Berisha zbulon dosjen e dytë, Gjiknuri reagon: Pinoku digjital

651
Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar emrin e një tjetër ministri, që sipas tij, është pjesë e dosjes “Habilaj”. Në një status në rrjetet sociale, që si gjithmonë i referohet të ashtuquajturit “qytetari digjital”, ish-kreu demokrat denoncon përfshirjen e ministrit të Infrastrukturës e Energjisë, Damian Gjiknuri në blerjen e votave. “Gjiknuri në tepsi! I filmuar duke i dhënë para Habilajt në fushatë për të blere votat!”, shkruan Berisha. Ish-kryeministri ka publikuar edhe mesazhin e “qytetarit digjital”. “Përshëndetje Doktor! Gjatë fushatës elektorale të fundit, Habilajt uleshin për dreka dhe darka me Damian Gjiknurin në Vlorë. Madje Habilajt kanë edhe regjistrime duke i ofruar para në dorë D. Gjiknurit. Kanë pasur marrëdhënie të rregullt interesash Gjiknurin. Ju uroj shëndet. Anonim Ju lutem”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha. Megjithatë ka qenë i menjëhershëm reagimi i ministrit Gjiknuri, gjithashtu drejtues i fushatës dhe listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. “A mund ta besojë njeri pinokun digjital, atë që nuk njihte as baxhanakun e tij dhe nuk e dinte as ku i binte Gërdeci?! Habilajt nuk i njoh e as nuk kam pasur kurrë marrëdhënie me ta. Fati i keq i shpifësit digjital që po detyrohet të sajojë e kërkojë lidhje imagjinare mes morisë së fotografive në takimet elektorale me mijëra qytetarë të Qarkut të Vlorës”, shprehet Gjiknuri në reagimin e tij. 

Vetëm një javë nga shpërthimi i dosjes “Habilaj” nuk kanë munguar deklarimet publike që flisnin për një tjetër anëtar të qeverisë të përfshirë në këtë aferë. Ndërsa ende prokuroria po heton për çështjen e radarëve dhe rolin e Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë drejtimit të saj nga deputetja socialiste, Mimi Kodheli. Radarët dhe financimet e fushatës elektorale përmenden edhe në përgjimet e pjesëtarëve të grupit “Habilaj”, të arrestuar në Itali. 
Sigal