Partia Socialiste shton në listë edhe parti që nuk ishin në sallë, për të manipuluar opinionin
25 partitë bëhen vagonët e trenit të qymyrit të Rilindjes
Jakup B. GJOÇA
Partia Socialiste i braktisi aleatët e vet, që në zgjedhjet e 2017-s, kur nuk pranoi të bënte koalicion elektoral. Edhe në zgjedhjet parlamentare të 2013-s Edi Rama, asokohe, kryetari i Opozitës së Majtë, i përdori partitë aleate si vagonë zhavorri të trenit të Rilindjes, për t’u vjelë votat, kur dihet që sistemi elektoral e favorizon partinë e parë të koalicionit elektoral, sepse kjo parti përfiton të gjitha votat e partive të tjera aleate, kur ato nuk arrijnë dot të fitojnë ndonjë mandat të deputetëve.
Partitë “aleate” u ftuan për dekorin politik të Rilindjes
Edi Rama, që kur ishte kryetar i PS në opozitë, ka pasur qëllimin që të shkatërrojë të gjitha partitë e spektrit të Majtë, që t’u merrte elektoratin. Këtij qëllimi i shërbeu ndryshimi i sistemit elektoral në 2008, ndërkohë, që Edi Rama asnjëherë nuk ka respektuar marrëveshjet elektorale me partitë e koalicionit. Tipik është marrëveshja që bëri në 2013-n, ku u premtoi partive aleate pjesëmarrje në qeverisjen e Majtë, në bazë të kontributit elektoral të secilës parti. Mirëpo, sa fitoi pushtetin, kryeministri Rama i braktisi aleatët, nuk respektoi aspak marrëveshjen elektorale, me përjashtime, ku u dha poste qeveritare disa individëve të partive. Dje, PS-ja e ndodhur përballë akuzave për vjedhjen e votave në 2017-n, dhe me dështimin e plotë të reformës zgjedhore, mblodhi në një tryezë partitë e ashtuquajtura të koalicionit të Majtë. Spekulimi politik i PS-së është se në listat që u publikuan në komunikatën e pastakimit, u renditën edhe parti politike, të cilat nuk morën pjesë në takim, nuk kishin asnjë informacion, ftesë qoftë edhe formale nga PS-ja për takimin. Kështu, siç pamë edhe nga pamjet e kufizuara të reportazheve televizive të regjisë së ERTV-së që kontrollohet nga Edi Rama, mungonin Gaqo Apostoli, LDSH, por edhe parti të tjera. I kontaktuar nga gazeta “Telegraf” një kryetar i partisë, emri i së cilës është në komunikatën e PS-së, tha se nuk mori pjesë në atë takim, sepse partia e tij, por edhe disa parti të tjera, që nuk ishin në atë takim, por që emrat e tyre figurojnë në listën e shpallur nga PS-ja, nuk duan të nxihen nga “zifti” i vagonëve të qymyrit të trenit të Rilindjes. Sa për komunikatën e vetëshpallur në emër të 26 partive të Majta, kryetari i partisë pohoi për gazetën “Telegraf” se teksti është spekulim politik, i diktuar nga PS-ja dhe nuk përmbush aspak kërkesat e partive të tjera, sikurse është ndryshimi i Sistemit Elektoral aktual, i cili i mohon elektoratit të zgjedhë ai me votën e tij përfaqësuesit në parlament. Para 2 dite Paskal Milo deklaroi se ai dhe partia e tij PDS-ja janë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor aktual, ndërsa në komunikatë duket sikur Milo pajtohet me tekstin e diktuar nga Taulant Balla, që 26 partitë politike nuk duan këtë sistem elektoral aktual. Gjinushi është kryetari i Komisionit për Reformimin e Akademisë së Shkencave dhe nuk ka sesi të ishte i pranishëm në atë takim të partive të koalicionit. Edhe ky fakt është një spekulim politik nga PS-ja, provë që partitë e koalicionit i ka vagonë të qymyrit politik të trenit të Rilindjes.
Lista e partive pjesëmarrëse, e publikuar në komunikatën e PS-së
Në listën e publikuar nga ai takim i partive të koalicionit të Majtë, janë 26 parti politike, por, siç e përmendëm edhe më lart, disa parti nuk morën pjesë, nuk u ftuan, ndërsa emrat e tyre janë shtuar në këtë listë, thjesht për të spekuluar. Ja lista e partive: Partia Socialiste, Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Aleanca Popullore, Partia Socialiste e Moderuar, Aleanca Demokratike, Partia e Gjelbër, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia G99, Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Partia Ardhmëria Shqiptare, Partia Për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Partia Socialpunëtore e Shqipërisë, Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Partia e të Drejtave të Mohuara, Aleanca për Barazi e Drejtësi Evropiane, Partia e Punës së Shqipërisë, Partia Komuniste e Shqipërisë – 8 Nëntori, Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet, Partia Kristiandemokrate, Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, Partia e Çështjeve Shqiptare, Partia Demokracia e Re Evropiane, Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, Partia Fronti i Majtë.




















