Koloneli i Antimafias Vincenzo Mangia, për operacionin”Shpirti”: Zbuluam urdhëruesit e mbjelljes së kanabisit e zyrtarët tradhtarë

369
Sigal

Pak ditë pas operacionit të koduar “Shpirti” Alba Kepi intervistoi kolonel Vincenzo Mangia, Kreu i Qendrës Operative të Antimafias së Barit. Në një intervistë për gazetaren, Alba Kepi, kolonel Mangia zbardh ekskluzivisht detajet e Operacionit të përbashkët SPAK-Antimafia, që çoi në ekzekutimin e 28 urdhërarresteve dhe sekuestrimin e miliona eurove pasuri.

Alba Kepi: Kolonel, një megaoperacion i dy ditëve më parë mes Shqipërisë e Italisë solli në arrestime të rëndësishme. Pse u kodua pikërisht “Shpirti”?

Kolonel Vincenzo Mangia: Është etapa e tretë e një projekti investigativ, qe një provë e vërtetë e një hetimi global, jo vetëm në objektivë por dhe për mjetet investigative të përdorura. Dy operacionet e mëparshme të këtij projekti qenë operacionet “Shefi” e “Kulmi”. “Shefi” çoi në 42 masa arrestime më 2018, nën urdhrin e autoriteteve gjyqësore italiane, e shkatërrimin e dy grupeve kriminale të përbërë nga italianë e shqiptarë, që trafikonin marijuanë e lëndë të tjera narkotike mes dy brigjeve. Në operacionin e dytë “Kulmi”, u përpoqëm të bënin diçka më shumë. Nuk na mjaftonte më vetëm të arrestonim trafikantët, dhe u përpoqëm të bëjmë më shumë për të kuptuar se kush i organizonte këto trafiqe.

“Qëllimi kryesor i një trafikanti është të pasurohet, e në një proces globalizimi mund ta arrish jo vetëm duke trafikuar, por dhe kur ke mbështetjen e institucioneve publike”

E në veçanti, të punës së Antimafias së Barit, e falë vullnetit të autoriteteve gjyqësore italiane e shqiptare, u dakordësuan krijimi i një skuadre investigative të përbashkët ku DIA Bari (Antimafia e Barit) impenjoi njerëzit e saj më të mirë. Kjo skuadër e përbashkët investigative, falë marrëveshjeve të përbashkëta mes vendeve, bëri që hetimet të shtrihen dhe për individë jashtë territorit të Bashkimit Evropian. Kur nisëm hetimet në operacionin “Kulmi” në bazë të një procedure të tillë, e ekzaktësisht një vit më parë më 30 qershor 2020, realizuam  ekzekutimin e një numri të madh arrestimesh si nga autoritetet gjyqësore italiane, edhe nga ato shqiptare dhe zbuluam aktivitetin sipërmarrës të mjaft trafikantëve të arrestuar.  Operacioni “Shpirti” pati si objektiv të shkonim sa më thellë në investigimet tona. Fenomeni që u shfaq qe se të arrestuarit, që pasuroheshin nga trafiqe të paligjshme, duke ditur se në Itali ka një legjislacion të rreptë ndaj trafikantëve, që çon në sekuestrimin e çdo pasurie të tyre, kishin vendosur të investonin në vendin e tyre të origjinës pra, në Shqipëri. Synuam të godisnim riciklimin e kontaktet e tyre institucionale, favoret që merrnin nga funksionarë publikë të rëndësishëm, e që favorizonin të ardhurat e paligjshme. Në operacionin “Shpirti” masat ndaluese gjyqësore janë të gjitha të lëshuara nga autoritete gjyqësore shqiptare. Ne ofruam ndihmën tonë investigative e Prokuroria e Barit realizoi koordinimin e duhur gjyqësor mes dy vendeve. Suksesi i këtij bashkëpunimi gjyqësor u pa në dy operacionet e mëparshme, ”Shefi” e ”Kulmi.”  Dy prej tyre janë arrestuar në 2018 në operacionin ”Shefi”, e dy të tjerë janë arrestuar gjatë operacionin ”Kulmi” më, 2020. Pse e kodifikuam “Shpirti”? Sepse kërkuam të godisnim në shpirtin e trafikantit, që është qëllimi për t’u pasuruar. Qëllimi kryesor i një trafikanti është të pasurohet e në një proces globalizimi, mund ta arrish jo vetëm duke trafikuar, por dhe kur ke mbështetjen e institucioneve publike.

