Kompania prish rrugët e Tiranës, 4 ditë pasi u asfaltuan, shteti i bën sehir

765
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ndodh edhe kështu. Sapo përfundon së ndërtuari një rrugë, vjen një kompani private dhe e çan asfaltin, hap kanale dhe shtron tuba për llogari të vet. Nuk e di se si e ka marrë lejen, çfarë parashtron kontrata, pasi asgjë nuk ka të publikuar, as në rrugë, dhe as në faqen e saj të internetit. Pasi mbaron punën e saj, kompania hedh 2 lopata llaç përsipër, duke e prishur përfundimisht shtresën e asfaltit të rrugës. Askush nuk shqetësohet. Askush nuk i kërkon llogari kompanisë pse nuk ka zbatuar kontratën, në qoftë se ka. Në qoftë se nuk ka bërë kontratë, por punimet i ka bërë me iniciativën e vet, nga nevojat e saj, atëherë, ndërhyrja në rrugë është krim. Ndërkohë, që një qytetar ndëshkohet me gjobë, me burg, kur ndërton qoftë edhe një kotec pa leje. Bashkia në Tiranë ka përfunduar sistemimi dhe asfaltimi i të gjithë rrugët në Fushën “Misto Mame”. Për herë të parë gjithë blloku ka një imazh shumë të mirë,ku vetë kryebashkiaku Veliaj u përkujdes që punimet të kryhen me cilësi dhe të zbatohen projekte bashkëkohore dhe rrugët të plotësojnë të gjitha standardet e sigurisë. Mirëpo, 4 ditë pasi u shtrua shtresa e asfaltit në rrugën “Sabri Serani”, kompania, siç e shikoni edhe në fotografi të marrë dje, çan rrugën shtron kabllot e saj dhe paskëtaj, hedh përsipër një lopatë llaç dhe e braktis rrugën. Pyetëm dje inxhinierin e kësaj kompanie, nëse kanë kontratë, cilat janë detyrimet e saj, përse kompania nuk erdhi para 5 ditësh dhe kabllot e saj t’i shtrinte para hedhjes së shtresës së asfaltit? Mirëpo inxhinieri zbatues i projektit të firmës me ton arrogant u përgjigj”: – Ne do bëjmë punën tonë, siç duam ne. Nuk i japim llogari askujt. Nuk duam të dëftojmë askujt projektet tona. Na lër të qetë, sepse ne jemi më të fortë edhe se shteti.

A do ta dënojë Bashkia dhe Policia e Shtetit kompaninë për dëmtim të rrugës?

Është pyetja më e logjikshme. Kompania, që ka interes së vet biznesi ka dëmtuar rrugën, e cila ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë miliona euro. A do të gjobitet për dëmtim të pasurisë? A ka leje për ndërhyrjen e saj në rrugë? Kur e ka pasur afatin të ndërhynte në rrugë kjo kompani? Përse nuk bashkëpunoi me Bashkinë e Tiranës, kur rruga kishte 13 muaj që po punohej, përpara se të shtrohej shtresa e asfaltit? Nëse ka leje, a ka zbatuar kompania kushtet e kontratës?