Keqardhje për të keqpërdorurit!

472
Sigal

Zgjatet lista e intelektualëve që i drejtohen Edi Ramës të votojë 3 ligjet e integrimit

Një miku im aktor, të cilit nuk po ia përmend emrin që të mos i rrezikohet vendi i punës, dje ishte tejet i mërzitur, turfullonte  dhe gati sa s’qante. “Ma futën edhe mua emrin në listë, ma futën! U bëra edhe unë palë me qeverinë! Për bukën e gojës! Ndryshe ik nga puna, më thanë. Kështu firmosa…” Kështu më tha, duke i hequr kallajin “thirrjes atdhetare” drejtuar Edi Ramës. Dhe shfrynte kundër vetes së vet. Dje u publikua me entuziazëm lista e re e intelektualëve drejtuar kreut të opozitës për të votuar tre ligjet e integrimit. Dhe lista shtohet e shtohet pambarimisht duke treguar me gisht opozitën si penguese të integrimit të Shqipërisë në Europë. Dukuria e firmosjes së listave dhe apeleve është shndërruar në një modë që, pavarësisht gjestit atdhetar në dukje, mbart një politizim të skajshëm, një manovër të pështirë të politikës për të keqpërdorur intelektualët. Dje u tha se numri i këtyre intelektualëve arriti në 256, sot mund të shkojë 400 a 700, sepse pas bluzave të bardha, artistëve dhe shkrimtarëve, tashmë në rresht janë vënë edhe mësuesit. Ky avaz vazhdon prej më shumë se njëzet vjetësh. Dy ditë më parë ne botuam në gazetë të një liste prej 183 intelektualësh në vitin 1992, krahas me listën e re të vitit 2012. Të vjen vërtet keq që disa nga intelektualët e sotëm keqpërdoren në një mënyrë kaq të paturpshme nga pushteti aktual, sepse janë vërtetë të rrallë ata që mund t’i besojnë profka të tilla. Sepse le të bëjmë një qasje të thjeshtë: Si nuk u bë një apel nga këta intelektualë “të përvëluar” për integrimin, drejtuar qeverisë kur ndodhi Gërdeci me 26 të vrarë apo për ngjarjen e 21 janarit? Ku ishin atëherë këta intelektualë, apo iu dukej normale të ndodhin të tilla tragjedira në Shqipërinë demokratike të shekullit të 21-të. Tjetër, ku ishin këta artistët e listës së sotme që nuk i drejtuan një letër Kryeministrit të vendit apo ministrit të Kulturës Aldo Bumçit kur u prishën dhe vodhën afresket e Onufrit? Apo trashëgimia jonë kulturore dhe historike nuk kanë vlerë për ata dhe u duket normale që ato të vidhen, të prishen e shkatërrohen pa nam e nishan? Mandej, pse nuk bëzanë këta intelektualë për manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve në 2009-n, në 2011-n? Apo iu duken gjëra të vogla këto? Ata mund të shfajësohen duke thënë se i detyrojnë të bëjnë akte të tilla publike në kundërshtim me moralin dhe angazhimin e tyre. Vetë letra të tilla publike tashmë janë bajatosur aq shumë, sa nuk i beson njeri. Po keqpërdoren në pragun e një fushate zgjedhore që mendohet të jetë e ashpër dhe përcaktuese për zhvillimet e mëtejshme politike në vend. Kështu, krejt padashje ata, pra intelektualët e listuar nga qeveria, po marrin padashje një përgjegjësi që nuk u takon ta mbajnë mbi supe. Shumë prej tyre nuk duan të përzihen në punët e politikës, pasi arti dhe punët që bëjnë nuk i kanë ngjyrat e partive. Atëherë pse politika e ditës i mashtron dhe i manipulon kaq paturpësisht?

Artistët thirrje Ramës: “Mos blloko rrugën europiane të shqiptarëve!”

Shkon në 256 numri i intelektualeve që kërkojnë nga kreu i Partisë Socialiste votimin e 3 ligjeve të integrimit. Së fundmi edhe 64 personalitete të pikturës, letërsisë, artit dhe sportit i janë bashkuar peticionit të nisur ditë më parë. Bie në sy emri i shkrimtarit: Fadil Kraja, i aktorëve Monika Lubonja, Zef Deda, Zyliha Miloti, i piktorëve Juka, Kalaja, i balerinave Enada Hoxha, Helga Saraçi e shumë të tjerë. Të gjithë bashkë, që zoti Rama të lejojë deputetët e tij të votojnë 3 ligjet e të mos bllokojë më rrugën e shqiptarëve drejt shtëpisë europiane.