Komision i Reformës Zgjedhore apo i manipulimit të zgjedhjeve të radhës

Jakup B. GJOÇA

Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore, nuk ka bërë asnjë punë, veç seancës dëgjimore

Sigal

Deputeti Dashamir Shehi pohon për gazetën “Telegraf”: Nuk është marrë asnjë vendim, as për shtyrje, as për pezullim

Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore u ngrit vitin e kaluar për të hartuar reformë re zgjedhore për zgjedhjet parlamentar të 2021-shit, por edhe për zgjedhjet vendore të 2019-s. Bashkëkryetarë janë deputeti socialist Taulant Balla dhe deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi. Siç pohon për gazetën “Telegraf, anëtari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, deputeti Dashamir Shehi, deri tani, nuk është bërë asgjë, përveçse disa seancave dëgjimore.

Anëtarët e këtij Komisioni Parlamentar paguhen, pa bërë asnjë punë

Deputetët, anëtarët e çdo komisioni parlamentar, që ngrihet për çështje të caktuara shpërblehen ekstra, dhe me shpërblim për çdo pjesëmarrjeje në seancat e komisionit parlamentar. Në faqen elektronike të Kuvendit të Shqipërisë nuk ka të publikuar sa janë tarifat e shpërblimit të deputetëve për pjesëmarrje në komisionet parlamentare, por, nëse u referohemi tarifave të para 3 viteve, çdo deputet anëtar i këtyre komisioneve parlamentare shpërblehet (ekstra) 2.000 lekë për çdo pjesëmarrje.

Deputeti Dashamir Shehi: Ky komision parlamentar nuk ka bërë asnjë punë

Anëtari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, deputeti Dashamir Shehi në një prononcim për gazetën “Telegraf” pohon: Në këtë komision parlamentar për reformën zgjedhore, deri tani nuk është bërë asnjë punë. Ky komision duhet të kishte mbaruar në pranverën e këtij viti, mirëpo, ngaqë nuk bëri asnjë punë, u shty dy herë. As vendim nuk kanë marrë në Komision Parlamentar për Reformën Zgjedhore për shtyrje afati. Nuk na kanë sjellë ndonjë vendim, që të dimë pse u shty mandati. Herën e dytë, ky komision parlamentar për reformën zgjedhore e kishte mandatin deri në korrikun e 2018-s. Por përsëri nuk u bë asnjë punë. Deri tani ka bërë disa seanca dëgjimore, por askush nuk ka sjellë asnjë projekt për asgjë, që të themi, ja bëmë të paktën një punë. Asnjëherë nuk është marrë asnjë vendim për shtyrjen e mandatit të Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore. Ky komision parlamentar i reformës zgjedhore as çështjen e votimit elektronik nuk arriti ta vendoste. Tani të shohim çfarë do bëjnë në shtator, sepse kështu e kanë lënë.

Ama shpërblimi i anëtarëve të komisionit parlamentar bëhet rregullisht

Edhe pse Komisioni Parlamentar i reformës zgjedhore nuk ka bërë asgjë, edhe pse deri tani mandati i tij është shtyrë gojarisht, sepse nuk është marrë asnjë vendim i shkruar, asnjëherë nuk është publikuar shkaqet, arsyet përse duhet që të shtyhet (dy herë!!!) mandati i këtij komisioni parlamentar? Por, megjithëkëtë, anëtarët e këtij komisioni parlamentar, deputetët shpërblehen, edhe pse nuk kanë bërë asnjë punë për reformën zgjedhore.

Qëllimi: Tejkalimi i afateve kohore, për të justifikuar vendimmarrjen politike

Nuk është kaq e thjeshtë çështja e shtyrjes së afateve kohore të mandatit të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Edhe pse reforma zgjedhore është një nga 14 kushtet e BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, reforma e re zgjedhore nga PS-PD është një çështje e paracaktuar. Qëllimi kryesor i PS-PD është që edhe në reformën e re zgjedhore të mbajnë të konsoliduara privilegjet zgjedhore, siç është më kryesorja, të mos cenojnë sistemin aktual zgjedhor, që u jep privilegjin që të përfitojnë votat edhe të subjekteve të tjera politike, të cilat nuk mund të arrijnë dot pragun e 3 % në çdo qark, ta bëjnë ligjin zgjedhor të atillë, që ligji të mos ketë asnjë mundësi të hetojë shpenzimet financiare të partive në fushatë elektorale, as të hetohen donatorët dhe as ku shpenzohen financat në fushata zgjedhore, siç është bërë deri tani. PS dhe PD, me shtyrjen e shumëhershme të mandatit të komisionit parlamentar zgjedhor, kanë qëllimin që të tejkalohen afatet kohore pa bërë gati reformën e re zgjedhore dhe paskëtaj, nga “ngutja” të hedhin në tavolinë për nënshkrim atë draft të reformës zgjedhore, për të cilën paraprakisht, PS dhe PD kanë rënë në dakordësi, në prapaskenë dhe e kanë hartuar bashkërisht, larg opinionit dhe partive të tjera politike. Nuk është aspak rastësi, që bashkëkryetarët e komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore deputetët e PS dhe PD, deklarojnë se kanë gjetur konsensusin për reformën e re zgjedhore. Me këtë konsensus të gjetur PS dhe PD nënkuptohet drafti i parapregatitur i reformës së re zgjedhore, e cila do të zbardhet në orën e fundit të afatit zgjedhor….