Kryebashkiaku Veliaj / Kemi ruajtur identitetin historik të Tiranës, do investojmë në krijimin e një Tirane për të ardhmen bashkëkohore

101
Sigal

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka folur për identitetin historik të Tiranës, ku është shprehur se si ky identitet është ruajtur duke rijetëzuar vlerat më të mira të qytetit, por edhe se si investimet e reja po i japin frymë Tiranës së të ardhmes. Ai shprehet se përqasja e Bashkisë së Tiranës ka qenë e trefishtë. “Ne duam të ruajmë Identitetin Historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme; t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike, dhe e treta, të investojmë në krijimin e një Tirane për të ardhmen, duke ndërtuar hapësira, por edhe ndërtesa bashkëkohore për 100 vitet e dyta të Tiranës Kryeqytet”, shprehet ai në videomesazh. Veliaj sqaron se në tetë vitet e fundit në Tiranë nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në hapësirat e shpallura monumente kulture, duke hedhur poshtë çdo akuzë të opozitës mbi këtë çështje. “Kushdo që thotë të kundërtën, nuk thotë të vërtetën, madje gënjen. Çfarë është vlerë për qytetin, do të mbetet vlerë për qytetin dhe asnjë ndërtim nuk është bërë në një monument kulture. Çfarë ka vlerë është ruajtur, është restauruar, i është rikthyer publikut dhe qytetarëve, në funksion edhe të zhvillimit turistik, edhe të ekonomisë lokale”, thotë ai.Nga ana tjetër, sipas tij, identiteti i një qyteti nuk mund të jetë një imazh statik, apo nostalgjik, nuk mund të jetë i ngrirë në kohë, që këqyret nga jashtë si të jetë një vitrinë, apo një muze. “Ne s’mund të zgjedhim që do e ruajmë të ngrirë Tiranën e viteve ’20, kur u shpall Kryeqytet e kur këtu jetonin vetëm 20 mijë banorë, apo edhe atë të pasluftës, apo atë të viteve ‘70, apo Tiranën e viteve ’90, ku banonin 190 mijë vetë, dhe as ketë të sotmen, me 1 milion banorë, nuk e ruajmë dot të pandryshuar”, sqaron ai.Po ashtu bëmë edhe me pallatin e Maks Velos, ku janë edhe shtëpitë e dy shkrimtarëve të mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, të cilat sot janë kthyer në pole turistike, si muze të qytetit. Kulla e Sahatit është një tjetër xhevahir identifikues i Tiranës. Ai gjihashtu tha se “Shtëpia e Gjetheve” dhe “Bunk’Art” janë sot dy muzetë më të vizituar të Tiranës. “Edhe për Teatrin Kukullave ka pasur shumë spekulime. Ndaj, dua ta sqaroj se gjysma e hapësirës tek ish Garda e Republikës, e cila i ka kaluar Bashkisë, do të përdoret për Teatrin e ri të Kukullave, që fëmijët të mos shkojnë në një ndërtesë të vjetër me batanije dhe peshqirë, por të shkojnë në një teatër modern. Pjesa tjetër do të jetë për Bibliotekën e re Kombëtare.,”- tha Veliaj.