KQZ-ja kthehet arenë e tensionimit politik të PD-së dhe PS-së

534
Sigal

Mbledhja e djeshme e KQZ-së ishte parashikuar të miratohej shpërndarja e fondeve për partitë parlamentare për fushatën zgjedhore të 2013-s. Mirëpo, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarja Albana Shtylla kanë kërkuar që fillimisht të fillohet me kërkesën e tyre të cilësuar si informacion mbi numrin e banorëve në Qarkun e Kukësit, për të cilën kryetarja Lleshi tha se do të kthehet përgjigje me shkrim. Ndarja e mandateve ka qenë një pikë tjetër e nxehtë në debatin mes palësh, ku nënkryetari Denar Biba e cilësoi si antikushtetuese kërkesën e KQZ-së, drejtuar Kuvendit për ndarjen si në vitin 2009 të mandateve. Nënkryetari Biba, ashtu sikurse përfaqësuesja tjetër e PS-së në KQZ, Albana Shtylla, thanë se, duhet të sigurojnë barazinë mes votës së qytetarëve, pavarësisht zonës, ku banojnë. Pas situatës së tensionuar në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor, përfaqësuesi i PS-së në këtë komisioni, njëherësh nënkryetari Denar Biba në një prononcim për mediat sqaroi debatin dhe ‘ngërçin’ që po mban peng ndarjen e mandateve, teksa nënvizoi se, kjo është kompetencë e KQZ dhe jo e Kuvendit. “Ajo tavolinë e zbrazur, jepeni të shikoni në çfarë pozitash ka rënë KQZ. Ne kërkojmë mbledhje të KQZ dhe prezantimit të çështjeve që na shqetësojnë dhe na refuzohet pa asnjë bazë ligjore. Ju ishit këtu që të na jepnin bazën ligjore për kërkesat tonë për informacion që Sekretarja e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të premten pasdite. Pas asnjë kompetencë sekretarja i drejtohet Kuvendit. Zotërinjtë e KQZ nuk morën vendim për ndarjen e mandateve dhe i ndani ju si në 2009. Së pari, të paktën në 2009-n, Arben Ristani pati guximin edhe e dërgoi vetë dhe mori përgjegjësinë e tij mirë apo keq. Së dyti, ajo që më shqetëson, është shtimi i popullsisë në disa qytete. Të gjithë po shkojnë drejt Kukësit. Kjo situatë e bën të pamundur ndarjen e mandateve me popullatën e Shqipërisë. Nëse do të aplikohej popullata e viti 2009 në 2013 do ishte një ndarje e pabarabartë”, tha Biba, gjatë një pushimi të shkurtër për shkak të tensionit të krijuar”, tha nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba. KQZ-ja miratoi me konsensus “aktin për kërkesat ankimore” si dhe “Zyrat rajonale zgjedhore”. KQZ-ja diskutoi në vazhdim mbi zërin e shpenzimeve në buxhetin e 2013, ku përfshihej edhe përcaktimi i mbështetjes financiare për partitë politike parlamentare, ku natyrshëm përfitueset kryesore janë dy partitë e mëdha, PD dhe PS. 200 milionë lekë është buxheti vjetor i vënë në dispozicion të mbështetjes së këtyre forcave politike, shpërndarja e të cilit i referohet rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. 70% e fondit ndahet sipas numrit të mandateve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20% ndahet në mënyrë të barabartë mes të gjitha partive parlamentare, ndërsa 10% shkon për partitë që kanë arritur të kalojnë pragun elektoral prej 1% në zgjedhjet e fundit parlamentare.