Kryesia e PD: Ngrihet grupi i auditimit për financimin rus të Bashës

53
Sigal

Partia Demokratike është e vendosur për të audituar skandalin e lobimit të ish-Kryetarit Lulzim Basha me donacione me origjinë ruse. Kështu, Kryesia vendosi që të ngrejë një grup pune (auditimi) për çështjen e financimeve ruse në PD. Kryetare e grupit të auditimit do të jetë Ledina Mandia, Sekretare për Transparencën.

Vetëm tri ditë më parë, më 23 shtator, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e theksoi në konferencën e shtypit se “auditi i PD-së do të fillojë punë shumë shpejt” lidhur me origjinën ruse të financimit të Bashës.

“Auditi do të fillojë shpejt punën. Unë u shpjegova se kanë marrë çdo gjë me vete. Edhe hard disqet edhe çdo gjë. Pavarësisht kësaj, ne do bëjmë punën. Ajo që kam unë, dëshmi dhe dokument, nga hetimi i prokurorisë dhe dëshmitë që kanë dhënë Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, del se asnjë qindarkë nuk ka hyrë dhe ka dalë në arkën e PD.

Në këtë kontekst, unë e quaj veprim të papërgjegjshëm personal të Lulzim Bashës. Se i tillë është. Ne do bëjmë të pamundurën për atë që hetim që mund të bëjmë. Tjetrën natyrisht e bllokon Edi Rama,” tha Berisha.

“Mos harroni deklaratën që bëri Edi Rama se ai e dinte që paratë e Lulzim Bashës ishin ruse. Po nëse e dije, si ndërhyre në gjykatë ti për ta nxjerrë të pafajshëm? Nga kush e mori urdhrin ky? Edhe sot i them Lul Bashës: mos kujto se mbyllet ky problem. Do dalësh të deklarosh dhe t’u thuash shqiptarëve që tani se ka një raport me të dhëna konkrete për mbledhjen e fondeve, mos mendoni se kalohet me mbrojtjen që i bën Edi Rama”, nënvizoi Berisha të premten.

Rikujtojmë se emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së. Këto hetime janë bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Një raport i komunitetit amerikan të zbulimit zbuloi se Shqipëria është financuar nga Rusia përmes një kompanie fantazëm. Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa. Një shumë totale prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017. Ajo është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh. Dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa. Ato thanë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash. Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi. Respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.