Kryebashkiaku Veliaj: Në 2023, prioritet infrastruktura, arsimi e sporti.Do t’i japin fund mësimit me dy turne në shkollat e kryeqyetit

96
Sigal

 

Puna dhe investimet, thotë kryebashkiaku, janë çelësi i suksesit, brenda këtij viti do të vijë edhe përfundimi i veprave të mëdha infrastrukturore për kryeqytetin, e pritet t’i japin fund mësimit me dy turne

Katër muaj nga zgjedhjet vendore, kryetari i Bashkisë së Tiranës është i bindur se mazhoranca do t’i fitojë të 5 bashkitë e qarkut më të madh në vend, ku ai është udhëheqës politik.

“Ambicia jonë është e qartë: ne duam të fitojmë 5-0 dhe jo se do jetë 5-0 se kemi inat kundërshtarin, fitojmë 5-0, sepse kemi dëshirë punën. Filozofia e këtyre zgjedhjeve është shumë e thjeshtë”. Në një intervistë për media , ai thotë se siguria për rezultatin vjen nga performanca që kanë pasur 5 kryebashkiakët socialistë dhe nga situata në të cilën ndodhet opozita.

Për shkak të performancës, rikonfirmimi nuk është në diskutim dhe Veliaj do të garojë për një mandat të tretë.“Tashmë e kam filluar fushatën kemi marrë të gjitha masat që në 27 njësitë të kemi fitore”.

Puna dhe investimet, thotë kryebashkiaku, janë çelësi i suksesit, ku përveç Teatrit të ri Kombëtar për të cilin ka nisur puna, brenda këtij viti do të vijë edhe përfundimi i veprave të mëdha infrastrukturore për kryeqytetin.

“Ne duam që të mbarojmë Piramidën këtë Pranverë, të fillojmë Kopshtin Botanik pasi s’mund të jetë peng i rojës që merr para për fotografi dasmash. Duam që të përfundojmë unazën kemi një bashkëpunim me qeverinë ku ata bëjnë aksin kryesor. Ne merremi me shpronësimet dhe atyre që janë pa letra në gjurmën e unazës. Duam të mbarojmë unazën nga sheshi Shqiponja, kalojmë në lumin Paskuqan, rifutemi në Tufinë dhe bashkohemi në Farkë me unazën ekzistuese”.

Viti 2023 e gjen Tiranën si Qyteti Europian i Sportit, dhe kryebashkiaku Veliaj thotë se përveç mijëra aktiviteteve sportive, puna do të fokusohet dhe tek investimet sportive.

“Kemi parashikuar rreth 1 mijë aktivitete sportive, ajo që mësuam nga viti i rinisë është se gjithë këto aktivitete rrisin reputacionin e qytetit, shtojnë vlerën e pronës nga vizitorët, që vijnë dhe kemi pasur një boom të turizmit. Njërin e lançoi edhe Kryeministri që është transformimi i stadiumit Selman Stërmasi në një hapësirë të ngjashme me Arenën Kombëtare, e cila do jetë një hapësirë komerciale, punësimi dhe sport. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe me Pallatin e Sportit Asllan Rusi, që sigurisht do pasohen edhe me fusha sportive që ne do kompletojmë në zona të ndryshme të Tiranës. Janë planifikuar 100 terrene sportive”.

Investimet në shkolla pritet t’i japin fund mësimit me dy turne, të cilat në disa zona po zhvillohet për shkak të rikonstruksionit të godinave ekzistuese arsimore. E pas ndërtimit të shkollave të reja në Astir, Veliaj thotë se tashmë ka ardhur koha edhe për ndërtimin e kampusit universitar.