Kryebashkiaku Veliaj: Standard  të njëjtë arsimor, për një start të barabartë, për çdo fëmijë

154
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi dje, ecurinë e punimeve për ndërtimin e kampusit  shkollor në Kodër Kamëz, pjesë e të cilit janë dy shkollat,  “Nënë Tereza” dhe “J.F. Kennedy”, shtrirë në afro 12 mijë metër katrorë dhe ku pritet që të kryejnë ciklin mësimor parauniversitar,  të paktën 1300 nxënës. Kryebashkiaku Erion Veliaj: “Është një ditë shumë e mirë për Kodër Kamzën. Kemi hyrë në fazën e fundit të këtij kompleksi shkollor. Dikush mund të lindë në Kodër Kamëz dhe nga mosha 3-4 vjeç kur fillon parashkollorin, vazhdon 9-vjeçaren, gjimnazin, nëse do edhe universitetin, apo edhe pas universitarin, mund të vazhdojë të jetë këtu deri në 23, apo 24 vjeç. Kjo do të thotë që për 20 vite të jetës, ku, një fëmijë tipik i Kodër Kamzës, kalonte një përqindje të kohës vetëm me vara-vingo për të shkuar në qendër të Tiranës, për një shkollë më të mirë, këtyre mundimeve iu vjen fundi.

Brenda këtij viti ne do të përgatitemi për hapjen e këtij kampusi, kampusi ndoshta më i madh shkollor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, por edhe më i bukur. Më vjen mirë edhe për “feedback”-un që morëm nga Stefano Boeri për mënyrën se si ka avancuar projekti! Tani duhet të kujdesemi për detajet e fundit, të sigurohemi që të punojmë gjatë gjithë kësaj stine të mbetur, që para fundit të vitit, ne t’i japim këtë bizhu arsimore komunitetit të Kodër Kamzës. Parimi ynë ka qenë që një fëmijë në Kodër Kamëz do duhet të ketë të njëjtin shans si në Kombinat, si në Kinostudio apo në bllok. Detyra jonë si Bashki është që t’u ofrojmë të gjithëve një shans të barabartë për t’ia nisur. Unë besoj fort që me këtë infrastrukturë nuk ka asnjë justifikim se, kush është i mirë e kush punon fort, arrin të shkëlqejë njëlloj, si nga Kodër Kamza, si nga Blloku, Kinostudio, apo Kombinati.”