Kryeprokurori i ri, 105 ditë pas ngritjes së KLP-së

633
Zbulohen procedurat dhe afatet për zgjedhjen e drejtuesit me mandat të plotë të organit të akuzës. Vonesat dhe pse rruga është ende e gjatë
Caktimi i Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në fund të dhjetorit ndeshi në kundërshtimin e opozitës, ndërsa u prezantua nga mazhoranca si një zgjedhje e përkohshme. Në debatin politik dhe parlamentar, përfaqësuesit e shumicës mbështetën idenë se qëndrimi i pasuese së Adriatik Llallës në atë detyrë do të ishte i shkurtër, pasi procedurat e përcaktuara në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse do të mundësonin zgjedhjen e një kryeprokurori me mandat të plotë 7-vjeçar. Nga ana e saj, opozita propozoi ndryshim të Kushtetutës dhe ligjit të prokurorisë për ta futur, sipas saj, procesin në shtrat ligjor. PD dhe LSI u shprehën kundër procedurës së ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm, ndërsa kërkuan që personi që do të drejtojë organin e akuzës t’i nënshtrohej vetingut. 

Afatet
Por pavarësisht planeve apo parashikimeve të funddhjetorit, afatet kohore duket se do të zgjasin. Tashmë prej dy muajsh në krye të organit të akuzës, Arta Marku do të vijojë të udhëheqë prokurorinë të paktën edhe për të paktën 4 muaj të tjerë. Besmir Beja, ekspert i mazhorancës në Këshillin për Legjislacionin, shpjegoi afatet që nevojiten për të “prodhuar” një drejtues të ri prokurorisë. Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, duke diskutuar nismën e opozitës për rishikimin e pikës 13 të nenit 179 të Kushtetutës, eksperti Beja shpjegoi se do të nevojiten në tërësi rreth 100 ditë, pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të pasur një kryeprokuror me mandat të plotë 7-vjeçar. “Me ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shpallet menjëherë vakanca e pozicionit të Prokurorit të Përgjithshëm, e cila qëndron e hapur për 30 ditë dhe 45 ditë janë të nevojshme për verifikimin e përmbushjes së kritereve dhe renditjen e kandidatëve. Raporti i dërgohet menjëherë Kuvendit, i cili brenda 30 ditëve zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm. Në vlerësimin tim, më shpejt zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm nga KLP-ja, se sa do jenë efektive dispozitat e propozuara për ndryshime kushtetuese”, u shpreh Besmir Beja ekspert i mazhorancës. Pra në total do të jenë të nevojshëm mbi 3 muaj për të zgjedhur një kryeprokuror. Megjithatë, e gjithë kjo llogaritje do të nisë vetëm pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që ende mbetet në përpjekje për t’u formuar. Kuvendi ka përcaktuar me short 5 anëtarët joprokurorë të këtij Këshilli, por që ai të nisë punën janë të nevojshëm edhe 6 anëtarët nga radhët e prokurorët. Kandidatët, të cilët kanë shprehur interes për të qenë pjesë e KLP-së ndodhen në procesin e vetingut dhe vetëm më pas do të bëhet e mundur mbledhja e konferencës së prokurorëve për të votuar 6 emra. Ata do të plotësojnë skuadrën me 11 “lojtarë” që do të zbresë në fushën e lojës për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm. Roli i KLP-së në zgjedhjen e kryeprokurorit është shumë i rëndësishëm, pasi ky organ do të bëjë renditjen e kandidatëve për t’i dërguar Kuvendit 3 emrat më të pëlqyer. Në rast se Kuvendi nuk do të arrijë të bashkojë votat e mazhorancës dhe opozitës për një kandidat, atëherë emri i vendosur i pari në renditjen e KLP-së do të nisë mandatin 7-vjeçar si Prokuror i Përgjithshëm. 

Kundërshtimi
Opozita vlerësoi se në kushtet kur afati për ngritjen e KLP-së nuk është respektuar dhe ndërkohë mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka përfunduar, është e domosdoshme që në Kushtetutë të parashikohet një rregull tranzitor sesi duhet të veprohet në këtë rast, për shkak se jemi përpara një boshllëku kushtetues. “Kuvendi sipas Kushtetutës në fuqi dhe të detyrueshme për zbatim, nuk është organi kompetent për të emëruar i vetëm Prokurorin e Përgjithshëm, qoftë edhe për një periudhë tranzitore, për shkak se nuk e ka pasur këtë kompetencë përpara ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 (të drejtë të cilën e ka pasur Presidenti i Republikës, në bashkëveprim me Kuvendin), dhe nuk e ka këtë të drejtë edhe pas ndryshimeve kushtetuese (këtë të drejtë e ka KLP, në bashkëveprim me Kuvendin). Ligji nuk mund të anashkalojë parashikimet kushtetuese në fuqi dhe t’i njohë Kuvendit një kompetencë që Kushtetuta, jo vetëm nuk ia ka njohur, por përkundrazi ia njeh shprehimisht një organi tjetër kushtetues, i cili është fakt që nuk është ngritur ende”, argumentojnë ekspertët e opozitës. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj është shprehur se parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese.

Sigal