Koalicioni PS-LSI, Panariti: Duhet një analizë, vendosim në prill

207

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti është bërë pjesë e debatit të lindur brenda mazhorancës.

I pyetur se çfarë po ndodh në koalicion pas replikave në distancë mes ministrave Manjani e Tahiri dhe mbi të ardhmen e ASHE-së, Panariti deklaroi se, për këtë ka kohë deri në mesin e muajit prill.
“Koalicioni PS-LSI funksionon në bazën e një pakti qeverisës, që është rezultat i marrëveshjes së 1 prillit dhe LSI ka dëshmuar se i përmbahet këtij koalicioni. Ju jeni të interesuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ne kemi kohë për arsye se regjistrimi i koalicioneve do të bëhet në mes të prillit. Në këtë periudhë dy partitë do bëjnë bilancin e qeverisjes dhe do të hartojnë kriteret mbi bazën e të cilave do të ecin në të ardhmen”, tha Panariti.
Por, edhe Panariti shprehu pakënaqësitë e veta veçanërisht për fondet e dhëna nga qeveria për bujqësinë.
“Unë shoh që bashkëpunimi deri tani ka qenë konstruktiv. Natyrisht ka pasur luhatjet e tij, pasi përqasjet tona për disa probleme kanë qenë të ndryshme, sepse ne disa çështje i kemi të një rëndësie të veçantë, sidomos sa i përket bujqësisë, për të cilën theksoj se fondet për të duhet të jenë më të mëdha. Pavarësisht se kanë qenë në rritje krahasuar me më parë, ne nuk mund të ecim me krahasime”, tha Panariti.