Koncesionet në Shëndetësi/ PS-PD, “pazar” për të mos prekur Klodian Allajbeun

17
Sigal

Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për dy nga katër koncesionet problematike në Shëndetësi ka ngritur dyshimet për një pakt të nëndheshëm politik ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Javën e kaluar, Parlamenti votoi me një shumicë të madhe (95 vota pro dhe një abstenim) ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë procedurat e koncesioneve dhe zbatimin e kontratave për shërbimin e Kontrollit Bazë (CheckUp) dhe të Sterilizimit të Pajisjeve Kirurgjikale. Ndërkohë, nga objekti i hetimit parlamentar janë shmangur dy koncesione, ai për shërbimin e Hemodializës dhe për Laboratorët, të cilët në mënyrë thuajse të drejtëpërdrejtë ose indirekt, lidhen me një emër-Klodian Allajbeu. Komisioni Parlamentar nisi punimet të hënën e kësaj jave (25 mars 2024) dhe pritet të zhvillojë punimet për një periudhë 4-mujore.

Komision hetimor i cunguar

Opozita, si iniciatore e ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar ka dyshime të forta se kontrata e Check UP-it, me kosto koncesionare rreth 130 milionë euro, ka qenë e paracaktuar për t’u fituar nga kompanitë “3P LifeLogistic”, me përfituese fundore Vilma Nushi, një biznesmene shumë pranë kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu, opozita u fokusua tek kontrata me kosto 100 milionë euro e Sterilizimit të Pajisjeve Kirurgjikale, e fituar nga kompania “SaniService” me përfitues kryesor ish-muratorin emigrant, Ilir Rrapaj, megjithëse kjo çështje tashmë po hetohet nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe një pjesë e saj është dërguar së fundmi për gjykim. Për deputetët opozitarë, vlerësohet e nevojshme hetimi parlamentar për sterilizimin, pasi ka dyshime se Prokuroria e Posaçme nuk ka hetuar siç duhet, madje ka toleruar, ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ka qenë në detyrë në kohën e nënshkrimit të katër kontratave koncesionare. Veçimi dhe nxjerrja jashtë kontrollit parlamentar të koncesioneve të Hemodializës dhe Laboratorëve e ka vendosur opozitën nën një kritikë të fortë mediatike dhe publike, duke ngritur pikëpyetjet se Partia Demokratike nuk do të merret me përfitimet e atij që njihet publikisht si “oligarku i Shëndetësisë”, Klodian Allajbeu. Këto dy koncesione nuk janë më pak problematike sesa ato që janë përfshirë në objektin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Allajbeu, përfitues tek Hemodializa

Mbi kontratën me kosto koncesionare 80 milionë dollarë për shërbimin e Hemodializës u ngritën dyshime që në krye të herës se pas saj gjendeshin interesat e Allajbeut, i cili zotëron “Spitalin Amerikan” dhe “Spitalin Hygeia”. Kontrata u fitua nga një shoqëri anonime, me seli në Berat, “Evita”, pas të cilës gjendeshin emra që kishin lidhje të afërta me Klodian Allajbeun. Lidhjet e tij u bënë më të dukshme, kur, menjëherë pas fitimit të kontratës, “Evita” u bashkua me “Spitalin Amerikan”, për të krijuar kompaninë “DiaVita”, e cila do të zbatonte koncesionin.

Në vijim, kompania koncesionare ka ndryshuar herë pas here pronarë. Aktualisht është në pronësi të një konsorciumi suedez, “Diaverum International”. Megjithë ndryshimet e pronësisë, përfituesi kryesor i parave të Buxhetit të Shtetit për Hemodializën vijon të jetë sërish Allajbeu, me Spitalin Amerikan. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportet e auditit për zbatimin e kontratës koncesionare të Hemodializës, ka konstatuar problematika të mprehta, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me përfitime nga grupi financiar i Allajbeut.

