KQZ-ja e re i rikthehet “zanatit” të vjetër, shfuqizohet gjoba ndaj zyrtarit socialist

54
Sigal

Një gjobë 1500 lekëshe ndaj zyrtarit të Agjencisë së Kadastrave Lushnjë për shkelje të kodit zgjedhor u rrëzua nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, i cili, në stilin e KQZ-së historike, argumentoi se një deputet që shpërndan certifikata pronësie nuk përbën provë të kapjes së shtetit nga një parti politike.

Drejtori i Agjencisë së Kadastrave Lushnjë, Arben Qalliu nuk do të duhet të paguajë 1,500 lekë gjobë, e cila iu vendos nga Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi pasi Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve e rrëzoi gjobën si të pabazuar në ligj.

Gjoba lidhej me një aktivitet publik të deputetit socialist Bujar Çela, i cili u shfaq në media duke shpërndarë çertifikata pronësie, një nga praktikat më të kritikuara të zgjedhjeve të shkuara, në të cilat, politikanët dhe zyrtarët e administratës publike shfaqen njësh duke zhdukur çdo lloj dallimi mes shtetit dhe partisë dhe duke shkelur një nga parimet më të rëndësishme të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Pasi Lëvizja Socialiste për Integrim u ankua për shkeljen, Komisioneri Celibashi vendosi dënimin e Qalliut me 1,500 lekë gjobë pasi konkludoi se ky ka abuzuar me pozitën që ka si nëpunës civil për të dorëzuar te deputeti çertifikata pronësie dhe që ky i fundit t’ia jepte qytetarëve. Celibashi gjithsesi nuk gjeti fajtor deputetin Çela dhe rrjedhimisht nuk e dënoi atë.

Vendimi i Celibashit u ankua nga Qalliu në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, një institucion më i lartë i KQZ-së së re, i cili përbëhet nga anëtarë të zgjedhur nga parlamenti të cilët janë në përgjithësi ish-zyrtarë socialistë apo demokratë. Paralelisht me Qalliun në KAS u ankua edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kërkoi dënimin e deputetit Çela për shkelje.

Të premten, Ilir Rusmajli, i cili është ish-deputet demokrat që është votuar në krye të KAS me votat e socialistëve, deklaroi në emër të komisionit se kërkesa e Qalliut për rrëzimin e gjobës është pranuar ndërsa kërkesa tjetër e LSI u rrëzua. Rusmajli deklaroi se aktiviteti për të cilin akuzohet Qalliu ka ndodhur jashtë periudhës 4-mujore para datës së zgjedhjeve ndërsa aktiviteti i reklamuar në media sipas tij, “nuk përbën aktivitet publik” në kuptim të ligjit.

“Nga dokumentacioni i administruar është provuar që deputeti Bujar Çela ka pozuar me banorë të njësisë administrative Hysgjokaj,” deklaroi Rusmajli duke shtuar se ky pozim ka ndodhur “me çertifikatat e pronësisë në duar, në brendësi të banesave, në oborret ose në hyrje të tyre”.

“Rrethanat e ngjarjes nuk provojnë shpërndarjen e certifikatave nga deputeti, por ama krijojnë bindjen se ai ka marrë pjesë në proces,” deklaroi më tej Rusmajli.

“Nuk rezulton e provuar që kryerja e veprimtarisë të jetë bërë në vende të hapura për publikun, në sheshe apo në mjedise komunitare të zonës apo që publiku të jetë ftuar në shfaqje,” shtoi Rusmajli.

Ndarja e shtetit nga partia në qeveri është një detyrim ligjor i njohur por në marrëveshjen e fundit për reformë zgjedhore palët politike ranë dakord të sanksionojnë në mënyrë eksplicite si aktivitet të ndaluar shpërndarjen e certifikatave të pronësisë nga zyrtarët politikë në kohë zgjedhjesh.

Keqpërdorimi i shtetit në funksion të partive politike ka qenë një fenomen i përsëritur, në veçanti me proceset e legalizimit të ndërtimeve pa leje, një proces që ka nisur në vitin 2004 ose shtatëmbëdhjetë vjet më parë dhe që nuk është mbyllur ende. Sali Berisha, Edi Rama dhe politikanë të tjerë janë shfaqur në mënyrë të përsëritur duke shpërndarë certifikata legalizimi nëpër fushata elektorale duke shkelur themelet e shtetit të së drejtës, atë që një e drejtë ligjore si legalizimi, i takon një qytetari pavarësisht nëse në pushtet është njëra apo tjetra parti politike.