Krerët e partive, përgjegjës për deputetët dhe kryebashkiakët me rekorde kriminale

Forum me Prof.Zamira Çavo dhe Majlinda Keta: Personat me rekordë kriminale financojnë partitë në fushata elektorale, ndaj dekriminalizimi është nul. Pa u shkulur kjo elitë e korruptuar dhe klienteliste e politikës, krimi do të bashkjetojë me ta dhe nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme
Edhe pse në Kuvend u miratua ligji i dekriminalizimit, asnjëherë, në asnjë debat politik nuk u përmend, nuk u analizua përgjegjësia politike e kryetarëve të partive, të cilët, me anën e listave të mbyllura për kandidatët për deputetë, përzgjodhën persona me rekorde kriminale. Kryetarët e partive, e dinin që kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë, që përzgjodhën mund të kishin probleme me drejtësinë, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në vendet ku ata kishin emigruar, pasi të ardhurat e tyre ekonomike nuk mund të justifikoheshin, por që kanë ardhur nga aktivitete kriminale. Kryetarët e partive, u kishin nevojën financiare këtyre personave me rekorde kriminale, sepse bënë paraprakisht marrëveshje, që këta persona të financonin fushatat elektorale të partisë, por edhe me forcën dhe dhunën, të detyronin zgjedhësit që të votonin listën e partisë. Gazeta Telegraf në forumin për përgjegjësit e kriminalizimit të politikës, ftoi mendimin e Prof. dr. Zamira Çavo, dhe të lektores së Filozofisë të UT Majlinda Keta, duke u drejtuar këto pyetje:
  • – A kanë përgjegjësi kryetarët e partive për deputetët dhe kryebashkiakët që kanë rekorde kriminale?
  • – Nëse nuk zhbëhet Kodi Zgjedhor dhe listat e mbyllura për deputet, a do të ketë ndikim ligji i dekriminalizimit?
Prof. dr. Zamira Çavo pohon se mënyra sesi funksionojnë partitë politike në Shqipëri i ka lejuar Liderit të drejtën absolute të vendimmarrjes politike dhe është demagogji që kryetarët e partive të fshehin përgjegjësitë e tyre personale për personat me rekorde kriminale që janë zgjedhur deputetë dhe kryebashkiakë. Prof. dr. Tritan Kalo thotë se “Kryetarët e partive janë përgjegjësit kryesorë të listës së të përzgjedhurve të përfaqësimit të këtyre forcave politike, dhe këtu flas për të dy krahët e politikes sonë” dhe se “Kodi ynë Zgjedhor është bërë si ato mballomat e këpucëve, apo të pantallonave të vjetra, sepse në të po ndërhyhet sa here kemi zgjedhje, dhe besueshmëria e tij sa po vjen e zbehet”. Lektorja e Filozofisë të UT Majlinda Keta, duke evidentuar si shkak kryesor të kriminalizimit të politikës vetë Sistemin Zgjedhor, pohon se “Kodi ekzistues elektoral është Kodi i Zeusave të Politikës, po aq sa mund të quhet Kodi i Shok-ut të pluralizmit politik në vend. Ai mbetet kodi më antivlerë në historinë e parlamentarizmit shqiptar”. Deputeti Nard Ndoka, që është edhe kryetar i PDK, dekaron për gazetën “Telegraf” se “Së pari, kryetarët e partive jo vetëm që kanë patur dijeni, por i kanë zgjedhur për të përfituar nga financimi i parave të pista që ato kanë sjellë në fushatë, por edhe për të organizuar rreth vetes të tjerë me precedentë kriminale, të cilët do vazhdojnë të jenë kontingjente të këtyre partive. Listat e mbyllura, forcojnë autoritetin e kryetarit, por largojnë deputetin nga qytetarët”.