– Qe një operacion që çoi në urdhër arrestime emrash të rëndësishëm të administratës publike shqiptare. U arrestuan prokurorë, funksionarë, agjentë policie e u zbardh një korrupsion i qartë i autoriteteve shqiptare e një plagë e realitetit shqiptar. Cilat qenë vështirësitë që hasët në investigimin e  tyre?

Jo, nuk kemi hasur vështirësi. E rëndësishme është të reagohet, gjithmonë në respekt të plotë të rregullave. Kur bashkëpunëtorët tanë të drejtësisë vendosën të bënin deklarata auto-akuzuese e të shpjegonin kontekstin me të cilin kanë operuar e të jepnin informacione të rëndësishme, u vendos që të dëgjoheshin në prani si nga magjistratët italianë, ashtu dhe ata shqiptarë, me qëllim që të dokumentonim me çdo kusht të vërtetat e tyre. Por është e qartë se, nuk mjafton vetëm rrëfimi i tyre, por dhe vërtetësia e deklaratave të tyre. Në Itali u realizua me të dhëna të qarta që konfirmonin atë çka ata rrëfyen, siç qe rasti i sekuestrimit të kryer në brigjet e Molfetës në mars të 2017, së rreth 1200 kg hashash. Falë rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, u zbardhën të reja që përkonin me hetimet tona. Po ashtu ata kontribuan, kur investiguesit italianë mbërritën në Shqipëri për të kapur kamperin me drogë, drejtuar nga dy shtetas italianë, në kufi me Greqinë. Rrëfimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë u vërtetuan dhe në Shqipëri. Dimë se prej vitesh Guardia di Finanza Italiane mbikëqyr nga ajri territorin shqiptar, për identifikimin e plantacioneve me marijuanë. Procedura kërkonte verbalizimin e djegien e tyre. Falë rrëfimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë u dhamë emër e mbiemër të atyre që kishin urdhëruar mbjelljen e këtyre plantacioneve e që kishin blerë me shumicë marijuanën. Këto të dhëna ishin të pranishme në investigimet shqiptare por pa emër, pra ishte akte kriminal ndaj personave të panjohur. Falë rrëfimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë i dhamë autorësi këtyre krimeve. U zbardh gjithashtu me siguri të mjaftueshme, siç është motivuar nga masat e lëshuar nga SPAK, se në disa raste, këto zona nuk shkatërroheshin e digjeshin plotësisht, por vetëm pjesërisht. Digjej e shkatërrohej  vetëm zona e dukshme, pranë rrugës, ndërsa pjesa tjetër, më thellë, vazhdonte të ishte e mbjellë me kanabis. Lihej e paprekur, sepse paguhej rryshfet. E kështu pra, arritëm të godisnin funksionarë publikë që kishin tradhtuar pozicionin e tyre në Shqipëri.

“U zbardh gjithashtu me siguri të mjaftueshme, siç është motivuar nga masat e lëshuar nga SPAK, se në disa raste, këto zona nuk shkatërroheshin e digjeshin plotësisht, por vetëm pjesërisht”

-Faktet kriminale të personave nën akuzë të operacionit “Shpirti”, shkojnë deri në vitin 2017. Hetimet ndaj tyre vazhdojnë?

