Kriteret dhe Vettingu rrëzojnë prokurorin e përkohshëm, Basha refuzon paktin

484
Debate, reagime, refuzim të kërkesës për bashkëpunim dhe pohim i vazhdueshëm i opozitës, se PS-ja po përgatitet të kapë gjithë sistemin e drejtësisë
Kur mendohej se mazhoranca e kishte lënë në heshtje çështjen e kryeprokurorit dhe kur nuk e përfshiu nuk kalendarin tre-javor të punimeve, dje në 7 dhjetor, pikërisht në datën kur Llallës i përfundoi mandati pesë-vjeçar i qëndrimit në detyrë, nisi beteja për largimin e tij. Brenda dy ditëve, e majta bëri të gjitha veprimet për të kryer procedurat e zëvendësimit të numrit një të hetimit. Debati në Komisionin e Ligjeve ishte tepër i ashpër. Opozita i kujtoi të majtëve, se janë duke shkelur kushtetutën. Ata e argumentuan këtë me faktin se kryeprokurori i ri zgjidhet vetëm me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ i cili ende nuk është ngritur. Pas tre orë debatesh në komision, opozita braktisi mbledhjen, ndërsa e majta me dhjetë votat e saj miratoi procedurat për hapjen e garës për kryeprokurorin e ri. Në të njëjtën kohë që anëtarët e komisionit debatonin me forcë dhe kundërshtonin opozitën, Rama nga Bullgaria i bëri disa herë ftesë Bashës për të ulur në bisedime me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje. Në një prononcim për median Rama nënvizoi se mazhoranca ka mundësinë kushtetuese të zgjedhjes me shumicë të thjeshtë, pavarësisht kësaj ai u shpreh se ka për borxh të ftojë opozitën në negociata. “Ftesa ime është për një pakt kombëtar për Evropën, në funksion të çeljes së negociatave si një stacion i Shqipërisë dhe jo i qeverisë vetëm dhe për ta shfrytëzuar këtë çështje të Prokurorit të përgjithshëm si një pikënisje të rëndësishme, duke u nisur nga fakti se, pavarësisht se ne kemi mundësinë kushtetuese të një zgjedhjeje me shumicë të thjeshtë, të krijojmë kushtet që të kemi një zgjedhje të mirëkuptuar me opozitën dhe nga ana tjetër, që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat. Unë kam për borxh të bëj deri në fund atë që më takon e, sigurisht pastaj borxhet që opozita i ka vendit, janë borxhe që opozita vetë duhet t’i konsiderojë e t’i trajtojë si të tilla”, u shpreh Rama.

Pas thirrjes për dialog nga kryeministri Edi Rama për bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të demokratëve Lulzim Basha, i cili thekson se “pakti” i vetëm për të cilin ka nevojë vendi është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. “I vetmi “pakt” që ka nevojë Shqipëria është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Kushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë janë të qarta: Zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; respektimi i të drejtave themelore të njeriut”, u shpreh Basha.

Më tej kreu i PD-së deklaron se opozita mbështet pa asnjë kusht përpjekjen për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve.

“1. Në mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të byrosë së hetimit dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vetingun dhe me tre të pestat e Kuvendit.

2. Ne mbështesim heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe hetimin e tij si çdo qytetar i thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës. Mbështesim pa kushte hetimin e të gjithë zyrtarëve të lidhur me krimin: Nga Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini tek shefat e policisë. Mbështesim arrestimin dhe hetimin e grupeve kriminale nga Habilajt tek Balilajt.

3. Ne mbështesim pa asnjë rezervë hetimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshi koncesionet në shëndetësi, në inceneratorë, në PPP, e kudo.

4. Ne mbështesim pa asnjë rezervë të drejtat e qytetarëve, liritë dhe pronën e tyre kundër ndërhyrjeve arbitrare”, shton Basha.

Në fund të reagimit të tij Basha shprehet se PD do të japë kontributin e vet në Kuvend dhe në institucione për këtë gjë, duke shtuar se detyra e tyre është të bëjë opozitë, çfarë sipas tij është rol themelor dhe i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, kufizimin e pushtetit dhe mirëqeverisjen e vendit. “Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet”, përfundon Basha.
Hapet “tenderi” për kryeprokurorin e ri, 5 ditë afat për kandidatët dhe kriteret 
Pavarësisht debateve dhe asaj çfarë u deklarua nga opozita, mazhoranca vendosi të hapë garën për kryeprokurorin e ri. Pas tre orësh debate dhe përplasje me opozitën, socialistët me vetëm 10 votat e tyre në Komisionin e Ligjeve miratuan këtë vendim, i cili shpall vakancën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nis procedurat e zëvendësimit.

Sipas këtij vendimi, brenda 5 ditëve që përfshijnë dhe tre ditët e pushimit zyrtar, deri të martën, të gjithë prokurorët që besojnë se plotësojnë kriteret mund të aplikojnë pranë Komisionit të Ligjeve për të qenë kryeprokuror. Fillimisht u miratua procedura.

A) Komisioni i Ligjeve fton prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve që brenda 5 ditëve të depozitojnë një CV të kandidatit.

B) Menjëherë pas depozitimit të listës, komisioni përgjegjës bën publikimin e saj dhe cakton datën për zhvillimin e seancës.

C) Pas zhvillimit të seancës komisioni i ligjeve shqyrton dokumentacionin dhe harton raportin për seancën plenare.

D) Kuvendi voton për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Kriteret që i përcakton ligji janë: të kalojnë me sukses vetingun, kusht që deri më tani nuk e plotëson asnjë prokuror i republikës sepse rivlerësimi akoma nuk ka përfunduar për asnjë prej tyre.

Kushte të tjera janë: të mos preket nga ligji i dekriminalizimit, të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

Ç) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret;
D) të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
DH) të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

Por edhe Kushtetuta ka disa kritere. Sipas saj, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Pas aplikimeve, Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët, dhe brenda dy ditësh pasi të ketë përfunduar dëgjesa, do të përgatisë raport për secilin kandidat drejtuar Seancës Plenare. Do të jetë kjo seancë që do të vendosë përmes votimit të zgjedhë kryeprokurorin e ri të përkohshëm, i cili do të ushtrojë detyrën deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kundërpërgjigja e Ramës: Rifilloi avazi 
Pasi ka marrë përgjigjen negative të liderit të Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama është kundërpërgjigjur përmes rrjetit social Facebook. “Rifilloi avazi!Jo ne, po edhe SHBA/BE e kanë gabim! Dhe prapë s’duan as dialog kur u thua votat ne i kemi po duam zgjidhje të përbashkët. Sidoqoftë unë e përsëris ftesën për dialog dhe zgjidhje të përbashkëta, aq më tepër në këtë fazë vendimtare të rrugëtimit të vendit drejt çeljes së negociatave për anëtarësim, kur Shqipëria duhet të fitojë mbi partitë e interesat e njërit a tjetrit”, shprehet Rama. Edhe më herët Rama i dërgoi një mesazh kreut të opozitës, pikërisht pasi kishte reaguar SHBA dhe prezenca e BE-së në Tiranë. “LB mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”, shkruan Rama në Facebook. Ky qëndrim i tij vjen pak pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu deklaroi se Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta, duke kërkuar që Parlamenti të zbatojë ligjin.
Sigal