Kryeministri publikon Anti-KÇK-në

460
Sigal

Paketa Anti-KÇK është policia politike që merr atributet e SPAK. Shkelja e të Drejtave të Njeriut dhe modeli i ‘gestapos’ që i jep Policisë kompetencat që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

Strukturat dhe procedurat e reja, dublojnë dhe marrin kompetencat që i janë dhënë SPAK dhe BKH

Paketa Anti-KÇK do të krijojë një polici dhe hetuesi private të Kryeministrit

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje në një takim me drejtues të institucioneve dhe grupin e deputetëve të PS-së pikat kryesore të një pakete të re ligjore Anti KÇK, që sipas tij synon të godasë më fort krimin e organizuar. Paketa është e ngjashme me atë antimafia, në fuqi prej shumë vitesh, i jep policisë, shumë kompetenca që rrezikojnë të bien ndesh me ato të Prokurorisë. Në 6 vitet e qeverisjes, Rilindja është akuzuar për dhjetëra korrupsione, madje edhe marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi të zyrtarëve të lartë me njerëzit e botës së krimit, sidomos në kohë fushate zgjedhore, mirëpo deri tani, edhe pse janë ngritur jo vetëm padi pranë Krimeve të Rënda, madje edhe janë zbardhur përgjime, prokuroria nuk ka çuar në gjyq asnjë nga këto raste. Opozita e ka akuzuar prokurorinë se ndodhet nënë trysninë e qeverisë, prandaj nuk heton bashkëpunimin e krimit me politikën. Një nga arsyet më bindëse është se po zvarritet pambarim edhe ngritja e SPAK dhe BKH, institucione të cilat do hetojnë dhe gjykojnë korrupsionin dhe krimin.

E ashtuquajtura “Paketa Speciale Anti-KÇK”

E ashtuquajtura “Paketa Speciale Anti-KÇK”, krijon praktikisht një polici dhe hetuesi personale të Kryeministrit. Kryeministri e ka propaganduar këtë paketë si një hap të rëndësishëm në “luftën kundër terrorizmit, mafies e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”. Por, në realitet, duket se paketa ka synimin t’i japë një njësie speciale pranë Kryeministrit, jashtë sistemit të drejtësisë dhe krejtësisht të pambikëqyrur, kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi inteligjence—pushtet që do të krijojë hapësirë të jashtëzakonshme për abuzimin dhe përdorimin e saj politik. Mbi të gjitha, strukturat dhe procedurat e reja, që synon të krijojë kjo paketë, dublojnë dhe marrin kompetencat që i janë dhënë prokurorisë antikorrupsion dhe antikrim SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Jo rastësisht në paketë thuajse nuk ka asnjë referencë ndaj SPAK-ut dhe BKH-së. Paketa është hartuar në mënyrë jo transparente dhe nuk është e qartë se kush është përfshirë në krijimin e saj. Qeveria shqiptare ka punësuar ekspertë izraelitë për hartimin e kësaj pakete, por shkrimi nuk bën të ditur se kush janë këta ekspertë, si janë rekrutuar dhe kush i ka paguar.

Çfarë është ‘Paketa Anti-KÇK’

Paketa krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e cila do të ndahet në dy drejtori: Drejtoria e Antiterrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar. Ato do të vendosen në një ndërtesë speciale. Kjo njësi do të ketë 12 drejtori rajonale të vendosura në 12 drejtoritë rajonale të policisë.

— Njësia do të hetojë çdo krim të parashikuar në kodin penal – nga vjedhja me armë, te droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, korrupsioni i çdo zyrtari publik, përfshirë gjykatësit, prokurorët dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë. Ajo do të hetojë edhe individët përfitues të buxhetit të shtetit, koncesione, PPP, subvencione etj.

— Struktura do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit brenda një territori të caktuar. Ky urdhër do të vlerësohet nga prokuroria dhe jo nga gjykata.

— Policia do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit. Ky urdhër i komunikohet prokurorit, i cili e dërgon në gjykatë brenda 48 orëve.

— Struktura dhe BKH kanë të drejtë të nisin hetim pasuror për individët që dyshojnë se nivelin e jetesës nuk ua mbulojnë të ardhurat e tyre. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshortët, fëmijët, bashkëjetuesit mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.

— Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nën/komisar e lart.

— Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo të dhënë tjetër nga subjekte private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.

— Policia mund të sekuestrojë provat e mbledhura në varësi të urdhrit të Prokurorit. Provat e mbledhura prej tyre do të përdoren sipas vlerësimit të prokurorit.

Përpjekjet e Kryeministrit për të krijuar hetuesi nën varësinë e tij

Paketa antikorrupsion dhe antiterror është përpjekja e pestë e një qeverie, e cila është përpjekur në mënyrë sistematike të krijojë një njësi hetimi nën kontrollin e ekzekutivit dhe jo të sistemit të drejtësisë.

Hera e parë: Në korrik 2014, Kuvendi miratoi Ligjin 108/2014 për Policinë e Shtetit. Në kapitullin VI të këtij ligji parashikohej ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e krijuar sipas modelit të FBI-së amerikane. Institucioni i ri, me fuqi hetuese në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të ishte një strukturë speciale në Policinë e Shtetit, nën përgjegjësinë direkt të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në atë kohë e drejtuar nga Saimir Tahiri, i cili gjithashtu do të emëronte drejtorin e këtij institucioni. Ligji u shpall antikushtetues. Gjykata Kushtetuese gjeti se Kapitulli VI kërcënonte të drejtën e qytetarëve për një proces të drejtë, duke qenë se hetimet do të drejtoheshin nga Ministria e Brendshme, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut të mishëruara në Kushtetutë.

Hera e dytë: Në shkurt të vitit 2016, qeveria Rama paraqiti një projekt-ligj, ku drejtori i BKH-së emërohej sërish nga ministri i Brendshëm, por vetëm me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. BKH do të trajtonte korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, pastrimin e parave dhe disa krime të tjera të rënda (më saktësisht nenet 254/1, 248, 256, 257/a, 258, 287, 294, 295/a dhe 328 të Kodit Penal). Projekt-ligji më vonë u tërhoq nga qeveria, pasi ajo dështoi ta kalonte atë në Kuvend përpara përfundimit të sesionit parlamentar për pushimet e verës.

Hera e tretë: Në tetor të viti 2016, Kuvendi kaloi me unanimitet një nga ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi: Ligji 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ligji është ende në fuqi, por ende nuk është krijuar SPAK dhe BKH.

Hera e katërt: Në 7 nëntor 2017, në kuadër të ligjit “Forca e Ligjit”, qeveria ngriti njësinë Task-Force (që mund të përkthehet si “njësi e posaçme”). Kjo njësi është një institucion i madh, paralel me Prokurorinë, por nën kontrollin e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Task-Force ka objekt të hetojë krimin e organizuar, i cili sipas ligjit 95/2016 është kompetencë e Prokurorisë Speciale, me Task-Force-at Speciale Rajonale në çdo rreth, nën drejtimin e Task-Force-s Speciale Qendrore, secila me drejtoritë, drejtorët, specialistët dhe agjentët përkatës. Në fakt, kjo është e njëjta strukturë si Komiteti Kombëtar i Koordinimit (KKK) i BKH-së në ligjin e viti 2014, i cili u shpall më vonë antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.