“Konkurrenca ekonomike ka vdekur, investitorët tremben të investojnë”

473
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PS-së, Ilir Bejtja: “Monopolet ekonomike në Shqipëri janë nën kujdestarinë politike të Berishës”

Për cilët nga këto kompani të fuqishme, qoftë edhe shumëkombëshe, Berisha i ka favorizuar, në një konkurrencë jo të barabartë, në krahasim me të tjerët, në mënyrë që të argumentohet akuza politike, që “ kështu ndahen 5 miliardë dollarë të pasurive dhe parave të Shqipërisë në “Tregun Berisha”?

– Që të gjitha këto kompani janë të favorizuara ndaj të tjerëve brenda dhe jashtë vendit, përndryshe nuk do të kishim këto situata monopol. Ndërkaq, Autoriteti i Konkurrencës fle gjumë dhe bën si gjahtari që shkon pas gjurmëve të veta.

– Zoti Bejtja, në këto akuza të deputetit Braçe, cilat janë lidhjet e Berishës me këto monopole? 

–  Mënyra e përgatitjes së dokumentacionit të privatizimit të shumë prej ish ndërmarrjeve publike me rëndësi strategjike, mënyra e argumentimit shpërfillës nga qeveria në Komisionin e Ekonomisë dhe në parlament, njësoj sikur mbrojnë “evlatin e tyre të vogël”, me ashpërsi dhe devocion, të lë shije të keqe. Mbrojtja dhe dhënia e koncesionit për shfrytëzimin kanibalesk të pasurisë kombëtare për të famshmet “multinacionale” që përfaqësojnë dhe “investimet e huaja” në Shqipëri, parada e paturpshme e vjedhjes së kësaj pasurie nuk mund të përjashtojë Berishën nga të gjitha, sa thotë deputeti Braçe, përkundrazi, i japin atij vetëm një rol, atë të Kapitenit të çdo aksioni monopolistik e mafioz në vend. Skandalet e lidhura me familjen e tij, ato të lidhura me bashkëpunëtorë të afërt të tij, me ministrat e tij, dhe partneriteti i qëndrueshëm për t’i nxjerrë të gjithë këta nga balta, nuk është aspak kujdes atëror, por sjellje prej patrinoje që drejton një kupolë të ndyrë korrupsioni që po na rrënon çdo ditë.

–  Ju si do ta karakterizonit klimën e konkurrencës në Shqipëri?

– Thellësisht të shtrembëruar, apatike, e degraduar, ngjan me një pasqyrë të grimcuar keqazi, ku asgjë nuk mund të duket dhe ndërmarrjet ecin në errësirë totale, errësirë që është i vetmi shteg i imponuar nga mure betoni të drejtimit monopolistik e oligopolistik të tregut. Kjo është dhe një nga arsyet kryesore të apatisë në rritjen ekonomike dhe shoqërimit të saj me rritje të vazhdueshme të papunësisë, por së fundi edhe nga një deflacion qesharak dhe i pakuptimtë për një ekonomi në rritje të shpejtë si Shqipëria.

– A janë në kushte të barabarta investitorët e huaj dhe vendas që të tregojnë interes të investitojnë në Shqipëri?

– Më ka rastisur jo një herë që investitorë të huaj që kërkojnë konsulencë ligjore dhe ekonomike, pas mbarimit të diskutimit dhe sqarimeve lidhur me mënyrën dhe mundësitë për biznes në Shqipëri, më thonë “… po, nuk qenka shumë ndryshe nga vendi ynë, por më duket se ka edhe një rrugë tjetër!”. Dhe kjo rrugë është ajo e manovrimit të shtetit, me dëshirën e plotë të këtij të fundit në shkëmbim të “disa favoreve të vogla”.  Kudo gjejnë pengesa dhe shtrembërime, derisa të bien në ujdinë e burokratëve ose sekserëve të tyre, ujdi e cila është një kalvar pa fund që i shoqëron përgjatë gjithë rrugëtimit të tyre në Shqipëri. Shtrembërimi i ligjit në Shqipëri tashmë është bërë kulturë. Shkruajmë ligje të cilët në më të shumtën e rasteve i kopjojmë fjalë për fjalë sipas modeleve të BE, por në fund kanë një nen të çuditshëm, pothuaj të gjitha, atë të Adhamudhit, që do pjesën e luanit dhe drejton çdo aksion në Shqipëri, Berishës dhe klanit të tij. Është, pikërisht, ky nen që i ndot të gjithë ligjet në vend, duke e kthyer tregun shqiptar dhe ekonominë shqiptare në një xhungël pa pemë, por me hije e fantazma që kërcënojnë biznesin në çdo hap të tij.

