Kryemadhi kërkon falje në emër të LSI: Për çfarë mbajmë përgjegjësi gjatë bashkëqeverisjes me PS

445
Kryetarja e re e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u ka kërkuar falje mbështetësve të kësaj force politike, por edhe gjithë shqiptarëve, për “gabimet” e bëra sipas saj, në 4 vitet e bashkëqeverisjes me PS. Duke folur në Konventën Zgjedhore të LSI, Kryemadhi tha se për të respektuar marrëveshjen me PS, kjo forcë politike nuk ka ngritur zërin aq sa duhet.
Ajo tha se LSI mban përgjegjësi që nuk ka ngritur zërin për ato çka i ka konstatuar problematike gjatë bashkëqeverisjes me PS.
“Ju kërkoj falje për pjesën tonë të bashkëqeverisjen e me Edi Ramën. E bëmë këtë në emër të fjalës së dhënë, për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur bashkë me socialistët. Ky ishte gabimi ynë, që nuk nisëm të reagojmë sapo konstatuam se Shqipëria po kthehej në një plantacion droge. Ne nuk e ngritëm zërin sa duhet kur Shqipëria po kthehej e tëra në koncesion. Ne heshtëm kur me paratë e oligarkëve, Rama i mbyllte gojën çdo media që denonconte rastet. Ne nuk reaguam sa duhet për reformën në arsimin e lartë. Ne mbyllëm sytë e veshët kur shihnim se qindra shqiptarë ndaloheshin nga policia se nuk kishin mundësi të paguanin energjinë, ndërsa oligarkët kanë ende miliona të papaguara. Për këtë ne sot mbajmë përgjegjësi. Nuk është turp të pranosh gabimet, por turpi është i atyre që shkatërruan Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Kryemadhi.
Sigal