Kryeministër i eksodit dhe krimit, media britanike ‘nxin’ Rilindjen: Të rinjtë shqiptarë rrezikojnë jetën, ikin se nuk ka punë!

115

Kanë mbetur vetëm pleq dhe së shpejti do të ketë shtëpi bosh. Të rinjtë largohen për shkak të pagave të ulëta dhe vështirësisë për të ndërtuar “një jetë të rehatshme familjare

Sigal

Mediat britanike kanë vënë sërish në shënjestër shqiptarët dhe fenomenin e largimit drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone. Këtë herë ‘The Indipendent’ shkruan se të rinjtë ikin për mundësi më shumë, ndërsa sjell në fokus histori të ndryshme nga Shqipëria.

Ky shkrim vjen në një kohë kur kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka vizituar sot “10 Doëning Street”, selinë e kryeministrit britanik, por sfondi në të cilin zhvillohet ky takim nuk është i favorshëm për qeverinë shqiptare.

Artikulli i “The Independent”: Djali i Monika Mulajt ishte në vitin e dytë të kolegjit në Shqipëri, duke studiuar për t’u bërë inxhinier mekanik, kur vendosi të bënte një ndryshim të guximshëm: “Ai u tha prindërve se do të linte shtëpinë e tij të përjetshme për një të ardhme të re në Britani”. “Ne ishim përpjekur t’i plotësonim të gjitha kërkesat e tij, për libra dhe veshje, ushqim dhe pak argëtim. Por ai vazhdonte të ishte i pakënaqur”,- tha Mulaj, një mësuese e shkollës së mesme në qytetin verilindor të Bajram Currit, i cili është në një nga rajonet më të varfra të vendit.

Pesë vjet më vonë, djali i saj tashmë 25-vjeçar po punon dy punë në Britani dhe mezi mendon të kthehet në atdheun e tij. “Shqipëria është në regres”, i ankohet nënës së tij. Rruga e tij është ndarë vitet e fundit nga mijëra të rinj shqiptarë që kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose gomone për të kërkuar punë në Mbretërinë e Bashkuar. Odisea e tyre pasqyron ekonominë anemike të vendit dhe dëshirën e një brezi të ri për mundësi të reja.

Pak emigrantë kërkojnë vizë. Ata në përgjithësi u paguajnë kontrabandistëve nga 5,000 deri në 20,000 euro për kalimin e rrezikshëm dhe të paligjshëm. Pasi mbërrijnë në Britani të Madhe zbulojnë se duhet të punojnë në shtëpitë e kultivimit të kanabisit deri në dy vjet për të paguar paratë e trafikimit

Në vitin 2018, vetëm 300 persona arritën në Britani duke kaluar kanalin me varka të vogla. Numri u rrit në 45,000 në vitin 2022, pjesërisht për shkak të ardhjeve nga Shqipëria, një vend në Evropën Jugore që po negocion për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Emigrantë të tjerë ishin nga Afganistani, Irani, Iraku dhe Siria. Ndryshe nga shumë vende që nxisin migracionin, Shqipëria konsiderohet e sigurt nga zyrtarët britanikë.

Britania është tërheqëse për shqiptarët sepse ka një ekonomi më të mirë dhe punë më të paguara se vendet fqinje si Greqia apo Italia. Shumë shqiptarë gjithashtu kanë lidhje familjare në Mbretërinë e Bashkuar. Birminghami, për shembull, ka një popullsi të madhe emigrantësh nga qyteti shqiptar i Kukësit, në kufi me Kosovën.

Nënkryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Abedin Kernaja, tha se të rinjtë largohen për shkak të pagave të ulëta dhe vështirësisë për të ndërtuar “një jetë të rehatshme familjare”. Dy djemtë e tij ndodhen në Britaninë e Madhe. Xhemile Tafaj, e cila zotëron një restorant në një pllajë piktoreske jashtë qytetit, tha se “të rinjtë nuk kanë para për të ndjekur shkollën, nuk kanë punë për të punuar, nuk kanë fare të ardhura”.

“Në një mjedis të tillë kanë mbetur vetëm pleq dhe së shpejti do të ketë shtëpi bosh”, -tha Tafaj. Shqipëria Verilindore njihet për bukurinë e saj natyrore alpine dhe peizazhin e pjerrët të gjelbër. Rajoni është gjithashtu i famshëm për gështenjat, boronicat, manaferrat dhe bimët mjekësore, si dhe qilimat e leshit dhe mallrat e tjera të punuar me dorë.

