Më 28 shkurt do të mbahet në Tiranë Samiti për Ukrainën. Për herë të parë në Tiranë do të mbërrijë edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili viziton Shqipërinë për herë të parë. Më herët kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërsa ishte në një takim në Shkup tha se “Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin ukrainas sfidat e sigurisë”. Një ditë më vonë në 29 shkurt 2024 liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë mbi integrimin e vendeve drejt Bashkimit Evropian. Synohet që rajoni të diskutojë objektivat e vendosura për t’iu bashkuar unionit. Kjo mbledhje u paranjoftua më herët kur në një mbledhjeje ministrore të përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor për fushën e integrimit evropian, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), mbi Planin e Rritjes. Asokohe u tha se “Ky ishte një takim përgatitor, në pritje të takimit të radhës të liderëve, të planifikuar në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt, në ndjekje të objektivave për intensifikimin e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Europian”.
Samiti Botëror i Qeverisjes në Dubai, Rama: Ndryshuam kryekëput mënyrën e marrjes së shërbimeve publike
Ndërsa në Dubai po zhvillohet edicioni i 11-të i Samitin Botëror të Qeverive (WGS) të martën kryeministri Edi Rama si pjesë në panelin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave aktuale duke folur për rolin e teknologjisë në qeverisje, tha se procesi i ndërtimit të institucioneve me teknologjinë mund të kapërcejë në të ardhmen. “Kur të duhet të ndërtosh një shtet modern, institucione funksionale duhet të mbështetesh tek njerëzit, ndaj në çdo proces duhet të mbështetesh tek njerëzit. Por të mbështetesh tek njerëzit nuk është mjaftueshëm, sepse siç është edhe thënia nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por sistemi që korrupton njerëzit. Pra, duhet të ngresh sisteme, të cilat të mund t’i mbajnë njerëzit në fre, në kuptim të respektimit të procedurave dhe respektimit të të drejtave të gjithsecilit. Ajo çka bën teknologjia është që nxjerr nga tabloja ndërmjetësinë dhe bën të mundur të pasurit të një sistemi shërbimi, që lidhet drejtpërdrejt me njerëzit”. Rama solli shembullin e platformës e-albania. “Ne kemi ndryshuar kryekëput mënyrën me të cilën merren shërbimet publike. Jo shumë vite më parë për çdo dokument, për çdo certifikatë, për çdo licencë, për çdo dokument për të vërtetuar që nuk ke qenë i dënuar, apo nuk të është marrë asnjëherë leja e drejtimit duhet të mbaje radhë të gjata në sportele, në kushte të këqija. Çdo gjë është dixhitalizuar tashmë, nuk kemi më sportele, çdo gjë është ndërveprim i drejtpërdrejt midis personit që ka nevojë për shërbimin dhe telefonit të tij celular apo kompjuterit të tij”, -tha Rama. Kryeministri tha se në 5 vitet e ardhshme me ndihmën e teknologjisë, do të donte që Shqipëria të ishte një vend, i cili sillet dhe punon si vend anëtar i BE-së. Pastaj në do të jetë ajo zyrtarisht pjesë e BE-së nuk është vendimi ynë”. Rama u shpreh gjithashtu se, teknologjia nuk do të bëjë kurrë natyrën e Shqipërisë. “Një gjë nuk e di nëse jam i sigurt që teknologjia nuk do ta bëjë dot kurrë, janë dielli, lumenjtë, luginat, plazhet e mrekullueshme, malet, liqenet fantastike dhe qytetarët mjaft mikpritës të Shqipërisë. Dua t’u them të gjithëve këtu që ejani në Shqipëri dhe në atë mjedis do të keni mendime më të mira se si teknologjia mund të përplotësojë bekimin nga Zoti të një vendi që është mallkuar shumë nga historia”, -tha Rama.






















