Kryebashkiaku Vangjush Dako i jep titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” fotoreporterit të njohur italian Luca Turi

665
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” fotoreporterit të njohur italian Luca Turi. Vendimi për dhënien e titullit në fjalë është marrë me unanimitet nga këshilli bashkiak pak kohë më parë ndërsa tani është zhvilluar ceremonia në Durrës ku merrte pjesë edhe kreu i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj dhe zv/kryetari i Bashkisë së Barit, Filippo Melchiorre. Përpara ceremonisë delegacioni i Bashkisë së Barit i kryesuar nga zv/kryetari Melchiorre dhe fotoreporteri Luca Turi kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakun Dako e më pas është zhvilluar ceremonia e rastit. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako duke i dorëzuar titullin u shpreh se është shumë i kënaqur që këshilli bashkiak i akordoi këtë titull Luca Turit pasi ai ka bërë një vepër konkrete që dëshmon historinë e Durrësit në vitet 90 si dhe ka promovuar jashtë vendit vlerat e qytetit tonë: “Jam shumë i kënaqur që i japim titullin Qytetar Nderi Luca Turi. Luca ka bërë një vepër konkrete për Durrësin dhe për Shqipërinë, një vepër që dëshmon historinë e viteve 90, histori që çdo shqiptar që i ka jetuar ato ditë i kanë ngelur në mendje, por Luca nëpërmjet fotografisë së tij i ka përjetësuar gjithë ato kujtime që secili prej nesh i ka në memorie. Luca është me të vërtetë një durrsak sepse e ka bërë këtë vepër me shpirt dhe gjatë gjithë këtyre 28 viteve ka kontribuar për Durrësin me punën e tij duke promovuar vlerat e rralla të qytetit tonë dhe për këtë i jemi mirënjohës dhe do të vazhdojmë këtë bashkëpunim me të për të realizuar vepra dhe punë të mira për këtë qytet”. Fotoreporteri italian i cili bashkëpunon me La Gazzeta del Mezzogiorno si dhe me Rai e Mediaset ka fiksuar me aparatin e tij dramën e eksodit të parë të shqiptarëve drejt Italisë. Po kështu gjatë gjithë këtyre viteve ai ka promovuar vazhdimisht jashtë vendit vlerat e Durrësit dhe të të gjithë vendit tonë. Vetë fotoreporteri Luca Turi është shprehur se ndihet i vlerësuar me këtë titull. “Unë kam qenë në Shqipëri kur ajo kalonte një periudhë të vështirë dhe kishte probleme të shumta. Në atë kohë ëndërroja që Shqipëria të zhvillohej dhe të përparonte dhe sot shikoj Shqipërinë që ëndërroja atëherë ndërsa sot kam besim se Shqipëria do të jetë edhe më mirë në të ardhmen. Unë jam i dashuruar me Durrësin dhe Shqipërinë dhe këtu ndihem në shtëpinë time”. Ceremoninë e ka përshëndetur edhe zv/kryetari i Bashkisë së Barit, Filippo Melchiorre i cili e vuti theksin në miqësinë e fortë mes dy vendeve tona dhe ka shprehur mirënjohjen për nderimin që ju bë nga qyteti ynë fotoreporterit italian. Ai deklaroi gjithashtu se: “Kam qenë në Durrës në vitin 1998 por teksa vij sërish sot shikoj një Durrës tërësisht të transformuar, është bërë një punë mjaft e mirë dhe meritoni përgëzime.” Luca Turi ka një eksperiencë të gjatë në fushën e fotografisë me profesionin e tij si kinooperator. Ka filluar që i vogël të zbulojë sekretet e profesionit të tij. Në moshën 16 vjeçare u transferua në Milano për të jetuar më nga afër eksperiencën fotografike të veriut të Italisë duke punuar si fotoreporter në gazetat më të njohura të kohës. Në vitin 1964, në moshën 21 vjeçare, ai transferohet në Bari ku edhe vazhdon aktivitetin e tij si fotoreporter. Karriera e tij vazhdon deri në vitin 1991, vit kur anija “Vlora” me 20.000 refugjatë shqiptarë zbarkon në portin e Barit. Fotot e tij të shkrepura në portin e Barit bënë xhiron e botës duke qëndruar në faqet e para të gazetave më të mëdha. Zbarkimi i anijes “Vlora”e nxit Lukën për të bërë udhëtimin e tij të parë në vendin tonë për të dokumentuar nëpërmjet fotografisë situatën e atëhershme. Që nga ajo kohë ai nuk është shkëputur më nga vendi ynë duke ardhur vazhdimisht e duke promovuar jashtë vendit vlerat e qytetit të Durrësit dhe Shqipërisë nëpërmjet bashkëpunimit me media mjaft të njohura italiane. Luca Turi mban titullin “Cavalier” i Republikës së Italisë nominuar në vitin 1981 nga Presidenti i Italisë Sandro Pertini. Në vitin 2009 i ështe dhënë çmimi i gazetarise rajonale “Campione” për reportazhin e realizuar në Shqipëri mbi ngjarjen e dhimbshme të Gërdecit.