhe indirekt. Shpresoj mos më kenë larë trurin plotësisht dhe të ketë diku edhe pak zgjedhje timen personale. Kjo pyetje më vendos gjithmonë në dilema të thella ekzistenciale dhe më vjen për të qeshur kur e dëgjoj, por nuk e kam për të keq pasi e kuptoj që edhe ju e bëni me të drejtë. Nuk zgjidhet kollaj kjo pyetje.

– Po të mos i kushtoheshit regjisurës, çfarë  profesioni do t’ju pëlqente të merreshit?

– Unë jam antropolog, e kam zgjedhur profesionin tim përveç regjisurës. Do të kisha dëshirë t’i kombinoja të dyja në të ardhmen dhe ekziston prej dekadash një disiplinë e tillë. Nuk e di, por mbetet për t’u provuar edhe tek ne.

– Sa e vështirë është për ju të mbartni këtë trashëgimi familjare në afirmimin tuaj personal?

-U thashë këto janë pyetje shumë të vështira që nuk zgjidhen me një përgjigje të thjeshtë. Thjesht duke qenë se kam dy prindër mjaft aktivë në fushat e tyre, do të preferoja që të përmendeshin të dy njësoj në pyetje si nëna dhe babai.

– Në një kinematografi bashkëkohore, a janë të kapërcyer konceptimet e deritanishme në ato që quajmë role pozitivë e role negativë?

– Është e vërtetë që ka një tendencë relativizmi në kinemanë e sotme. Sidoqoftë nuk besoj se ka ndryshuar roli pozitiv apo negativ por ndoshta perceptimi se çfarë është negative dhe pozitive. Kjo është një përgjigje që duhet ta japë vetë publiku dhe kjo mbetet në fund çfarë është më interesante në një spektër më të gjerë. Gjithçka është e lidhur kulturalisht me kulturën ku ndodh dhe zhvillohet ngjarja, nga vjen autori dhe publikun që e ndjek. Kush është pozitiv dhe kush është negativ në jetën që na rrethon? Më lejoni ta përfundoj këtë intervistë me këtë pyetje dhe   faleminderit për intervistën.

– Edhe unë ju falënderoj!