Agron Duka, kryetar i PAA: 2019-ta vit poshtërues për demokracinë, Rilindja na ktheu në monizëm

763
Sigal

Kriza politike dhe tërmeti në 2019 treguan brishtësinë e sistemit tonë. Problemet e politikë-bërjes, korrupsioni, humbja e legjitimiteti të institucioneve përfaqësuese, u përkthyen në një paaftësi kronike të shtetit, të drejtuar nga kjo mazhorancë, për t’iu përgjigjur emergjencës

Jakup B. GJOÇA

Agron Duka, kryetari i PAA, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke bërë analizën politike të 2019-s pohon se ky vit ishte poshtërues për demokracinë, derisa partia-shtet, Rilindja na riktheu 30 vite pas, në monizëm. Zoti Duka thotë se  për të mposhtur këtë mazhorancë nuk mjafton vetëm një aksion i opozitës, por duhet një katarsis e thellë e shoqërisë. Duke iu referuar domosdoshmërisë për një reformë të thellë zgjedhore, zoti Duka thotë se “Po nuk u çliruan zgjedhjet, nuk çlirohet dot Shqipëria nga Rilindja”.

– Zoti Duka, çfarë ngjarjesh mund të veçoni në 2019?

– Viti që po mbyllet është një nga më të vështirët për vendin. Janë dy ngjarje që kanë shënuar vitin 2019, kriza e thellë politike dhe tërmeti. Të dyja këto ngjarje do të kenë pasoja në vitin që nis pas pak ditësh. Njëra prej tyre, kriza e thellë politike, kërkon një zgjidhje për të lehtësuar edhe përgjigjen afatgjatë për ngjarjen tjetër, tërmetin. Të dyja këto ngjarje treguan brishtësinë e sistemit tonë. Pasi problemet e politikë-bërjes, korrupsioni, humbja e legjitimiteti të institucioneve përfaqësuese, u përkthyen në një paaftësi kronike të shtetit, të drejtuar nga kjo mazhorancë, për t’iu përgjigjur emergjencës.

–  Shqipëria a bëri progres në demokratizimin e saj?

– Ka qenë një vit tejet poshtërues për demokracinë. Ngelës, nëse do të përdornim një term nga fusha e mësimdhënies. Pas përgjimeve të publikuara nga BILD, largimit të opozitës nga Parlamenti, zgjedhje vendore pa kundërshtarë dhe të tjetërsuara edhe pse pa kundërshtarë, kuptohet se jemi në një situatë alarmuese, në të cilën dominon partia-shtet. Një parti që fal tjetërsimit të zgjedhjeve, lobimit ndërkombëtarë me paratë e korrupsionit, ndërthurjes së interesave të politikanëve dhe kriminelëve, arriti ta kthejë vendin aty ku ishte 30 vite më parë, në monizëm.

Rilindja,partia-shtet, që fal tjetërsimit të zgjedhjeve, lobimit ndërkombëtarë me paratë e korrupsionit, ndërthurjes së interesave të politikanëve dhe kriminelëve, arriti ta kthejë vendin aty ku ishte 30 vite më parë, në monizëm

Përse Opozita mbetet vetëm në opozitarizmin deklarativ, pa aksione konkrete, përballë një pushteti arrogant dhe korruptiv të kryeministrit Rama, siç e denoncon opozita?

– Sigurisht ne mund të kishim bërë më shumë. Jo vetëm këtë vit, por secilin prej viteve në të cilat pamë që profesorët e PS-së u zëvendësuan nga të fortët. Megjithatë, pas gjithë këtyre betejave politike, ku janë marrë vendime të forta, si djegia e mandateve, janë bërë protesta të mëdha dhe debateve të ashpra, duhet thënë se situata në të cilën ndodhemi nuk është vetëm pasojë e vendosmërisë së opozitës. Pushteti i kryeministrit aktual është grumbullimi i një vargu të gjatë kontradiktash që tranzicioni ka prodhuar, ku secili ka mëkatet e tija. Për ta mposhtur këtë mazhorancë, nuk mjafton vetëm një aksion i opozitës, por duhet një katarsis e thellë e shoqërisë, e cila duhet të jetë më aktive në jetën politike, më e vëmendshme ndaj premtimeve boshe, më e gatshme të ngrihet për interesat e përbashkëta dhe jo të mbyllet gjithsecili me hallin e tij.  Beteja nuk është me Ramën, por me fenomenin që kemi prodhuar kolektivisht në këtë tri dekada. Sigurisht, fitorja e saj kërkon kohë, sepse ofrojmë ndryshimin e një lideri me një tjetri, por një model të ri.

–  Parlamenti votoi edhe Ligjin e AntiShpifjes, megjithë kundërshtitë edhe të KE, BE, OSBE. Madje do votojë edhe ndryshime kushtetuese, që anëtari i Gjykatës Kushtetuese të betohet tek noteri. Zgjedhjet e 30 qershorit u bënë dhe 61 bashkitë  i ka PS. Kush dhe si do ta ndalë këtë mazhorancë derisa voton edhe ligje në kundërshti me Kushtetutën? Do priten thjesht zgjedhjet parlamentare të 2021?

– Situata është shumë e rëndë, dhe përgjigja ndaj saj duhet dhe do të jetë kolektive. Jo vetëm ne si politikanë, por çdo shtresë sociale duhet të angazhohet në kundërshtimin e këtij modeli. Për të zbatuar këtë, kërkohet ndoshta një dialog kombëtarë, me të gjithë aktorët dhe faktorët politik, ekonomik dhe intelektual, për të ushtruar një presion më të madh mbi Partinë Socialiste dhe për të nxitur një ndryshim që duhet të vij dhe të kërkohet nga të gjithë, jo vetëm nga ne si përfaqësues të opozitës.