-Mendoj se po. Kanali investigativ mes Shqipërisë e Italisë është aktiv. Kemi një mënyrë të njëjtë operative e një legjislacion mjaft të ngjashëm. Mendoj e jam i sigurt se, Prokuroria e Barit e Prokuroria Antimafia Italiane, SPAK e Eurojust do krijojnë një paketë efikase që do të vazhdojë të japë kënaqësi në punë. Trafiqet ilegale të zbuluara kanë finalizime të ndryshme. Nuk kemi të bëjmë vetëm me trafik marijuane, por dhe kokaine, hashash, armë, madje dhe raste, kur edhe funksionar publik italian nuk kishte kryer mirë punën e tij, e paratë e pista, që ndotin ekonominë legale e nxjerrin jashtë tregut e konkurrencës sipërmarrësit e ndershëm që zbatojnë rregullat dhe ato fiskale. Eksperienca e punës tonë po përcillet në një bashkëpunim konkret në Shqipëri, siç janë 30 investigues shqiptarë që po trajnohen në Romë, e do vihen në dispozicion të SPAK, e që do të jetë bërthama kyçe e besueshmërisë absolute të një niveli të lartë bashkëpunimi. Kjo skuadër e përbashkët u finalizua e funksionoi me sukses, sepse u financua disa herë nga Eurojust, që besoj në këtë projekt investigativ të përbashkët. Janë operacione që kanë koston e tyre, por që sjellin fryte të meritueshme, siç dëshmuan dhe operacionet e mëparshme “Shefi” e “Kulmi” me rreth 80 të arrestuar, disa miliona euro lëndë narkotike të kapura, e pasuri të sekuestruara.

-Një rezultat i arritur nga ky operacion qe akuza e riciklimit të parave të pista. Para të investuar me metoda tipike mafioze, si në struktura turistike, biznese buzë detit etj. Çfarë mund të zbardhin më shumë?

-Këto masa sekuestrimi janë ekzekutuar nga autoritetet gjyqësore shqiptare e ne kemi përcjellë të dhënat tona. Nuk jemi çuditur nga kjo skemë, ishte një fenomen që e njihnim. Objektivi i parë kur nisëm këtë operacion që të ndalim këta shqiptarë e bashkëpunëtorët e tyre, por jo sepse jemi kundër Shqipërisë, por nëse do kishim të bënim vetëm me italianë, do e kishim më të lehtë. Në Itali nuk mjaftohemi vetëm duke i çuar në burg, por sekuestrojmë çdo pasuri, motivin e jetës, fuqinë e jashtme.

“Lihej e paprekur parcela me hashash, sepse paguhej rryshfet. E kështu pra, arritëm të godisnin funksionarë publikë, që kishin tradhtuar pozicionin e tyre në Shqipëri”

Duke i hequr mundësinë për të mos treguar se është pronar i një ndërtese të madhe apo i makinave luksoze, të mikpresë vipa e të shfaqë luksin e tij, e kemi arritur që ai të jetë askushi. Kjo ishte ideja qysh nga fillimi i operacionit “Shpirti”. Të shohim e të investigojmë se kush fshihet nga ana tjetër, pra në Shqipëri, kush pasurohet në Shqipëri. Janë trafikantët e zakonshëm, apo janë dhe të tjerë, që nuk shfaqen, kush i ndihmon, ku investohen, ku përfundojnë paratë, a rikthehen në Itali?

-Në operacionin “Shpirti” keni nënvizuar se është shtrirë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Spanjë, në Mal të Zi, e specifikisht dhe në Barcelonën jugore. Cili ishte filli lidhës i të arrestuarve në këto vende?”

-Organizatat kriminale italiane e shqiptare kanë dëshmuar prej vitesh aftësi në shtrirje e kontakte ndërkombëtare. Në Itali ka rol të rëndësishëm ‘Ndrangheta’ në furnizimin e Evropës me kokainë, por shqiptarët nuk janë më pak të rëndësishëm e nuk punojmë më si ushtarë. Furnizojnë paketa komplete në trafiqet e lëndëve narkotike. Fakt që në Shqipëri, gjen hashashin, që vjen nga Maroku e që kalon nga Spanja e trafikohet në Itali, kokainën e heroinën, që vjen nga Hollanda, tregon se këto grupe kriminale si shqiptarë, e italianë, kanë anëtarët e tyre që veprojnë si broker të drogës në këto vende.