Prof. dr. Zamira Çavo
Është demagogji, që kryetarët shfajësojnë vetveten nga përgjegjësia për deputetët e inkriminuar
Mënyra se si funksionojnë partitë politike në Shqipëri i ka lejuar Liderit që të zgjedhë jo vetëm në strukturat e partisë, por aq më tepër në listat e deputetëve. Ky “lejim” gradualisht është shndërruar në të drejtën absolute të kryetarit. Askush nuk e kundërshton, askush nuk propozon dhe askush nuk vendos. Me fjalë të tjera, liderët e partive politike në vend janë as më shumë e as më pak, por “autoriteti” i vetëm që ushtron të drejtën e përzgjedhjes. Por si çdo e drejtë, edhe e Drejta e e përzgjedhjes së deputetëve ka pashmangësisht dhe përgjegjësinë për prurjet që sjell. Ndaj çdo pretendim që kryetarët nuk mbajnë përgjegjësi për personat me të kaluar kriminale, është thjeshtë demagogji. Nëse nuk ndryshon mënyra se si funksionon Partia, gjithnjë do kemi një kryetar që zgjedh këdo që i do qejfi e që nuk mban asnjë përgjegjësi për ata që sjell në tempullin e demokracisë. Ligji i dekriminalizimit apo dhe reforma në Drejtësi nuk besoj se do sjellin “mrekullinë e demokracisë” Pa u shkulur kjo elitë e korruptuar, autoritariste dhe klienteliste e politikës, asnjë Ligj zgjedhor nuk mund të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Ndaj dhe sikur të ribëhet Kodi sërish mund të verë një “pengesë”, të cilën kjo elitë e kapërcen pa u lodhur fare.
Majlinda Keta
Kodi ekzistues elektoral është kodi i Zeusave të politikës po aq sa mund të quhet kodi i shok-ut të pluralizmit politik në vend. Ai mbetet kodi më antivlerë në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Së pari, se u hartua me një fokus të qartë armiqësor, atë të zhdukjes nga arena politike e LSI dhe partive të tjera përtej ish PS dhe PD. Ashtu sikundër, jo pak nga ligjbërja shqiptare, prej shumë vjetësh, për shumë sektorë, edhe ky kod u iniciua, duke patur parasysh nominalin politik (për goditje apo përfitim), ndërkohë që duhej të kishte shkak shumë situate, apo fenomene elektorale kritike në demokracinë e votës nga 2005-sa, që i duhej përsosur, apo iniciuar rregullatori juridik.
Së dyti, është ky kod që për të majtën ka sjellë shumë dëme në ideologji e program të majtë, pasi LSI- në e detyroi të “flirtonte” djathtas dhe majtas për të provuar qëndrueshmërinë në arenën politike, sikurse në fushë lojë pluralizmi shqiptar humbi të majtën klasike, pasi veç LSI, paralel me “sjelljet e detyruara politikisht” të saja në aleanca pos 2005 u zhvillua metamorfoza nga PS në Rilindje, duke bërë që sot e majta të gjendet në ditët më të këqija, si ekzistencë e një lojtari të qartë në arenën e politikës shqiptare. Mbi të gjitha, këto 2 pasoja të kodit të tangos së fundit Rama- Berisha, ky kod famëkeq prodhoi kryetarët e listave, që shkelën dhe degjeneruan partitë politike, ashtu siç kryetarët kishin ambiciet dhe orekset e tyre për strukturat dhe institucionet vendimmarrëse në partitë respektive, duke përdhunuar demokracinë e brendshme në parti dhe duke ja lënë vendin oligarkisë politike të partive të Kryetarëve Zeusa, që rrënjët më së shumti i ka në oligarkinë financiare apo edhe lobet e jo pak bizneseve okulte, duke i vrarë idealin dhe solidariten, vullnetarizmin dhe demokracinë partive të mëdha.
