Kryeprokurorja, “kurbani” politik i maxhorancës

365
Sigal

 Ekspertë juridikë thonë se mandati i Prokurores së Përgjithshme skadon në qershor 2-13, PD-ja kërkon ta zëvendësojë në nëntor 2012

 Maxhoranca, pas zgjedhjes të Presidentit, herë pas here ka përsëritur se mandati i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, skadon në nëntor të 2012-s, duke e llogaritur afatin e mandatit të saj me kohëzgjedhjen. Madje, për t’i paraprirë çdo debati që mund të zhvillohet për kandidaturën e mundshme të Kryeprokurorit të ri, nga  shumë drejtues të PD-së është thënë që kandidatura e re e Kryeprokurorit është kompetencë e Presidentit. Me fjalë të tjera, maxhoranca u përgjigjet atyre zërave që u dëgjuan, që  kandidatura e Prokurorit të Përgjithshëm, të zgjidhet me votim të cilësuar. Mirëpo afati i mandatit të Prokurores së Përgjithshme, Ian Rama, siç duket do të kthehet në një polemikë politike. Shumë konstitucionalë janë shprehur që mandati i Kryeprokurores Ina Rama skadon në qershor të 2013-s, kur mbaron 5-vjeçari nga hyrja në fuqi e ligjit të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. Kështu  Spiro Peçi, këshilltari ligjor i ish-Presidentit, Bamir Topi që emëroi Ina Ramën në detyrën e Prokurores së Përgjithshme 5 vite më parë, u shpreh se mandati i saj në krye të organit të akuzës përfundon në maj të vitit të ardhshëm. Sipas Peçit, çdo veprim tjetër për largimin nga detyra të Ina Ramës në nëntor të këtij viti do të ishte i kundraligjshëm. Ai sqaroi se në këtë rast do të bëhej fjalë për shkarkim, e për një hap të tillë, maxhorancës sipas ish-ministrit të Drejtësisë, i duhet të faktojë shkeljet e Ramës. Maxhoranca edhe mund të ndërmarrë aksionin e zëvendësimit të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama në nëntor të 2012-s, mirëpo, kjo mund të ketë pasoja, në qoftë se vetë Ina Rama do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ankimimi i Ina Ramës në Gjykatën Kushtetuese, nuk mund të bëhet pa dalë vendimi i largimit të saj, sepse pa këtë vendim largimi, nuk janë cenuar marrëdhëniet e punës që ajo ka në bazë të Kushtetutës para 2008-s. Në kësi rastesh,vendimi i Gjykatës Kushtetuese po të jetë pozitive për Ina Ramën ( supozojmë), atëherë, personi që është emëruar Kryeprokuror në nëntor 2012-ë, mund të lërohet nga detyra”. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka patur përherë mbështetjen e përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë dhe sidomos të ambasadorit amerikan, zotit Arvizu. Shprehje e kësaj mbështetjeje ishte edhe takimi që zhvilloi me Kryeprokuroren Ina Rama edhe zëvendëssekretari i Departamentit të Shtetit Philip Reeker. Dje, ambasadori i OSBE-s në Tiranë, Wollfarth u takua me Ina Ramën dhe në deklaratën publike, pas këtij takimi theksoi se mandati i Kryeprokurores mbaron në qershor 2013, duke përcjellë mesazhin te PD-ja, që të tërhiqet në nismën e saj për largimin e Ina Ramës në nëntor 2012. Një skenar i mundshëm nëse ajo arrin të qëndrojë në detyrë deri në maj të 2013-s, është shpërndarja e Parlamentit në këtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, e si rrjedhojë, zëvendësimi i saj i mbetet detyrë në shtator Parlamentit të ri të dalë nga këto zgjedhje