Kosova vijon me masat për parandalimin e koronavirusit, por kufizimi i qarkullimit përfundon më 12 prill

282
Sigal

Qeveria e Kosovës ka vazhduar disa prej masave kryesore në përpjekje për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit, derisa masa e ndalimit të qarkullimit me orë të caktuara do të përfundojë më 12 prill.

Sipas njoftimit nga Qeveria në detyrë, në mbledhjen e 22-të korresponduese është vendosur që të vazhdojë ndërprerja e procesit edukativo-arsimor, të vazhdojë pezullimi i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor dhe të vazhdojë ndalimi i veprimtarive të restoranteve, klubeve të natës, e palestrave.

Kanë vazhduar edhe masat që ndalojnë hyrje-daljet nga Klina, Vitia dhe Malisheva.

Qeveria ka vazhduar edhe emergjencën për shëndetin publik.

Ndërsa vendimi që ndalonte qarkullimin e lirë të qytetarëve nga ora 17:00 deri në orën 06:00 në nivel vendi, do të ndërpritet më 12 prill, ashtu siç është thënë edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e vlerësoi antikushtetues këtë vendim.

“Situatën epidemiologjike, ministri në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë do ta ri-vlerësojë çdo ditë dhe në lidhje me secilin vendim të lartcekur, pas konsultimeve paraprake me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ministrive të tjera të linjës dhe ekspertët përkatës, mund t’i rekomandojë Qeverisë mbetjen në fuqi, ndryshimin apo plotësimin ose shfuqizimin e tyre. Vendimi obligon institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij, ndërsa ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës shfuqizon vendimin Nr. 01/18 i datës 28.03.2020 i cili rregullonte zbatimin e vendimeve të lartcekura”, thuhet në njoftim./Koha.Net