Koncesioni i fshehtë me laboratorët e shërbimit spitalor dhe kredia nga Banka Botërore

405
Sigal

Kredia e Bankës Botërore paguan konsulentin e propagandës së Beqajt

 

Qeveria Rama do të ndërmarrë një hap tjetër në çmontimin total dhe privatizimin e shërbimit shëndetësor spitalor në vend. Brenda këtij viti, ajo do të japë me koncesion të gjitha laboratorët e shërbimit spitalor, ku bëjnë pjesë laboratorët biokimikë, klinikë dhe mikrobiologjikë të të gjitha spitaleve të vendit, raporton “Exit.al”. Arsyetimi i qeverisë, si edhe në rastet e tjera, është se qeveria nuk ka mundësi të investojë në këta laboratorë, prandaj ajo kërkon që “të përmirësojë shërbimet laboratorike nëpërmjet pjesëmarrjes së sektorit privat”. Sipas ministrisë synimi i koncesionit është që “të përmirësojë shërbimet laboratorike publike në Shqipëri përmes tërheqjes së një Partneri Publik Privat (PPP) për të investuar në strukturën dhe për të operuar në një rrjet të laboratorëve publikë në vend”. Qeveria e ka quajtur këtë skemë partneritet publik-privat, por në fakt bëhet fjalë për një koncesion të pastër: privati ofron një shërbim direkt për klientët për të cilën paguhet direkt me tarifa të përcaktuara me anë të fondeve që vinë nga kontributi i detyrueshëm i sigurimeve shëndetësore paguar nga qytetarët. Skema koncesionare po përgatitet në fshehtësi të plotë nga një grup punë i ngritur për këtë qëllim në Ministrinë e Shëndetësisë. Deri tani nuk dihen detajet e koncesionit, përfshi kohëzgjatjen e tij. Vendimi për dhënien me konçesion të laboratorëve është marrë pa bërë asnjë studim fizibiliteti apo vlerësime dhe analiza të tjera. Por për të justifikuar vendimin dhe për t’i dhënë atij një dozë kredibiliteti, qeveria ka pajtuar, në shkurt 2015, përkundrejt pagesës prej 74 mijë dollarë, ekspertizën e IFC-së për asistencë teknike në hartimin e projektit koncesionar dhe përgatitjen e tenderit. Ideja e privatizimit apo e dhënies më koncesion të laboratorëve është hedhur fillimisht në vitin 2007 por ajo u prit me kundërshtime të ashpra nga ekspertët. Për këtë arsye qeveria e atëhershme hoqi dorë nga privatizimi. Duke pritur kundërshtime dhe reagime të ashpra edhe kësaj here, qeveria Rama ka vendosur t’i paraprijë njoftimit publik të koncesionit me një fushatë propagandistike në favor të tij. Në datën 3 shkurt, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për oferta për një “fushatë komunikimi për reformën e spitaleve”. Teksti i thirrjes për konsulent të ministrisë bën të ditur se “Ministria e Shëndetësisë kërkon pajtimin e një kompanie lokale komunikimi PR që do të ndihmojë e mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë në marëdhëniet e saj me publikun dhe ekipin menaxhues që punon për partneritetin publik privat në lidhje me laboratorët. Kjo do të përfshijë një seri editorialesh, hartimin e pikave të diskutimit publik, hartimin e përgjigjeve për pyetjet kryesore që mund të ngrihen, si dhe mbështetje për nismat më të gjera të komunikimit të Ministrisë së Shëndetësisë”. Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë fushatë është se ajo do të paguhet nga fondet e një kredie të Bankës Botërore për reformimin e sistemit të shëndetësisë. Pagimi i propagandës qeveritare me kredi është një vendim i dyshimtë si për qeverinë ashtu edhe për vetë Bankën Botërore. Vendimi i qeverisë për dhënien me koncesion të laboratorëve ngre një pikëpyetje të madhe mbi një tjetër koncesion të dyshimtë dhe me gjasa klientelist të qeverisë. Në kontratën e koncesionit të shërbimit të kontrollit të përgjithshëm të popullsisë ishte parashikuar që koncesionari duhet të ndërtonte 20 laboratorë biologjikë dhe kimikë. Deri tani ai ka ndërtuar vetëm tre laboratorë të tillë, madje në vende të papërshtatshme, dhe ka nënkontraktuar laboratorë ekzistues në shkelje të plotë të kushteve të kontratës. Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë indiferente ndaj këtij fakti dhe nuk ka marrë asnjë masë shtytëse apo dënuese ndaj koncesionarit për të siguruar ndërtimin e 17 laboratorëve të tjerë. Ndërkohë, qeveria beson që një tjetër privat të investojë. Ndoshta të dy koncesionet mund të bashkohen tek i njëjti koncesionar. Së fundi, duhet theksuar se politika që kërkon të zbatojë qeveria është provuar në disa vende të botës dhe rezultatet e saj kanë qenë negative në shumicën e rasteve. Disa nga organizmat kryesore ndërkombëtare dhe një sërë qeverish perëndimore, përfshi Komisionin Evropian, janë shprehur kundër  dhënies me koncesion të sistemit të laboratorëve publikë pasi kjo gjë ka dëshmuar sepse mbart rreziqe të mëdha për pacientët dhe shëndetin e popullsisë.