Kryemadhi takon Bashën në selinë e PD-së, diskutohet aksioni opozitar

545
Zhvillimet e djeshme lidhur me çështjen Tahiri kanë rritur tensionin politik në vend. Opozita e bashkuar ka rënd dakord për të qenë në unison lidhur me qëndrimet
Zhvillimet e orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, ku kryeministri Edi Rama doli papritur me një deklaratë në mbrojtje të ish-ministrit Tahiri, duke hedhur në të njëjtën kohë baltë mbi prokurorinë, kanë nxehur situatën politike në vend. Skandali i trafikut të drogës, ku ka dyshime sipas akuzës se është i përfshirë dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duket se do të bëjë “kurban” reformën për drejtësi. Opozita tashmë e bashkuar në një front të përbashkët, kanë konsoliduar qëndrimet. Ndonëse gjatë gjithë ditës së djeshme të dyja partitë opozitare, PD dhe LSI kanë mbajtur qëndrime të njëjta duke dalë me deklarata në secilën seli, në orët e pasdites qëndrimet duket se janë konsoliduar. Rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili janë drejtuar selisë blu. Ata zhvilluan një takim me shefin e Partisë Demokratike. Burime pranë PD bëjnë të ditur se vizita e Kryemadhit te Basha u krye për dakordësimin e qëndrimeve të opozitës lidhur me çështjen “Tahiri”. Kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit socialist do shoqërohet me dy raporte, ai i maxhorancës dhe i opozitës. Kjo ka bërë që PD dhe LSI të riaktivizojnë kontaktet. Dy forcat politike të opozitës mbështesin kërkesën e Prokurorisë që kërkon heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm dhe vendosjen e tij përpara drejtësisë për akuzat e Prokurorisë për trafik droge. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, dy partitë e opozitës kanë vendosur përfundimisht të bojkotojnë të gjitha punimet e komisioneve. Kjo është faza e parë e paralajmërimit që këto parti i bëjnë mazhorancës. Ndërkohë liderët e dy forcave politike janë shprehur se do të përshkallëzojnë qëndrimet e tyre. Të gjitha këto zhvillime do të bëhen të njohura hap pas hapi. Por ajo që tashmë është e sigurt është fakti se opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që mazhoranca të nëpërkëmbë drejtësinë dhe të pushtojë të gjitha institucionet. Më herët Kryemadhi dhe Basha i bënë thirrje Edi Ramës që të heq dorë nga mbrojtja e Saimir Tahirit, duke ia lënë verdiktin përfundimtar gjykatës. Pasditen e djeshme dy partitë kanë dorëzuar në Kuvend raportet përkatëse lidhur me qëndrimin që do të mbajnë për kërkesën e prokurorisë e cila kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri dhe hapjen rrugë arrestimit të tij. Por mazhoranca mesa duket është e vendosur të mos e dorëzojë Tahirin para drejtësisë, edhe pse ndaj tip prokuroria ka ngritur dy akuza të rënda. Madje organi i akuzës është shprehur se Gjykata e Katanias në Siçili ka prova të tjera që e komprometojnë ish-ministrin Tahiri në trafikun e drogës. Mësohet se Tahiri ka mbështetur grupin e organizuar të trafikut të drogës, drejtuar nga vëllezërit Habilaj.
Sigal