“Kosova është vendi më pro-amerikan në botë” i përcjell Donald Trump Ambasadorja Kosovare Çitaku

481
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka folur me Presidentin e Zgjedhur Donald Trump, gjatë një mbrëmje sot, në Washington DC dhe i ka thënë se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë.
“Jam ambasadorja krenare e vendit më pro-amerikan në faqen e dheut”, i tha diplomatja e njohur e Kosovës, e cila ka postuar, në rrjetet sociale, këto fotografi nga momenti i shkëmbimit me Presidentin e Zgjedhur.
“Ne jemi një vend me shumicë myslimane, por edhe një vend prodhues dhe konsumator i verës”, i ka thënë veç të tjerash, Ambasadorja Çitaku gjatë shkëmbimit me njeriun i cili do të betohet si President i Shteteve të Bashkuara në 20 janar 2017, në ceremoninë tradicionale që mbahet në kryeqytetin amerikan.
Shkëmbimi me Ambasadoren Çitaku ndodhi gjatë një mbrëmje me trupin diplomatik në Washington DC, në kuadrin e veprimtarive për inaugurimin e presidentit të ri.
Ndonëse në një sallë të mbushur me ambasadorët e gjithë botës, Ambasadorja Çitaku ka shkëlqyer duke rrëmbyer minuta të rralla e të vyera nga koha e Presidentit të Zgjedhur.
Ajo tha se ka biseduar edhe me Shefin e Stafit të Presidentit të Zgjedhur si dhe me një Këshilltar të Lartë të tij.
Republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet në 8 nëntor 2016 duke mundur kandidaten demokrate Hillary Clinton. Trump ka sfiduar disa nga traditat e vizionit amerikan për botën ndaj vëzhguesit po ndjekin me kujdes përgatitjet e administratës së re për të parë se deri në çfarë mase mund të ndryshojë politika e jashtme e SHBA-së nën drejtimin e tij.
Sigal