Kryeministri Edi Rama: Do të mbajmë premtimin për arsimin. Brenda këtij mandati qeverisës, do rrisin pagat e mësuesve mbi 40 %

232
Sigal

 

 

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij përpara mësuesve, deklaroi se qeveria e tij do ta mbajë premtimin, për të rritur pagat e mësuesve me 40 përqind, brenda këtij mandati. “Rritja e pagave për ju, 40 përqind do i qëndrojmë deri në fund brenda këtij mandati. Mësuesit sot punojnë në kushte shumë më të mira, por ka edhe shkolla që kanë nevojë të rindërtohen. Nxënësve t’ju japim më shumë zeje dhe të ushtrohen, për të pasur një zanat në të ardhmen. Ne do të fusim anglishten që në klasën e parë. Këtë e bëjmë, që shqipja dhe anglishtja të jenë dy gjuhë, që të njihen nga fëmijët e Shqipërisë. Kemi mësues që janë më mirë se edhe drejtorët. Të njëjtën gjë që bëjmë me mësuesit, të bëjmë edhe me drejtorët. Drejtorët nuk duhet të jenë nomenklaturë e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive”, tha Rama. Edi Rama u shpreh se shoqëria respekton mësuesit, me kontributin e tyre në çdo sfidë e vështirësi për mësimdhënie. “Respekt i çmuar për mësuesit që dhanë mësim në kohë pandemie, sfiduan çdo vështirësi. U jam falënderues dhe gjithë shoqëria po ashtu falënderon ata mësues, që kanë punuar ditë e natë dhe janë vënë në dispozicion të nxënësve. Kjo ishte punë që iu shërbeu edhe shumë mësuesve dhe mësueseve. Sot që po dalim nga tuneli i pandemisë dhe puna është bërë me kaq shumë ritëm e efikasitet. Ne jemi përballur prej vitesh me fenomenin shqetësues të shkollave kolektive. Mësimi online nuk e zëvendëson dot mësimin e drejtpërdrejtë. Por, patjetër që mësimi online është lojë e shtuar”, deklaroi Rama dhe foli edhe për drejtorët, duke thënë se do kihet më kujdes me emërimet e drejtuesve, që të mos jenë nën varësi të deputetëve apo zyrtarëve politikë. “Jam krenar për mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë, jo aq krenar për drejtorët e shkollave. Jam krenar që kemi mësues të qetë, në raport me të drejtën e ushtrimit të profesionit, të patrazuar nga politika apo gjëra të tjera, që e kanë penguar punën tuaj. Mësuesit nuk i lëviz njeri nga vendi i punës me arbitraritet. Figurën e mësuesit do vazhdojmë ta lartësojmë. Me punën, keni treguar shkallë qytetarie në raport me njerëzit, sepse ka qenë punë mbi punë. Kjo punë nuk ka pasur ndonjë shpërblim të veçantë, por përpos atij ushqimi që e ushqen vazhdimisht mësuesi, sepse është përhapës i dritës. Nuk harrojmë detyrimin për rritje shpërblimi ndaj jush”, – përmbylli Rama.