Kryemadhi: Nuk kam besuar kurrë që Rama do ta respektonte marrëveshjen e 5 qershorit, kodi i ri favorizon opozitën

265
Sigal

Në një intervistë për Fax News me gazetarin Bejdo Malo, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se kishte qenë e bindur që kryeministri Edi Rama nuk do ta respektonte marrëveshjen e 5 qershorit. Ajo tha se kryeministri bëri çdo veprim për të provokuar opozitën në mënyrë që të braktiste reformën zgjedhore dhe t’ja linte asaj përgjegjësinë për dështimin e reformës zgjedhore. Megjithatë, sipas Kryemadhit kodi i miratuar favorizon opozitën.

I keni pranuar ndryshimet që ka bërë Edi Rama, për shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit?

Nuk kam pasur asnjëherë dyshime përsa i përket marrëveshjes së 5 qershorit që Rama nuk do ta respektonte. Gjithmonë shpresat e tij kanë qenë që opozita do të ishte refraktare, pra do i largohej çdo përgjegjësie të saj. Sepse mendonte që djegia e mandateve apo bojkotimi i zgjedhjeve vendore do të vazhdonte të njëjtin precedent. Por marrëveshja e 5 qershorit ishte një detyrim, që ne si opozitë kishim përballë kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave që fillon me reformimin ose ndryshimin e miratimit të 5 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për kodin zgjedhor. Kur marrëveshja e 5 qershorit u firmos nga opozita, atëherë Rama vazhdonte të provokonte me ndryshimet kushtetuese. Edhe këto ndryshime kushtetuese që ka bërë, të cilat në fakt nuk është se krijojnë ndonjë ndryshim të madh përsa i përket dakordësisë që shqiptarët kanë me qeverisjen. Kanë të bëjnë më shumë me fyerjen që kryeministri në ikje i Shqipërisë, zoti Rama i ka bërë institucioneve ndërkombëtare, të cilët kanë qenë ata që e kanë përkrahur më shumë seç duhet dhe që kanë sjellë sot këtë situatë.

Ajo për të cilën mua më vjen keq sepse për herë të parë një sekretar shteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshëndet një marrëveshje të nënshkruar për sa i përket dakordësimit të 5 kritereve të OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore, apo Komisionit Europian apo edhe shumë drejtues shtetesh të tjera të institucioneve ndërkombëtare, për një marrëveshje, e cila ishte dakordësimi i 5 qershorit. Dhe kryeministri e mori këtë marrëveshje, e grisi dhe e hodhi. Ajo që dua të theksoj është që këto ndryshime kushtetuese që ai ka bërë, për sa i përket LSI-së, e favorizojnë për të rritur numrin e mandateve të saj. Ndërkohë që favorizojnë edhe opozitën në tërësi në qoftë se të gjitha forcat politike, jo vetëm ato që janë brenda frontit opozitar, por edhe shumë forca të tjera politike të cilat janë të dyzuara. Tashmë që Rama e bëri të qartë që ne do të hyjmë të vetëm në zgjedhje, pa asnjë përfshirje tjetër në listat e Partisë Socialiste, shanset dhe mundësitë për opozitën janë që jo vetëm të zgjerojë tryezën e saj, por të zgjerojë edhe listat e përfaqësinë e saj me kandidatët. Kjo çon drejt një maksimizimi që asnjëherë nuk ka ndodhur një rezultat i tillë. Pse? Sepse edhe urrejtja popullore është më e madhe seç mund të ketë kaluar Shqipëria në të gjithë periudhën e tranzicionit.

Të flasësh sot për ndryshimet kushtetuese të Edi Ramës, do të thotë të shkosh të futesh në lojën e tij, për t’u marrë me një gjë, që në fund të fundit çfarë është? Vota te kutia kundër Edi Ramës. Është shumë e thjeshtë.