Qeveria me heshtjen ligjore ndaj mashtrimeve të CEZ-i, e inkurajon të abuzojë më shumë

548
Sigal

ZMK, 7 aksione ligjore ndaj CEZ për 12 vjedhje ndaj konsumatorëve dhe evazion fiskal

ZMK inicon 7 aksione ligjore ndaj CEZ për 12 vjedhje ndaj konsumatorëve shqiptarë dhe evazion fiskal ndaj shtetit shqiptar. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve proteston ndaj CEZ për abuzimet e rënda dhe në rritje ndaj konsumatorëve shqiptarë. CEZ përfaqëson një kompani kampion në abuzimet me paratë dhe standardet e ulëta që ajo ofron për konsumatorin shqiptar. Nga një anë CEZ mbifaturon konsumatorët e rregullt dhe nga ana tjetër energjia që ofron është jashtë çdo standardi megjithë faturat e mbishtuara. Ndërprerjet e energjisë dhe luhatjet e tensionit tregojnë se në ç’nivel janë investimet e pakryera të CEZ. Në pikat e kontratës së privatizimit të CEZ një nga kushtet kryesore që lidhej me rivitalizimin e sektorit të shërndarjes ishin edhe investimet të cilat CEZ nuk i kreu kurrë. Banka Botërore e cila duhet të garntojë këtë privatizim, si gjithmonë në rastet e tjera, ndihmoi CEZ me qëllim rritjen e shkallës së abuzimit me konsumatorët dhe mbulimit të mosinvestimeve duke treguar qartas se kush është roli i Bankës Botërore në Shqipëri: dëmtimi i vazhdueshëm i interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe favorizimi i kompanive të mëdha privatizuese. Të njëjtën gjë ka kryer Banka Botërore së bashku me UNDP duke shkatërruar sistemin e ankesave të konsumatorëve të energjisë dhe për këtë ZMK disponon fakte me abuzimet që kanë bërë me 2.1 milionë USD. Kushtet e CEZ për investime janë mbuluar gjithmonë nga Enti Rregullator i Energjisë dhe vetëm pak kohë më parë, u miratua një shtyrje e afatit të investimeve duke favorizuar dikë që nuk toleron asnjë vonesë ndaj konsumatorëve familjarë. Një nga avantazhet më të mëdha të zërit të investimeve nga CEZ do të ishte pikërisht përmirësimi i sistemit të kontrollit të shpërndarjes së energjisë për konsumatorin e thjeshtë në mënyrë që ai që paguan të ketë energji dhe ai që nuk paguan të mos ketë. Njësoj si në kohën e paraprivatizimit, CEZ aty ku sheh ku nuk ka pagesa të rregullta energjie i bie shkurt dhe ia pret energjinë të gjithë zonës duke penalizuar në mënyrë absurde konsumatorin e rregullt. Pikërisht mungesa e investimeve në sektorin e shpërndarjes, mungesa e futjes së kartave të parapaguara, pushimi masiv nga puna të forcës punëtore, e cila mirëmbante rrjetin, reduktimi i pikave të pagesave të faturave pranë zonave të banimit, mungesa e një sistemi kontrolli dixhital të tensionit dhe cilësive të tjera që duhet të ketë energjia, e ka kthyer CEZ-in në një gërmadhë të ish- OSSH, ku çekët sillen si me një thes të madh që mblidh ç’të mbledhësh dhe ço në Çeki ç’të munden pa kryer detyrimet minimale. Dhe një ndër absurdet më tipike të CEZ është edhe praktika mashtruese që ai përdor për të rritur artificialisht humbjet duke krijuar një sistem të mbledhjes së të ardhurave krejtësisht të papranueshëm për standardet e një kompanie të madhe. Para pak kohësh CEZ ka shpikur një hartë të mospagesave , e cila është thjesht mashtrimi i radhës. Nëse do të vlerësohej modeli i pagesave të konsumatorëve është shumë e lehtë të konstatosh se pagesat që kryejnë konsumatorët nuk lë asnjë gjurmë në mbikëqyrjen shtetërore pasi njerëzit paguajnë dhe nuk marrin asnjë kupon tatimor për pagesën e kryer dhe shteti nuk është në gjendje të masë sa është realisht pagesa e energjisë. Shteti shqiptar nuk ka mundësi të sigurojë një listë të konsumatorëve me praktikën mujore të kryerjes së pagesave për të matur realisht sa është e ardhura e vërtetë e CEZ dhe sa është humbja e saj. CEZ deklaron aq të ardhura sa ajo do dhe askush s’mund të kryejë asnjë verifikim. Një pjesë e konsumatorëve janë fiktivë dhe ata nuk ekzistojnë dhe nuk konsumojnë asnjë kilovat energji, por CEZ-i ka shpikur një armatë të tyre, të cilët i përdor për rritjen artificiale të humbjeve me qëllim evazionin fiskal. Humbjet e deklaruara të CEZ në çdo hetim do të vërtetonin kryerjen e një krimi penal shumë të rëndë me evazion fiskal jashtë çdo përmase të dëgjuar ndonjëherë. Por CEZ e ka mbrojtur sistemin e saj pikërisht me krijimin e një sistemi informal të thithjes së të ardhurave. Askush s’mund të kryejë një pasqyrë përmbledhëse të të ardhurave mujore të CEZ pasi sistemi është i tillë që nëse konstaton të ardhurat në një pjesë të sistemit pjesa tjetër mbetet në errësirë.

Nesër do lexoni:

Mbifaturimi nëpërmjet aparateve matës të paligjshëm.

Praktikat financiare të lidhjes së kontratave të energjisë me shuma marramendëse dhe absurde.