Korrieri i OSBE-së, ngatërron zarfin për Fatmir Xhafën

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku ishte i ftuar ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili bëri prezantimin e 2 projektligjeve, që lidhen më Kodin e Procedurës Penale dhe p/ligjin për luftimin e korrupsionit, nuk i kurseu ironitë e tij ndaj OSBE-së, për faktin që OSBE-ja nuk i dërgoi atij zarfin e kritikave, por ia dërgoi, sipas zotit Xhafaj, gabimisht …medias. Siç dihet, pardje OSBE-ja bëri kritika të hapura ndaj kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, për futjen në diskutim të këtyre 2 projektligjeve,  sepse, sipas OSBE-së, Kryetari i Komisionit të Ligjeve nuk ka marrë fare mendimin e OSBE-së, nuk është konsultuar madje as me ekspertë amerikanë. OSBE-ja, madje, ka zbardhur edhe përmbajtjen e letrës së saj, publikisht, kur, ndërkohë, sipas pretendimeve të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, OSBE-ja nuk e kishte informuar fare atë. Kështu, zoti Xhafa, para se t’ja jepte fjalën ministrit Naço, bëri edhe një koment shumë ironik ndaj OSBE-së, duke thënë: “Kam respekt për OSBE-në, edhe për mjetet e komunikimit, që përdor janë shumë transparente, por doja të thosha, që neve na intereson thelbi e jo postierët, që mund të kenë ngatërruar rrugën”.

NOA