Ditën e sotme, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me gratë në Ersekë, nga ku prezantoi dhe përfaqësuesin e LSI-së, për të gjith Kolonjën.
Pjesë nga takimi:
Një nga gjërat tona më të mira është mikpritja. Edhe pse Kolonja është rrudhur për shkak të largimit dhe të shpopullimit të madh të të gjithë zonës, në mendjen tonë prapë ngelet si një nga pikat më të rëndësishme të vendit.
Unë sot doja të isha e pranishme në Kolonjë për të prezantuar jo vetëm me ju, por edhe me të gjithë opinionin publik, Doktor Erginin, i cili do të jetë përfaqësuesi ynë në gjithë rrethin e Kolonjës, edhe në listën e deputetëve të LSI-së në Qarkun e Korçës. Në këtë qark ne kemi dy doktorë, doktor Gentin dhe doktor Erginin, sepse ashtu sikurse sot kemi nevojë për mjekë dhe doktorë që shërojnë njerëzit, kemi nevojë që doktorët të shërojnë edhe politikën. Të shërojnë politikën që të mos kemi më ato premtimet fasadë të shëndetësisë falas dhe që është kthyer në shëndetësinë më të shtrenjtë dhe atë që ne e shohim dhe e ndiejmë çdo ditë, sikurse thotë edhe doktor Ergini, që të sëmurët me Covid-19 sot kanë faturën më të shtrenjtë, sikur po bëjnë një universitet dhe jo sikur po shërohen nga një sëmundje që në fakt duhet të kishte në vëmendje goxha të madhe.
Unë doktor dua t’ju falënderoj shumë për përkushtimin, por mbi të gjitha dua të falënderoj nëpërmjet jush të gjitha strukturat e LSI-së që kanë bërë të mundur që në çdo moment ne të mos shkëputemi nga Kolonja, edhe pse largësia është goxha e madhe dhe infrastruktura prej tetë vitesh ka ngelur e pazhvilluar, ju na keni bërë të ndihemi shumë afër. Nuk kam për ta harruar kurrë prezencën tuaj në të gjitha protestat e opozitës, 19 të tilla që kanë qenë që prej djegies së mandateve, gjë që unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Por, do doja ta shikoja lidhjen tonë përtej politikës, përtej protestave, për të ndryshuar jetën.
Kolonja është një nga zonat që ka histori, ka kulturë, ka një trashëgimi kulturore dhe historike për popullin shqiptar, dhe ne faktikisht jemi rritur me literaturën, jemi rritur me tekstet shkollore për rilindësit, për gjuhën shqipe, për historinë, për betejën e madhe që është bërë për gjuhën shqipe dhe mbi të gjitha për identitetin tonë kombëtar. Dhe sot një nga problemet më të mëdha që ne kemi është që, gjakun e gjithë atyre njerëzve që kanë dhënë jetën për identitetin tonë kombëtar, ne po e zhbëjmë duke u shpopulluar, duke larguar të rinjtë dhe të rejat tanë nga vendi.
Sot është shumë e vështirë të gjesh të rinj dhe të reja në Kolonjë, por unë jam e bindur që më 25 prill me angazhimin tuaj, por jo vetëm, por duke sjellë edhe një shpresë të re, edhe një mundësi të ri për zhvillimin e zonës, për të krijuar një zhvillim të jashtëzakonshëm për këtë zonë të mrekullueshme për pyjet, për bukuritë natyrore, por edhe për mençurinë njerëzore, sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njerëz të mençur, kemi nevojë për njerëz që kanë botë, kanë shpirt e mbi të gjitha kanë dashuri brenda tyre. Dhe sot si Dita e Shën Valentinit është një arsye më shumë për të folur akoma më shumë për dashurinë, sepse dashuria njerëzore dhe ajo për familjen është e nevojshme.






















