Kodi Civil Shqiptar udhërrëfyes për biznese dhe qytetarët italian që banojnë në Shqipëri

33
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ndërhyrjet që janë bërë ndër vite në Kod, edhe pse kanë sjellë rregullime dhe përmirësime, nuk kanë qenë të tilla që të sjellin ndryshime cilësore

Avokati Lisenko Moçka tashmë i njohur për lexuesin, pas botimit të dy punimeve të rëndësish-me në fushën e së drejtës, përkthimin e Kodit Civil Italian në gjuhën shqipe (shtator 2014) dhe përkthimin e Interpretimit të Kontratës, të Prof. Guido Alpa, nga gjuha italiane në gjuhën shqipe, paraqitet këtë herë me një tjetër punim të rëndësishëm, përkthimin e Kodit Civil Shqiptar në gjuhën italiane. Në lidhje me këtë ne zhvilluan intervistën për “Telegraf” me autorin e këtij botimi. Duke patur parasysh eksperiencën e maturuar ndër vite nga avokati Lisenko Moçka, civilst në Tiranë, u pa e arsyeshme realizimi i kësaj vepre , në konsideratë të komunitetit italian, i konsiderueshëm në numër dhe i pranishëm në Shqipëri. Botimi do të shërbejë edhe si udhërrëfyes për cilindo, që në rast nevoje ose për kuriozitet do ta përdor atë. Për lehtësi të leximit dhe përdorimit praktik, botimi permban në faqen e majtë tekstin origjinal të Kodit dhe  në të djathtën e tij, përkthimin në gjuhën italiane.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al : 

– Cili ishte motivi i një botimi të tillë dhe a mos është i vonuar një publikim i tillë?

Mendimi për përkthimin e Kodit Civil Shqiptar në gjuhën italiane ka kohë që më ka lindur dhe mori udhë më tepër pas botimit në gjuhën shqipe të Kodit Civil Italian, po prej meje, në shtator 2014. Kanë kaluar disa vite nga ky botim (dhe mund të thuhet, se ka ardhur koha që dhe ky të përditësohet) dhe ndieja nevojën se duhej, edhe një përpjekje tjetër për të bërë të njëjtën gjë (pasi trupi ka dy këmbë dhe jo një), por kësaj radhe nga e kundërta: përkthimin në gjuhën italiane të Kodit Civil Shqiptar. Është e drejtë kritika se ky botim është i vonuar; por, idea për përkthimin u maturua edhe me ka-limin e kohës ndër vite, ku praktika dhe eksperienca e fituar më shërbeu më mirë për të studiuar afërsinë, ngjashmërinë dhe dallimet ndërmjet instituteve korresponduese të të dy kodeve.

Cilat subjekte do të mund të kenë interes për përkthimin e Kodit Civil Shqiptar në gjuhën italiane?

Si është shpjeguar në parathënien e Kodit të botuar, në plotësim edhe të pyetjes së parë, në lidhje me motivin e këtij përkthimi, është jo vetëm mungesa në qarkullim e një botimi të tillë (të paktën sa jemi të informuar), por, edhe nevoja për t’ia servirur komunitetit italian në Shqipëri me një prani të qëndrueshme thuajse mbi 20.000 persona (përveç atyre juridike) dhe  mjaft të larmishme, duke filluar nga të rinjtë, të punësuar ose studentë, sipërmarrës, bankierë, specialistë të të gjitha fushave, ushtarakë, bashkëshortë, profesionistë të lirë si avokatë (madje të organizuar edhe në studio në bashkëpunim me avokatë shqiptarë) etj, pensionistë. Për ta bërë më konkrete këtë ide, le të kujtojmë nevojën që paraqitet për fillimin e veprimtarisë tregtare të një biznesi (person fizik ose shoqëri tregtare), ku kërkohet deklarimi i qendrës ligjore (si detyrim ligjor pranë organeve tatimore), si rregull, nëpërmjet paraqitjes së një titulli të pronësisë ose të një kontratë qiraje (informacioni i parë i mundshëm për kontratat përkatëse mund të merret direkt nga kodi i përkthyer).  Ky punim përbën një ndihmesë të rëndësishme edhe për punonjësit e bankave (sidomos ato me kapital italian), përkthyesit, noterët, ekspertët kontabël, etj, pasi këtë e diktojnë të tillë një seri faktorësh tashmë të pashmangshëm, për shkak të transaksioneve të shpeshta, që kryhen, sidomos ato me karakter bankar dhe financiar, karakteri i punës që kryejnë këto subjekte dhe shpeshtësia e lartë në shërbimet që japin jo vetëm për komunitetin italian në Shqipëri, por edhe për shqiptarët që udhëtojnë drejt Italisë. Botimi do të jetë një ndihmesë edhe për punonjësit e administratës publike, të cilët për natyrën e punës kanë lidhje me Italinë.

