Kryeministri Edi Rama thotë se të gjithë anëtarët e NATO-s duhet të njohin përgjegjësinë e tyre, sa i përket çështjes së strehimit të afganëve.
Shefi i qeverisë shqiptare ka kritikuar NATO-n, teksa shkruan se: Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë, e ndërtuar për të mbështetur ato ideale me praninë e forcës dhe forcës së shembullit, nuk mund të bëhet një entitet pa shtyllë kurrizore në sytë e popullit afgan dhe miliona njerëzve në vende të tjera që dëshirojnë të jetojnë në një shoqëri të lirë, të drejtë dhe demokratike.
Rama shton se vlerat e Aleancës Veriatlantike duhen mbrojtur dhe se nuk u duhet kthyer shpina njerëzve që kanë jetën në rrezik. Ai shton se Shqipëria do përballojë pjesën e vetë të barrës, ndërsa bën thirrje se të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe vendet e tjera të NATO-s.
Kryeministri ngre pyetjet se kush nga shtetet e tjera anëtare të NATO-s nuk mundet të mbajë përgjegjësinë e vet dhe se cili justifikim politik mjafton përballë këtij detyrimi njerëzor.
“Ka shumë gishta të drejtuar dhe jo mjaftueshëm ngritje dore për njerëzimin. Parimi themelues i NATO -s është se sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Kështu që, edhe një sfidë humanitare aq e madhe sa ajo që NATO po lë prapa në Afganistan, duhet të përqafohet nga të gjithë”, shton ndër të tjera Rama në një analizë lidhur me situatën e krijuar në Afganistan dhe strehimin e personave që iu rrezikohet jeta.
Shqipëria iu ka hapur derën afganëve që iu rrezikohet jeta. Ata janë vendosur në konviktet e “Qyteti Studentit” në Tiranë dhe në Durrës. Në 4 ditët e fundit, në vendin tonë kanë mbërritur në total 607 refugjatë afganë.
Ata nuk kanë si destinacion final Shqipërinë, por kjo mundësi i ofrohet kujtdo që dëshiron të qëndrojë. Refugjatë afganë kanë mbërritur edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.