Ivi Kaso ekspert i PD për Reformën Zgjedhore deklaroi së fundi se edhe me Kodin Aktual mund të bëhet Reformë e re Zgjedhore.  Pra PD nuk do ndryshime të Sistemit Zgjedhor. Atëhere, si do të ndalohet vjedhja e blerja e votës?

– Komisioni i ngritur në radhët tona, pra të opozitës, po punon mbi draftin që do t’i paraqesim Komisionit të Reformës Zgjedhore brenda muajt janar. Duke pasur parasysh rekomandimet e Bundestagut, ne nuk do të jemi refraktar në hartimin e Reformës zgjedhore, madje sistemi nuk është tabu për ne. Kemi këmbëngulur gjithmonë për pranin e elementeve konkurruese në sistemin zgjedhor dhe do të përpiqemi që të krijojmë një konvergjencë në këtë drejtim. Sa i përket vjedhjes së votës, kjo nuk varet vetëm nga sistemi, por sidomos nga vullneti politik dhe ndëshkueshmëria. Një nga kushtet e Bundestagut është ndëshkimi i krimit zgjedhor, nëse kemi masa ndaj atyre që u kapën në përgjime duke trafikuar vota, atëherë kjo do të shërbej si shembull për të ardhmen. Urojmë që SPAK-u të jetë shembullor në këtë drejtim.

Shengeni i vogël është një hiç, i shitur mirë mediatikisht, për të fshehur hiçin e madh që është qeverisja Rama. Asgjë më shumë sesa një pëlhurë mbi dështimet spektakolare të këtyre viteve, sidomos në fushën e integrimit Europian

– Zoti Duka, çfarë duhet të ndryshojë Opozita në 2020 që të bëhet alternativë qeverisëse?

– Opozita ka një program, ka dhjetëra ekipe potenciale për qeverisjen, ajo që i ka munguar dhe mungon, është gara. Kanë munguar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jam i bindur se çdo shqiptarë me një arsim mesatar mund të bëj më shumë se çfarë ka bërë dhe po bën qeveria aktuale, e cila nuk ka asnjë bilanc pozitiv. Përkundrazi, ka mpakur vendin, popullsia ka rënë ndjeshëm gjatë qeverisjes së Rilindjes, ka përqendruar ekonominë në 4-5 duar, ka ndëshkuar prodhimin vendas, ka ngelur në klasë disa vite rresht për sa i përket integrimit, ka mundësuar lulëzimin e krimit të organizuar, OKB na ka radhitur ndër 15 vendet më të korruptuara në botë.

Për ta mposhtur këtë mazhorancë, nuk mjafton vetëm një aksion i opozitës, por duhet një katarsis e thellë e shoqërisë.  Beteja nuk është me Ramën, por me fenomenin që kemi prodhuar kolektivisht në këtë tri dekada

Ndonëse ky bilanc është tejet negativ, me heshtjen e turpshme të socialistëve, të cilët po legjitimojnë këtë qeveri armiqësore ndaj interesave të vendit, duke vrarë institucionin e zgjedhjeve, mazhoranca ka vrarë mundësinë e ndryshimit. Po nuk u çliruan zgjedhjet, nuk çlirohet dot Shqipëria nga Rilindja.

Në SPAK u bë kallzimi i parë kundër Koncesionit të Sterilizimit. A mendoni se SPAK do t’i përmbushë pritshmëritë për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë e zyrtarëvetë Lartë?

– Uroj që SPAK-u të kryej atë rol që të gjithë ne presim. Vonesa me të cilën u ngrit, dyshimet mbi disa prej përbërësit e tij, si dhe kontaktet e papërshtatshme që u publikuan në media midis një prokurori të SPAK dhe një përfaqësuesi të mazhorancës, e vendosin këtë institucion në një debit besueshmërie ndaj qytetarëve.  Këta të fundit presin me padurim ardhjen e epokës së pandëshkueshmërisë, prandaj SPAK-u t’i përvishet punës për të fituar besimin si institucion dhe për t’i kthyer besimin institucioneve të tjera, tek të cilat është cenuar për shkak të  plagës së korrupsionit.

– Iniciativa e Kryeministrit Rama për MiniShengenin Ballkanik a është shmangie nga perspektiva europiane? A mund të ketë minishengen pa njohur më parë Serbia Shtetin e Kosovës?

– Shengeni i vogël është një hiç, i shitur mirë mediatikisht, për të fshehur hiçin e madh që është qeverisja Rama. Asgjë më shumë sesa një pëlhurë mbi dështimet spektakolare të këtyre viteve, sidomos në fushën e integrimit Europian, për të cilat kërkon të mos mbaj përgjegjësi. Prandaj shpik aventura ndërkombëtare krejt të panevojshme, të cilat nuk do të kenë asnjë sukses organizativ përveç titujve të mediave, sepse shqiptarët biletën e kanë prerë për në Bruksel, jo për në Beograd. Kjo lojë me interesat e Shqipërisë dhe Kosovës, vetëm për të zgjatur ditët e pushtetit të tij, pa asnjë ndjeshmëri për të shkuarën, apo për cenimin e peshës specifike të shtetit tjetër të shqiptarëve në raport me Serbinë, tregojnë edhe një herë se Rama është krejt i paskrupullt kur bëhet fjalë për interesat e tij. Sikurse bashkëpunoni me krimin në Shqipëri, kështu bashkëpunon me ata që kryen krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Vetëm për mbijetesë politike.

– Faleminderit!