– Ju keni përkthyer të dy kodet civile, atë italian në gjuhën shqipe dhe atë shqiptar në gjuhën italiane; sipas Jush, ku qëndron e përbashkëta dhe dallimi ndërmjet tyre?

Duhet thënë se ajo që të dy kodet kanë të përbashkët është afërsia, ngjashmëria dhe/ ose origjinaliteti në formulimin e dispozitave, shumë e dallueshme te pronësia, detyrimet dhe kontratat (veçanërisht pjesa e kontratave tregtare, përfshirë edhe ato bankare), ndërsa shumë nor-ma janë huazuar thuajse pa ndryshime (nga origjinali) nga konventat ndërkombëtare. Thuajse  të gjitha normat në Kodin Civil Shqiptar, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë korrespondueset në Kodin Civil Italian. Nga pikpamja strukurore, Kodi Civil Italian paraqitet më i gjatë në formulimin e tij, pasi në të janë trupëzuar kodi i familjes, kodi i punës dhe kodi tregtar, ndryshe nga sa paraqitet situata në Shqipëri, ku është parë e arsyeshme që këto kode të jenë të veçuar nga njëri tjetri. Kodi Civil italian ndonëse me një artikulim më të detajuar se Kodi Civil Shqiptar, është për nga forma më i orientuar nga ai shqiptar, pasi të gjitha nenet janë të titulluara, është më i sistemuar në renditjen lineare të instituteve dhe, nga ana e përmbajtjes është më sistematik dhe më shterues në logjikën juridike të instituteve. Kodi Civil Shqiptar, edhe në variantin e tij zyrtar, paraqitet me gabime jo të pakta gramatikore, me mungesa fjalësh, pasaktësi në formulim, përsëritje të panevojshme, jo vetëm nga dispozita në dispozitë, por deri edhe paragrafë brenda të njëjtës dispozitë (në nenin 217, paragrafi i tretë është kopje identike e paragrafit të parë). Këto mangësi (përveç atyre nga kuptohet lehtësisht se kemi të bëjmë me një gabim) nuk lejojnë të dallohet qartë, nëse janë gabime të hartuesve të kodit ose gabime të përkthimit, në konsideratë të faktit se ai u hartua duke huazuar edhe nga legjislacione të vëndeve të tjera evropiane dhe/ose konventa ndërkombëtare. Disa prej këtyre difekteve i kemi bërë prezent si në parathënien e botimit që paraqesim, sidomos në rubrikën e  komenteve, ndaj nuk po zgjatemi t’i përsërisim.

– Duke u nisur nga këto konsiderata, a mund të thuhet se ka vend për një rregullim të Kodit Civil Shqiptar?

Nëse mund të thuhej para thuajse 27 viteve (1994), kur u redaktua dhe miratua Kodi Civil Shqiptar, se kjo ishte një përpjekje, sot, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Koha dhe kujdesi që duhej të ishte treguar për rregullimin (dhe me këtë term nënkuptojmë gjithçka, si mungesat për nga forma, por edhe nga përmbajtja) nuk justifikojnë më paraqitjen e Kodit Civil Shqiptar në këtë nivel. Ndërhyrjet, që janë bërë ndër vite, edhe pse kanë sjellë rregullime dhe përmirësime, nuk kanë qenë të tilla që të sjellin ndryshime cilësore. Për ta konkretizuar, po mjaftohemi të vëmë në dukje vetëm një fakt, që më shumë duket si një harresë, por të bën përshtypje si mund të ketë ende në Kodin tonë civil rudimente që me kohë i përkasin së shkuarës. Është fjala për formulimin e nenit 322, ku tekstualisht citohet: “Nuk mund të trashëgojë si i padenjë: – ai që ka bërë ndaj trashëgimtarit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet dënim me vdekje ….”. Kjo dispozitë duhet ndryshuar, pasi në bazë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 65, datë 10.12.1999, dënimi me vdekje në kohë paqe është shfuqizuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës. Në vitin 2007, Republika e Shqipërisë ratifikoi Protokollin Nr.13 të KEDNJ-së, duke shfuqizuar dënimin me vdekje në të gjitha rrethanat, duke e zëvendësuar atë me burgim të përjetshëm. Për arsyet që parashtrojmë, jemi të mendimit, se Kodi duhet revizionuar i tëri, me qëllim për ta rregulluar, përmirësuar dhe perfeksionuar.

Duke përfunduar, dëshiroj të falenderoj drejtuesit e Gazetës “Telegraf”, për mbështetjen që po na japin (ashtu siç kanë vepruar dhe herë të tjera) në publikimin për daljen në dritë të këtij botimi. Falenderime të veçanta i dedikoj redaktores shkencore, gjyqtares Elbana LLURI, për bashkë-punimin në realizimin e këtij punimi dhe gjithë personave të tjerë të përmendur në tekst. Falenderime të veçanta i dedikoj Avv. Fernando Dono, i cili me përkushtim dhe kompetencë të lartë profesionale kontriboi në realizimin e këtij përkthimi.