Por këto produkte ofrojnë mundësi të pakta pune. Punët e vetme janë në bashki, shkolla dhe spitale, plus disa të tjera në kafene dhe restorante. Petrit Lleshi, i cili ka një hotel në Kukës, prej dy vitesh ka luftuar për të gjetur kamerierë. “Nuk do të fajësoja një 25-vjeçar që largohej për shkak të pagave të ulëta këtu”,- tha Lleshi. “Ajo që ofron vendi ynë nuk mjafton për të ndërtuar një jetë të mirë.”

Pak emigrantë kërkojnë vizë. Ata në përgjithësi u paguajnë kontrabandistëve nga 5,000 deri në 20,000 euro për kalimin e rrezikshëm dhe të paligjshëm. Shumë emigrantë e ndërmarrin udhëtimin me pritjen e një pune të sigurt, por pasi mbërrijnë në Britani të Madhe zbulojnë se duhet të punojnë në shtëpitë e kultivimit të kanabisit deri në dy vjet për të paguar paratë e trafikimit, sipas raportimeve të mediave shqiptare.

Rrjedha e vazhdueshme e emigrantëve ka provokuar përplasje mes liderëve britanikë dhe shqiptarë në muajt e fundit. Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman i ka përshkruar ardhjet si një “pushtim në bregdetin tonë jugor” – fjalë që kryeministri shqiptar Edi Rama i cilësoi si një “narrativë të çmendur” dhe një përpjekje për të mbuluar politikat e dështuara kufitare të Mbretërisë së Bashkuar.

Shqipëria gjithashtu protestoi publikisht atë që e quajti një “linçim verbal” nga një zyrtar tjetër britanik, i cili bëri komente për emigrantët shqiptarë. Rama akuzoi kabinetin e ri të Mbretërisë së Bashkuar se po i bën kurban shqiptarët, sepse “ka kaluar në një rrugë qorre me politikën e saj të re që rezulton nga Brexit”. Kryeministri tha gjithashtu se lehtësimi i kërkesave për viza do të ndihmonte në uljen e numrit të njerëzve që vijnë ilegalisht.

Në përgjigje të rritjes së emigracionit, disa agjenci po investojnë në programe që synojnë të ofrojnë mundësi për të dy vendet – vende pune për shqiptarët e etur dhe furnizim me punëtorë në distancë për bizneset në Mbretërinë e Bashkuar. Elias Mazloum i Grupit të Investimeve për Zhvillimin Social të Shqipërisë tha se emigracioni është “një kancer”.

“Ne po ofrojmë kimioterapi pasi një sasi e madhe e morfinës së përdorur deri më tani ka prodhuar vetëm imigrimin,” tha ai. Sipas projektit të tij, 10 kompani në Irlandë do të punësojnë 10 të rinj shqiptarë për të punuar në distancë në një praktikë duke paguar 500 euro (530 dollarë) në muaj në vitin e parë. Pjesëmarrësit marrin një certifikatë nga Instituti i Marketingut Dixhital të Irlandës dhe më pas punësohen nga distanca për 1000 euro (1060 dollarë) në muaj.

Vizioni është që projekti të ndihmojë në krijimin e një ekosistemi të punës në distancë në rajon. “Shqipëria, dhe veçanërisht rajoni verilindor, ka avantazhin e punës nga një kanavacë bosh për të tërhequr nomadët dixhitalë dhe për të inkurajuar të rinjtë e saj të qëndrojnë”, tha Declan Droney, një trajner biznesi dhe konsulent në Galëay, në perëndim të Irlandës. Një projekt britanik në Kukës mbështet bizneset e vogla dhe të mesme në turizëm dhe bujqësi dhe do të hapë një shkollë me profesione të ndryshme.

Qeveria shqiptare ka ofruar gjithashtu stimuj. Çiftet e reja që hapin një biznes të vogël do të përjashtohen nga taksat deri në tre vjet, dhe çiftet që kthehen nga Britania e Madhe do të marrin 5,000 euro (5,300 dollarë). “Sytë nuk ngopen nga bukuria e këtij vendi – ushqimi, ajri i pastër. Kjo i shtoi njerëzit shumë mikpritës, rininë ambicioze që u pëlqen të punojnë shumë”, -tha Mazloum. “Imagjinoni nëse u jepni pak shpresë njerëzve këtu, çfarë mund ta bëjnë këtë vend.”