Kongresi i PS miraton statutin e ri, më 9 prill referendumi për kryetarin

508
Kongresi i Partisë Socialiste ka miratuar në orët e pasdites së të shtunës ndryshimet statutore të propozuara, me shumicë votash pro dhe vetëm 3 kundër, nga Ben Blushi, Maqo Lakrori dhe Petrit Ago. Ndërkohë që në mbrëmje është vendosur mbajtja më 9 prill e referendumit për kryetarin.
Pas votimit të statutit ka vijuar debati Rama-Blushi. Kryeministri ka kërkuar mbajtjen e referendumit lidhur me statutin, për t’i dhënë fund, siç tha ai, “çdo alibie”. Ndërsa Blushi ka deklaruar se, “referendumi bëhet për çështje dhe jo njerëz” dhe ka shtuar se, me votimin e statutit të ri janë shkelur të gjitha normat. 
Rama: Shumica nuk duhet të marrë fuqinë e atyre që e bëjnë zgjedhjen e kryetarit. Propozoj një referendum për t’i dhënë fund çdo alibie. Një referendum demokratik brenda partisë që rikonfirmon atë që ne jemi. Të tregojmë që pavarësisht shumicës nga cepi në cep të kësaj salle, nuk i imponohemi një pakice sado të vogël, por i japim mundësi edhe asaj që të ndihet mirë duke marrë përgjigjen jo me tirani, por me votë të lirë dhe të fshehtë nga gjithë anëtarët e PS. Ta marrë përgjigjen jo nga lartë, por nga poshtë. 
Blushi: Besoj se parafolësi ka konflikt interesi lidhur me këtë temë, por megjithatë kjo nuk është surprizë. Referendumi nuk bëhet për njerëz, zgjedhjet bëhen për njerëz. Ky statut që ne miratuam hyn në fuqi për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të PS dhe çdo normë që sanksionojmë. Ne sot po ndërtojmë një normë që anulon në vitin 2016 zgjedhjet që duhet të ishin bërë në 2013. Është e pavërtetë që partitë në europë nuk bëjnë zgjedhje pasi marin pushtetin. Kush i fiton zgjedhjet, kryetari, apo partia? Nëse fiton partia, ajo vendos kush drejton, qoftë në opozitë, qoftë në pushtet. Në Gjermani, Angela Merkel është zgjedhur gjithmonë në parti sa herë ka fituar zgjedhjet. Tony Blair iku nga posti i kryetarit dhe kryeministrit kur i tha partia. Këtë referendum e konsideroj antistatutor, të paarsyeshëm, të papranueshëm dhe një hile për t’i ikur garës brenda PS. Ka 3 vjet që ndodh kjo. Sot iu hoq e drejta kongresit, që votoi një statut në parim dhe nen për nen ia la komisionit që hartoi statutin. Kjo është një anomali. Kthejeni statutin mbrapsht, të marrin kohë sa të duan dhe më pas le ta votojmë prap. Kjo mënyrë se si po operojmë sot nuk është demokraci, kjo është privatizim i një partie nga një njeri, që thotë unë nuk zgjidhem.
Sigal