– Mungon legjislacioni përkatës, apo kemi të bëjmë me shkelje të qëllimshme?

– Shkelje të qëllimshme dhe konstante të ligjit, mos zbatim të tij me qëllime klienteliste, përdorim të tij për ekzekutim kundërshtarësh, duke e bërë ligjin një leckë për të fshirë këmbët me … ata që e kanë vënë për poshtë, “zbatuesit e ligjit të ngarkuar nga qeveria”.

– Në rastin e fundit, me kontrabandën që zhvillohet në doganën e Kapshticës, ku “Telegraf” zbuloi gjithë skemën e korrupsionit ekonomik, PS-ja deri tani heshti. Nuk i intereson politikisht?

– Është një çështje pjesë e një bashkësie që fillon me një dhe vijon në infinit krimesh dhe aktesh kontrabande që zhvillohen në Shqipëri në të gjithë territorin e saj dhe që ne të demoralizuar, ashtu si të gjithë shqiptarët, presim të dënohet dhe të marrë fund një herë e përgjithnjë. Jemi treguar vazhdimisht të kujdesshëm që deklarimet tona të mos jenë arbitrare, apo thjesht të frymëzuara nga mediat dhe njëherazi i kemi dhënë rëndësi çdo lajmi tuajin, apo që na vjen në çdo mënyrë tjetër.

– Lidhur me krizën ekonomike, ju si e parashikoni ecurinë e saj?

– Jemi duke ecur në një luginë ferri, thotë ministri Bode, guvernatori vazhdon me shumë “kujdes” të lëshojë sinjale për një dështim ekonomik të vendit dhe një vit shumë të vështirë ekonomik për Shqipërinë. Po t’i heqësh këtyre deklarimeve “kujdesin” në përmbajtje dhe në formë, na del një skëterrë horror që po na gërryen keqazi dhe nuk duket as doktor as shpëtim në këtë rrugë. Vetëm një zgjidhje ka tashme, largim sa më parë nga “parakalimi absurd” i kësaj qeverie mbi trupat dhe jetët tona.

– Zoti Bejtja, si e shikoni rolin e bankave në mardhënie me klientët?

– Skandali i Credins Bank ka ngjyrat e një afere korruptive, por që duhet akoma të hidhet dritë mbi të nga drejtësia dhe gjithashtu të bëhet transparenca e duhur nga Banka e Shqipërisë, sektori i mbikëqyrjes financiare, por edhe nga organe të tjera. Pasaktësitë në procesin e privatizimit dhe të financimit të tij dhe mungesa e transparencës ose e kërkesës për transparencë financiare që karakterizon qeverinë tonë në shumë raste, ose në shumicën e tyre në privatizime apo procese koncesionare, çoi turpshëm në një skandal të tillë.

– A duhet të ndërhyjë Banka e Shqipërisë dhe 3 anëtarët e bordit për të investiguar?

– Mendoj se është detyrë e tyre funksionale dhe detyrim ligjor, sa kohë që preket dhe cenohet integriteti i sistemit tonë bankar, qoftë edhe përmes një banke të vetme. Më vjen vërtetë keq që konfirmohen ato që thuhen për vendin tonë, “… atje mund të marrësh çdo gjë, të jesh gjithkush, të ngrihesh në gjithçka e të zhdukesh në hiç, aq sa të mund të dyshosh edhe për vërtetësinë e qenësisë tënde dhe të të qënit ti, origjinal”. Duhet, Duhet, Duhet dhe e ka detyrim ligjor e detyrë funksionale!

– Faleminderit!