Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit

493
Sigal

Presidenti i republikës Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Përmes një mesazhi Presidenti Meta, uron që kjo festë e madhe të jetë mesazh bashkimi dhe lumturie për të gjithë shqiptarët. Mesazhi i Presidentit Meta:

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Dita e shenjtë e Kurban Bajramit na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të Plotfuqishmit. Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë. Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh. Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj të uroj besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen: Gëzuar dhe për shumë vjet Festën e Kurban Bajramit! Ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja si dhe mes njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë! Sa më tepër paqe, tolerancë, mirëbesim e begati! Zoti i ndihmoftë shqiptarët dhe Shqipërinë për jetë të jetëve!