Në shkurt 2022, “Boldneës.al” ka raportuar të dhëna mbi raportin e KLSH-së, në bazë të të cilit rezultonte se kompania koncesionare “Diavita”, ku bënte pjesë edhe Allajbeu, ka marrë mbi 1 milionë euro përfitime pa kryer asnjë shërbim. KLSH zbuloi se kompania koncensionare “DiaVita” ka marrë pagesa nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH) në vlerë mbi 115 milionë lekë të reja për shërbimet e kryera gjatë periudhës nëntor 2016-prill 2017 në spitalet rajonale të Elbasanit dhe Korçës. Ndërkohë që auditi ka zbuluar se në atë periudhë, kompania koncensionare nuk e ka ofruar aspak këtë shërbim, pasi nuk ekzistonte infrastruktura e nevojshme. Po ashtu, në një raport më të zgjeruar të KLSH-së, të raportuar nga “Boldneës.al” në tetor të vitit 2022, rezultoi se, për vitin 2021, “DiaVita” është paguar nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH) me një vlerë prej rreth 700 milionë lekë të vjetra ose mbi 600 mijë euro, për seanca dialize që nuk janë realizuar. “Janë kryer pagesa për koncesionin e dializës për shërbime të pakryera në shumën 69,996,344 lekë, gjithashtu është konstatuar se për 5 qendrat e hemodializës janë kryer 1,447 seanca dialize të faturuara mbi projeksionin e përcaktuar në kontratën koncesionare për ofrimin e shërbimit, me një efekt financiar në shumën 16,210,741 lekë”, thuhet në Raport.

Fijet e Allajbeut tek Laboratorët

Në dhjetor të vitit 2016, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nënshkroi kontratën me kosto koncesionare 130 milionë dollarë për “Shërbimin e Laboratorëve të Analizave”. Fituesi i kontratës ishte konsorciumi “LaboratorySolution”, me aksionerë kryesorë të regjistruar në zonën off-shore të Amsterdamit në Hollandë dhe me përfitues kryesor biznesmenin shqiptar, Janis Karathano. Megjithatë, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, edhe në këtë koncesion gjenden gjurmë ose fije, të cilat indirekt lidhen me Klodian Allajbeun. Në bazë të të dhënave publike, rezulton se “AB LaboratorySolution”, e cila është kompania kryesore e konsorciumit që fitoi koncesionarin e Laboratorëve, ka pasur adresë “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘s­Gravenhage” në Amsterdam. Nga shkurti i vitit 2017 deri në qershor të vitit 2018, “AB SolutionLaboratory” ka pasur si drejtoreshë ekzekutive LuisaCinsiaRamasso. Pas dorëheqjes së saj, emërohet TamaraAlexandraEleonora. Më tej, në vitin 2018, drejtimin e përgjithshëm të kompanisë e merr KostandinosKarathanos.

Adresa dhe drejtuesit në periudhën 2017-2018 janë saktësisht të njëjtat që figurojnë edhe për kompaninë “Arimo”, një prej anëtarëve që ka pasur në pronësi koncensionin për “Hemodializën”. Në bazë të të dhënave zyrtare, “Arimo BV” ka regjistruar si adresë të saj “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘s­Gravenhage”, i njëjti vend me selinë e deklaruar nga “AB LaboratorySolution BV”. Gjithashtu, në periudhën 2017-2018, “Arimo BV” ka pasur si drejtues të përgjithshëm, fillimisht LuisaCinsiaRamasso e më tej, TamaraAlexandraEleonora.

“Arimo BV”, në vitin 2016, blen 72.5% të aksioneve të kompanisë “Evita”, e cila nga ana e saj kontrollonte 85% të kompanisë koncensionare “DiaVita” të Hemodializës. “Arimo BV” bleu aksionet e “Evita” për një vlerë prej rreth 200 mijë euro, nga ish-poseduesi i tyre, biznesmeni RasimHamzaraj, i cili, nga ana e tij, i kishte blerë ato vetëm 6 muaj më parë për të njëjtin çmim. Në vitin 2019, “Arimo BV” shiti aksionet e saj në kompaninë koncensionare të Hemodializës, “Diavita”, tek një kompani nga Suedia “Diverium International”. Të njëjtën transaksion kreu edhe aksioneri më i vogël i kompanisë koncensionare, “Spitali Amerikan”. Në këtë mënyrë, “Arimo BV” u largua zyrtarisht nga tregu shqiptar dhe koncensioni i Hemodializës i kaloi në pronësi 100 përqind suedezëve të “Diverium”. BoldNews