Krimi në Elbasan, si në “shtëpinë e vet”. Policia struket qosheve, kriminelët dalin bulevardeve

481
Sigal

 Maksim TUFA

Gazeta Telegraf/ Vrasja e një 36 vjeçari në orët e vona të pasdites së ditës së shtunë,
vetëm 250 metra larg bulevardit kryesor të qytetit, është shenja më e keqe e
pasigurisë maksimale, e cila ka kohë që ka mbërthyer gjithë qarkun e Elbasanit.
Vrasja e emigrantit që sapo ishte kthyer nga Italia, qetësia me të cilën autori
kreu krimin, duke u larguar qetë-qetë nga vendi ngjarjes, ka tmerruar banorët e
gjithë lagjes “28 Nëntori”, kalimtarët e shumtë, por nuk ka shqetësuar aspak
policinë, e cila ka ardhur pas afro 15 minutash, duke mbledhur gëzhojat dhe
duke i kërkuar dyqanxhinjve elektrikë dore, për të kryer misionin e tyre. Të
shokuar nga ngjarja, e cila ka tmerruar të madh e të vogël, ka tmerruar edhe
fëmijët që luanin në trotuaret e pallateve, pranë të cilëve ndodhi vrasja
makabre, qytetarët u shprehën se “këtu nuk ka as rend dhe as siguri, ndjehemi
sikur të ishim në mes të xhunglës, vjen krimineli dhe nuk pyet as për polici,
as për kalimtarë, as për fëmijët që u stresuan dhe ulërinin, sepse panë skena
horror, ndërkohë që policia vjen sikur të ishte në dasmë dhe jo në një aksion
për të identifikuar  viktimën, dhe kapur
kriminelin”. Krimi në Elbasan ka kohë që ka marrë “zemër”, është bërë më
kryeneç, është trimëruar, nuk pyet as për ligjin, as për shtetin, as për
uniformat e shtetit. Madje këto të fundit, janë miqësisht të lidhur me elementë
kriminalë, kanë lidhje “pune”, biznesi dhe lidhje të tjera me kontingjentin e
zi. Viti 2016, do të mbahet mend si viti që ka bërë dhe vazhdon të bëjë kërdinë
me krime të shëmtuara në Elbasan, por edhe do të mbahet mend gjatë, si viti në
të cilin qytetarët identifikuan qartazi aleancat e fshehura dhe të hapura mes
policisë dhe elementëve të krimit, në të gjitha fushat e tij. Qytetarët e
Elbasanit, kanë mbi 3 vjet e gjysmë që përjetojnë mes ankthit dhe tmerrit  psikologjik dhe fizik, teorik dhe praktik, në përballje
me elementët kriminalë  dhe po vuajnë mbi
kurrizin e tyre pasojat e veprave të ndryshme kriminale, duke mos patur
asnjëherë atëherë kur duhet kujdesin dhe praninë e policisë. Kjo e fundit ka
kohë që e shpërfill zërin e qytetarit, ka kohë që e shpërfill zbatimin e
ligjit, ka kohë që shpërfill informacionin, i cili identifikon autorin e
krimit, ka kohë që shpërfill ndëshkimin ligjor ndaj çdo elementi kriminal, pasi
ka firmosur de facto  aleancat me grupet kriminale. Kjo situatë kaq
dramatike ka sjellë degradimin moral dhe profesional të segmenteve drejtuese
dhe atyre që janë në terren (ushtarëve), duke stimuluar me dashje, kryerjen e
veprave kriminale.

Revanshi i krimit

Revanshi i krimit duket se nuk ndalet, pasi ai vitet e fundit ka marrë edhe
mbrojtje politike, ai struket tek politika, bën pazare me politikën, jep dhe
merr nga politika, dhe është bërë ortak me politikën. Gjatë vitit 2016,
Elbasani ka përjetuar skena të llahtarshme krimesh, që nga grabitjet e
personave, bizneseve, tritoli ndaj personave e bizneseve, e deri tek vrasjet
makabre, të cilat padyshim kanë fajësuar dhe vazhdojnë të fajësojnë edhe
uniformat blu edhe strukturat parandaluese të veprave kriminale. Statistikat
reale tregojnë për trefishimin e vrasjeve dhe dhjetëfishimin e plagosjeve me
armë zjarri ose armë të ftohta, tregojnë për dhjetëfishimin e grabitjeve ndaj
personit, për rritjen e frikshme të veprave kriminale me autorë, personat që
janë konsumues të rregullt të drogave dhe partnerë të segmenteve të veçanta në radhët
e policisë. Kjo situatë e rënduar kriminale, po stimulohet hapur nga punonjës
dhe ndonjë drejtues policie në shkallë qarku. Rritja e frikshme e numrit të
veprave kriminale, kthimi i rrugëve, rrugicave dhe ambienteve publike në arena
krimesh makabre, tregon se policia nuk e njeh dhe nuk e ka fare nën kontroll
situatën në Elbasan.

Krimi ndodh ku shkel policia

Qytetarët duke apeluar
për rritjen  dhe forcimin e rendit dhe
sigurisë, shprehen se “në Elbasan policinë e shohim si delen e zezë, pasi atje
ku shkon policia sot, nesër ndodh një krim, atje ku shkel policia sot, nesër do
të ndodhë një grabitje, një vjedhje apo një vepër tjetër kriminale. Puna e saj
shihet me dyshim, ndaj edhe qytetarët mendojnë se e ardhmja do të jetë edhe më
e zezë se e sotmja me këta persona apo drejtues që, veç uniformës blu, asgjë
tjetër nuk kanë të përbashkët me ruajtësit e rendit dhe qetësisë publike”. Revanshin
e krimit nuk mund ta ndalin ata që janë ortakë me krimin, nuk mund ta ndalin
ata që i buzëqeshin krimit, ata që e ledhatojnë krimin, ata që e njoftojnë me
celular krimin apo ata që ndajnë lekët me krimin. Revanshin e krimit e ndalin
ata që janë ballas me krimin, e ndalin ata që nuk e tolerojnë dhe nuk ndajnë
paratë natën me krimin, e ndalin ata që janë betuar para ligjit  dhe që e kaluara e errët  nuk i tërheq si magnet drejt llumit të zi