Sigal

Kryeministri Rama debaton me zonjën në Korçë: Mos më trego mua diplomat që ke, puno si sanitare

Dje kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin e fundit të turit të llogaridhënies me banorët e Korçës. Në një moment, fjalën e mori një zonjë, e cila deklaroi se kishte bërë 6 vite studime, bachelorin dhe masterin, por pavarësisht kësaj nuk kishte mundur dot të gjente punë, qoftë edhe si sanitare. Rama pati një debat me zonjën, ndërsa i tha asaj mos t’i fliste për diplomat që ka.

BISEDA:

Zonja: Quhem Pranvera Tajillari, jam pjesë e platformës bashkëqeverisëse, kam aplikuar. Jam kryefamiljare, e divorcuar. Pas divorcit kam studiuar 6 vjet, kam bërë dhe masterin profesional në fakultetin e bujqësisë. Iu kam kërkuar të gjithë drejtuesve këtu për një punë, sadopak edhe një sanitare. Me gjithë diplomat që kam jetoj e vetmuar në kushte shumë të vështira

Rama: Është e thjeshtë, nëse kushtin e ke, o punë në shtet, o s’ka, nuk ta plotësojmë dot. Nëse e ke dua punë, qoftë dhe sanitare, por edhe në privat, që tani e ke vendin e punës gati.

Zonja: Zoti kryeministër, në privat më kanë refuzuar për arsye moshe. Kam punuar e kam hequr të zinjtë e ullirit, jam me reumatizëm. Edhe me këto diploma.

Rama: Ore lëre këtë, edhe njëherë të them, nëse do punë dhe je e gatshme.

Zonja: E gatshme kam qenë gjithmonë.

Rama: Edhe nëse je e gatshme të paraqitesh nesër, ditë e hënë në orën 08:00 në punë, është e sigurt, që do ta gjesh punën, por mos më vër kushte për punë shteti.

Zonja: Unë kushte nuk do të vë, por pas gjithë këtyre studimeve që kam bërë.

Rama: Mbaroi tani, nuk është e nevojshme të më tregosh se sa studime ke bërë.

Kryeministri Rama tha se në shtator qeveria do të analizojë punën për ccdo ministri, në bazë të të gjitha kritikave që u bënë në këtë marathonë llogaridhënie me qytetarët.