Brenda kërkesës së tyre për të blerë votën për pushtete okulte të Kryetarit u shpreh edhe tendenca e orientimit drejt kandidatëve me financa të dyshimta, apo me karriera të diskutueshme që për fatin e keq u bënë edhe krahu i fortë i Kryetarit në parti për të spastruar intelektualizmin dhe pas tij dhe frymën e mendimit ndryshe. Këto pushtete okulte të njerëzve me rekorde kriminale vunë në rresht veprimin lokal politik pro vijës së Kryetarit, sikurse ndezin motorët e agresivitetit ndaj çdo kundërshtuesi ndaj Zeusit politik. Për mua, e keqja nuk qëndron tek CV e këtyre individëve, të cilët mbajnë mbi supe të mirën dhe të keqen e tyre në mënyrën si kanë zgjedhur të bëjnë jetën. E keqja është tek “tenderi” i kryetarëve për këtë lloj cilësie dhe, së dyti, fakti se të gjithë këto individë, ndërsa kandidonin, kanë një “histori” pastrimi me vulë institucionesh shteti shqiptar. Që në një popullatë, ku gjysma e saj ka emigruar në 25 vite, do ketë edhe shqiptarë me rekorde kriminale kjo nuk përbën ndonjë fenomen që bota e qytetëruar nuk e njeh. Por që pikërisht këto individë me rekorde i listohen anëtarëve të bazës apo mbështetësve të partive nga kryetarët politikë, si ajka e ideologjisë dhe e programit politik në emër të partive, kjo është e papranueshme në një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës. Këto “kryetarë kodi “ institucionalizuan krimin në politikë, ndërsa i ftuan në jetë politike, i listuan si ajkën e përfaqësimit, i mbështetën publikisht duke i kërkuar votën bazës së anëtarësisë politike, mbyllën veshët dhe sytë ndërsa shihnin rritjen e përdorimit të mekanizmit vendimmarrës nga “të fortit” në komunitetet lokale politike.
 Këta kryetarë janë përgjegjësit kryesorë të kriminalizmit të politikës, deputetët, apo kryebashkiakët me rekorde kriminale ishin thjeshtë instrumente që u përdorën për MEGApushtetet e Kryetarëve në partitë respektive. Këto parti të korruptuara në demokracinë e brendshme dhe institucione prodhuan edhe qeverisje të korruptuara bazuar në nepotizma alla feudale dhe keqmenaxhim e korruptim të përdorimit të financave publike. Këto lloj pushtete oligarkësh politikë korruptuan drejtësi, media, shoqëri civile deri edhe të huaj që i duhej të raportonin në emër të misioneve të tyre në Shqipëri. Rrënja e të gjitha këtyre situatave kritike për demokracinë shqiptare është ai KOD dhe prekja e Kushtetutës në mënyrën më brutale dhe të papërgjegjshme. Për mua, e ritheksoj, ky Parlament duhet të shpërndahet urgjentisht po aq sa vendi duhet të kalojë nën një qeveri teknike. Nuk mundet që Shqipëria të kthehet në një kohë së cilës i ka thënë lamtumirë në dhjetorin e 1990, ndërsa prêt hapjen e negociatave për anëtarësim duke patur kolonë zanore rekordet dhe videot e shpallura publikisht të deputetëve dhe qeveritarëve në kulmin e antimoralit, qasur krimit, korrupsionit apo pushtetit që deliron në instinkt, pushtet e financa. Shqiptarët nuk mund të nisin dhe ngrysin ditët e një popullate ku gjysma është në varfëri duke pritur videon e skandalit të radhës ndërsa të tjera live zhvillohen në institucione shteti dhe partie. Karrierat e intelektualizmit në shtet e parti nuk mund të vazhdojnë të përdhosen nga pushteteokulte të oborreve të oligarkëve politikë e financiare duke e bërë të pajetueshme këtë Shqipëri për masën më të madhe të të rinjve që në auditore universitetesh shprehen se vetëm duan të ikin nga ky vend. Tentakulat e oligarkut politik të Tiranës shtrihen po në atë cilësi kanceroze krimi e korrupsioni, fudullëku dhe arrogance mbi çdo komunitet lokal, politik apo qytetar qoftë ky. Qeveria teknike do jetë ajo që duhet të marrë përsipër 3 funksione, 1. Kodi i Ri Zgjedhor 2. Përgatitja e vendit për zgjedhje të reja 3. Ndërgjegjësimi dhe pjesëmarrja referendare për domosdoshmërinë dhe cilësinë e Reformës në Drejtësi, funksionaliteti i së cilës do të sjellë edhe ligjin e dekriminalizmit. Ky termi i fundit, në inflacionin e vet na ka bërë të harrojmë se nuk bëmë as dekomunistizimin që mbase dhe besoj se është edhe shkak i këtij kriminializimi të jetës politike në vend. Kjo klasë politike nuk do finalizojë asnjë nga këto që ka nevojë Shqipëria për të progresuar normalisht, ligjërisht dhe me demokraci.
NOA