Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi: Pas sulmeve në veri do hynte ushtria serbe. Duan të ndajnë Kosovën

44

“Biserko tha se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt në mënyrë të atillë që më pas ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe më pas të ndahej Kosova”

Sigal


Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Serbisë, Sonja Biserko në një intervistë për CDM “Cafe del Montenegro” ka deklaruar se sulmi i grupeve të armatosura serbe në Banjskë në veri të Kosovës ishte një gjë e pritshme duke pasur parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit. Gjatë intervistës Biserko tha se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt në mënyrë të atillë që më pas ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe më pas të ndahej Kosova. Sipas saj,  ky është një opsion që mbështetet pothuajse nga e gjithë elita politike dhe akademike, shërbimet, ushtria, një pjesë e madhe e sektorit civil dhe sipas raportimeve edhe media. “Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar vijën e kuqe që Perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”. Vuçiç po përpiqet të mbrohet dhe t’ia kalojë përgjegjësinë serbëve të Kosovës, të cilët gjithsesi janë pengjet e tij, duke pretenduar se ai nuk e kontrollon Kosovën – të gjitha informacionet tregojnë se Beogradi ishte i implikuar. “Nëse Vuçiç, i cili pretendon se nuk e dinte se çfarë po ndodhte, atëherë lind pyetja se kush është figura kryesore në Beograd. Hetimi konfirmon se bëhet fjalë për një grup të pajisur mirë (tanket luftarake i përkasin Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe arsenal armësh, sipas vlerësimeve, për 200 persona) dhe grup i stërvitur i drejtuar nga Radoiçiç, i cili është vendosur nën sanksione nga amerikanët. Mësohet se ai është i plagosur dhe ndodhet në VMA. Identiteti i të arrestuarve ende nuk është bërë i ditur, por ka të ngjarë, siç bëjnë me dije disa analistë, që shumë prej tyre të kenë qenë edhe në fushën e betejës ukrainase në anën ruse”, tha Biserko.

“Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”

Rusia po godet Ballkanin

Sipas saj, Rusia sigurisht që ka një interes për të goditur Ballkanin dhe për të krijuar tensione dhe hapjen e pikave kritike në mënyrë që të shpërqendrojë ose të largojë një pjesë të vëmendjes nga Ukraina. “Është indikativë”, thekson ajo, se të nesërmen Vuçiç ka pritur ambasadorin rus për t’u ankuar se Kurti po përgatiste “spastrimin etnik të serbëve”. “KPS-ja reagoi menjëherë me një deklaratë të Dioqezës së Rashko-Prizrenit dhe ishte e para që tregoi publikisht se një grup i panjohur dhe i maskuar hynë në oborrin e kishës në Banjskë”, thotë Biserko. Sipas saj komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu përgjegjës për tolerimin e sjelljes së presidentit Vuçiç dhe kërcënimeve të tij të përditshme ndaj fqinjëve, të cilat pashmangshmërisht çuan në konflikt për një kohë të gjatë. “Beogradi e kuptonte shumë mirë politikën e zbutur të Perëndimit e cila në thelb favorizon Serbinë si një lojtar rajonal në dëm të fqinjëve të saj më të vegjël dhe përfaqëson një burim afatgjatë tensioni në rajon për shkak të aspiratave të Beogradit. Mirëpo, kjo politikë nuk e ka motivuar dhe ndoshta nuk do ta motivojë Serbinë që të kthehet drejt Perëndimit. Sepse Serbia nuk e ka pranuar realitetin e ri në rajon, as kufijtë e njohur ndërkombëtarisht”, thotë ajo.

Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë Kosovën
Biserko paralajmëron se sulmi i grupeve të armatosura serbe në veri të Kosovës është një tregues serioz se në cilin drejtim mund të shkojnë gjërat dhe që mund të përsëriten nëse nuk rivendoset politika perëndimore në Ballkan. “SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta detyrojnë Serbinë që të pastrohet për të ardhmen e saj dhe në këtë kuptim të kërkojnë me vendosmëri zbatimin e kërkesave tashmë të parashtruara – sanksionet ndaj Rusisë dhe njohja e Kosovës”, tha Biserko në intervistën e dhënë për Cafe del Montenegro.