Kryeministri Rama: Do rrisim pagat në mjekësi, nuk financojmë studentët e mjekësisë që sa të marrin diplomën të ikin në Gjermani

139
Sigal

Kryeministri Edi Rama premtoi se pagat e mjekëve specialistë do të rriten me 50 mijë lekë nga muaj prill. Në Kongresin e Shëndetësisë, Rama tha se rritje do të ketë dhe për pagat e mjekëve të tjerë dhe infermierëve. Këto, sipas kreut të qeverisë, janë masat vijuese për të ndalur eksodin e bluzave të bardha drejt Gjermanisë.

“Ne i kemi rritur pagat me 63% nga 2013. Autonomia është një mekanizëm i ri që ka filluar të testohet tani në spitalin memorial dhe do krijojë mundësinë që të ketë në sistemin shëndetësor paga më të mira, por jo të barabarta. Autonomia do iu rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, që bëjnë më shumë operacione vizita, por ndërkohë duhet të garantojmë pagë më dinjitoze tavan. Në këtë prill, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre.

Do të mbajmë zotimin për 7% për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë dhe në hyrje të 2024 edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët një rritje të ngjashme.

Rama tha se studenti i mjekësisë paguan 1/16-ën e kostos reale, pjesën tjetër sipas tij e paguan shteti. Shefi i qeverisë tha se taksapaguesit shqiptarë nuk duhet të paguajnë për studentë që sa marrin diplomën largohen për punësim në Gjermani. Ai tha se kjo problematikë duhet të adresohet.

Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është një problem që shumë vende e kanë adresuar dhe neve na ka ardhur koha ta adresojmë.

Nga ana tjetër është aspekti i edukimit, nuk mjafton të kesh kryer një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet në aspektin teorik për t’u konsideruar një mjek, por duhet dhe paktika.

Jo thjesht praktika e përditshme profesionale, por dhe ajo praktikë që farkëton njeriun dhe misionarin. Në këtë aspekt ka vend për reflektim përpara dhënies së diplomës. Pas kësaj vjen punësimi sipas meritës”,- tha Rama.