Papa Françesku e ndjek “me shqetësim të thellë” dhunën e këtyre ditëve në Tokën Shenjte dhe u drejtohet atyre, që kanë role “përgjegjësie”, ta ndalojnë vringëllimën e armëve. Ati i Shenjtë shpreh dhimbjen e tij të thellë edhe për ndeshjet ndërmjet arabëve e hebrejve në qytetet izraelite dhe e quan “të papranueshme” vrasjen e fëmijëve.
Një thirrje e fuqishme drejtuar palëve në konflikt, sidomos krerëve përgjegjës, që të bëjnë çmos për ta ndalur vringëllimën e armëve, e edhe një nxitje për t’u lutur që izraelitët e palestinezët të gjejnë rrugën e humbur të paqes. Pas kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, Papa u ndal gjatë tek shkallëzimi dramatik i dhunës në Lindjen e Mesme:
“Ndjek me shqetësim të thellë atë, që po ndodh në Tokën Shenjte. Këto ditë shpërthyen përplasje të dhunshme të armatosura ndërmjet Rripit të Gazës e Izraelit, që po krijojnë rrezikun e shndërrimit në një spirale vdekjeje e shkatërrimi. Të shumtë, njerëzit e plagosur, e më të shumtë, të pafajshmit e vdekur. Ndërmjet tyre, shumë fëmijë. E kjo është e tmerrshme dhe e papranueshme. Vdekja e tyre është shenjë, që tregon se nuk dëshirohet ndërtimi i ardhmërisë, por rrënimi i saj”, tha Papa.
Plagoset vëllazërimi në Izrael
Papa shprehu shqetësimin e tij edhe për thellimin e tensionit në qytetet izraelite:
“Veç kësaj, thellimi i urrejtjes dhe i dhunës, që po shtrihet në qytetet e ndryshme të Izraelit, është plagë e rëndë, që i hapet vëllazërimit e bashkëjetesës paqësore ndërmjet qytetarëve e që do të jetë vështirë të mbyllet, nëse nuk nis menjëherë dialogu. Pyes veten: Ku do të na çojnë urrejtja e hakmarrja? Vërtet mund ta ndërtojmë paqen, duke rrënuar tjetrin? Në emër të Zotit, që i krijoi të gjithë njerëzit të barabartë, me të njëjta të drejta, me të njëjtat detyra e të njëjtin dinjitet e i thirri të bashkëjetojnë si vëllezër (Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor), ju bëj thirrje për qetësi e, atyre që kanë përgjegjësi, ta ndalojnë vringëllimën e armëve e të ecin në rrugët e paqes, edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”.
Udha e dialogut
Papa i nxit të gjithë të luten, posaçërisht për fëmijët, viktima të konfliktit: “Të lutemi me ngulm që izraelitët e palestinezët të gjejnë rrugën e dialogut e të faljes, të jenë ndërtues durimtarë të paqes e të drejtësisë, duke i hapur zemrat, hap pas hapi, për shpresë të përbashkët e për bashkëjetesë vëllazërore. Të lutemi për viktimat, posaçërisht për fëmijët; t’i lutemi për paqen Mbretëreshës së Paqes. Të falemimëri….”.
Natë dhune
Ndërkaq banorët e këtyre viseve përjetuan mbrëmë një natë tjetër dhune. Një natë, që u ndriçua vetëm nga raketat flakur nga të dyja palët. Nga Gaza u hodhën 2.900 raketa e sirenat vijuan të ulërijnë deri në të zbardhur të dritës, kryesisht në qytetet në jug të Izraelit. Arriti në 10 numri i izraelitëve të vrarë nga raketat e Hamasit – e dhjetëra, viktimat në Gazë, ku humbën jetën 174 palestinezë e 1200 të tjerë u plagosën. U godit edhe shtëpia e kreut të zyrës politike të Hamasit, Yahya Sinëar.
Diplomacia, në lëvizje
Diplomacia e të dyja e palëve po punon për ta përballuar situatën. Ndërkaq arriti në vatrën e konfliktit, Hady Amr, i dërguar i Presidentit të SHBA-ve, Biden, me synimin për t’i prerë hovin përshkallëzimit të konfliktit. Të martën e ardhshme do të mblidhen edhe ministrat e jashtëm të BE-së, për të përballuar të njëjtin shkallëzim e për t’i prerë hovin vijimit të vrasjes së civilëve.